Gjeopolitikë

Analiza – Falimenti moral i pacifizmit gjerman

Gjermania e ka konsideruar veten gjithmonë unike dhe ky mentalitet ka ngritur një numër të konsiderueshëm politikash të jashtme të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Në këtë kontekst, ngurrimi i vendit për të mbështetur Ukrainën ka vënë në rrezik marrëdhëniet me miqtë dhe fqinjët e vet, dhe në veccanti, ka rrezikuar edhe reputacionin e vetë Gjermanisë.

BERLIN – Pas një shtatëzanie shumë të gjatë, Gjermania më në fund vendosi të dërgojë armatime të rënda në Ukrainë. Por foshnja lindi e vdekur: tanket anti-ajrore Gepard, të cilat Gjermania po i ofron tani, janë antikuare për të cilat nuk ka municion. Prodhuesi ka vetëm 23 mijë fishekë në dispozicion. Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka njoftuar ndërkohë se do të kërkojë për municione rezervë në vende të largëta si Jordania, Brazili dhe Katari. Ndërsa Rusia shkatërron fqinjin e vet duke vrarë, torturuar dhe përdhunuar civilët e saj – Gjermania mbetet e zënë në një lëmsh.

Të dyja vendet kanë tradita të pasura militariste dhe kanë pasur perandori totalitare përgjatë shekullit të njëzetë. Rrugët e tyre ndryshuan pas shpartallimit të Hitlerit, por vijuan të lëvizin në mënyrë simetrike. Në veçanti, ndërsa Gjermania hoqi dorë nga imperializmi, besimi te një “mision special” (Sonderweg) në histori ka vijuar të jetë i fortë.

Ky besim, i lindur nga pozicioni i perandorisë Gjermane mes Rusisë autokratike dhe Perëndimit liberal dhe demokratik, i ka krijuar hapësirë zhvillimit të gjithëfarëlloj pozicioneve të rrezikshme dhe të papërgjegjshme në politikën e jashtme, nga Drang nach Osten (Marshimi drejt Lindjes) dhe vizionit të Mitteleuropa (udhëheqësi gjermane në Evropën Qendrore) te kërkimi i Lebensraum (“hapësirës për të jetuar”) nga Hitleri apo Ostpolitik politika e afrimit me Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik krijuar nga Willy Brandt. Është interesante të vëresh se Ukraina ka qenë shpesh në zemër të të gjithë këtyre manovrimeve.

Në këtë kontekst, nëse e përshkruan Gjermaninë e pasluftës si “pacifiste” atëhere ke zgjedhur termin më bujar. Të tjerë ka gjasa që e shikojnë këtë qëndrim të politikës së jashtme të Gjrmanisë jo aq shumë si heqje dorë nga militarizmi se sa si tregues i babëzisë, oportunizmit dhe cinizmit të një pjese të udhëheqësve të saj të biznesit dhe të politikës të saj. Në fund të fundit, mes mbështetësve më të mëdhenj të politikës së dërgimit të armatimeve të rënda në Ukrainë, sot janë të Gjelbrit, të cilët supozohet se janë pacifistë.

Po pse Gjermania nuk është në gjendje të trajtojë Ukrainën në të njëjtën mënyrë siç bëjnë vendet e tjera të Evropës Perëndimore? Refuzimi për të dërguar armë në zonat e konfliktit vë shenjën e barazimit mes agresorit dhe viktimës. Për shumë javë me radhë, politikëbërësit e Gjermanisë, duke refuzuar ta pranojnë këtë, bllokuan anëtarë të tjerë të NATO-s nga dërgimi i armëve në Ukrainë.

Si mundet që ukrainasit kanë marrë më shumë armë nga Estonia (me vlerë totale 240 milionë dollarë) se sa nga Gjermania (me vlerë totale 130 milionë dollarë), një vend që ka ekonomi 100 herë më të madhe? Edhe në terma të ndihmës financiare dhe humanitare, mbështetja e Gjermanisë ka qenë për turp. Çfarë u bë me politikën “kurrë më”?

Deklaratat dhe vendimet e kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz që nga fillimi i luftës nga Rusia kanë qenë asgjë më shumë se sa thjeshtë acaruese. Shikoni përmbledhjen që i ka bërë fjalimeve të tij Thomas C. Theiner, një kineast me shtëpi në Kiev dhe ish-oficer i ushtrisë italiane.

Në fund të shkurtit, Scholz kërkoi një listë me armatime të disponueshme nga industria gjermane e mbrojtjes, por hoqi prej saj të gjitha armatimet kuçe para se t’ia dërgonte atë ambasadorit të Ukrainës. Kur media siguroi listën origjinale, Scholz pretendoi se armët e fshira nga lista u fshinë për shkak se kërkonin tepër kohë të gjatë për t’u dorëzuar.

Industria e mbrojtjes e kundërshtoi këtë pretendim, por pastaj Scholz gjeti një justifikim të ri. Forcat e armatosura të Ukrainës nuk mund të stërviteshin për përdorimin e këtyre armëve brenda kohës në dispozicion. Por ekspertët gjermanë të mbrojtjes e mohuan këtë gjtihashtu, duke vërejtur se ukrainasit janë në gjendje të mësojnë përdorimin e armëve për brenda 2-3 javëve, siç kanë bërë me armatimet australiane, kanadeze, amerikane dhe franceze.

Scholz e zhyti veten në një vrimë akoma më të thellë pas kësaj, duke pretenduar se NATO duhej të miratonte transferimin e armatimeve. Kur zyrtarët e NATO-s dhe vetë gjeneralët e Gjermanisë e hodhën poshtë këtë, Scholz u përpoq të argumentojë se asnjë vend tjetër anëtar i NATO-s apo i BE-së nuk po i furnizonte armatime të rënda Ukrainës. Kur dëgjuan këtë, zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Polonia, Çekia, Slovakia, Rumania, Turqia, Italia, Finlanda, Danimarka, Rumania dhe Holanda prezantuan lista me armatime të rënda që po i furnizonin Ukrainës.

Siç raporton Theiner, Scholz pas kësaj shpalli 2 miliardë euro pajime ushtarake shtesë për Ukrainën, por parlamentarët e Gjermanisë shpejt mësuan se qeveria në të vërtetë po transferonte vetëm 1 miliardë dhe këto nuk do të ishin të disponueshme veç pas dy apo tre muajsh. Pasi SHBA, Franca, Polonia, Rumania, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia u ballafaquan me të, Scholz ndryshoi qëndrim sërish dhe deklaroi se 1 miliardë euro do të transferohen menjëherë dhe se Ukraina mund të porosiste gjithçka që i nevojitej nga lista. Scholz pastaj paralajmëroi se vendet që funrizojnë armatime të rënda në Ukrainë janë duke e ekspozuar veten ndaj rrezikut të një sulmi bërthamor nga Rusia. Procesi i shmangies vijon.

As Scholz dhe as kritikët e tij brenda Gjermanisë duket se nuk kuptojnë se impakti i kësaj shmangieje është i fortë në vende si Polonia dhe Çekia, pa përmendur Ukrainën. Ne, Evropa Qendrore dhe Lindore, jemi rikujtuar se jetojmë mes dy shteteve që dëshirojnë që të dyja të ndjekin rrugët e veta unike. Kjo nuk është për të sugjeruar se Gjermania sot ngjan në ndonjëfarë mënyre me Rusinë, apo se Scholz është si Vladimir Putini. Përkundrazi, problemi është që pacifizmi i Gjermanisë po nxit militarizmin. Duke refuzuar t’i bëjë ballë agresorit, Gjermania ka shfaqur një mungesë tronditëse senstitiviteti moral.

Për rrjedhojë, Gjermania është drejtuar për te një poshtërim tjetër i rëndë historik, për të cilin do t’i duhet të kalojë vite – e ndoshta dekada – për të kërkuar ndjesë dhe për të korrigjuar veten. Por askush nuk do të besojë se me të vërtetë është penduar, veçanërisht jo njerëzit në Evropën Lindore, zona që përbën edhe partnerin më të madh ekonomik të Gjermanisë. Parimi qëndror i politikës së jashtme të Polonisë, e ashtuquajtura Doktrina Giedroyc, thotë: Polonia nuk mund të jetë e pavarur në rast se Ukraina nuk është e pavarur. Ky parim është formuluar kur Polonia e pasluftës hoqi dorë nga iluzionet e veta perandorake dhe pranoi kufijtë e vet lindorë pa Vilnusin dhe pa Lvivin.

Në rast se Gjermania nuk bashkohet me aleatët e saj, një ndarje e stërmadhe politike në Evropë është e pashmangshme. Ukrainasit do të humbasin të gjithë besimin te Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës Qendrore dhe Lindore do të mësojnë të jenë dyshues ndaj qëllimeve të Gjermanisë, pavarësisht se kush është në drejtimin e këtij vendi.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. The Moral Bankruptcy of German Pacifism. Ky shkrim nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate./birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *