KryesoreLajme

Serrat në Shqipëri po falimentojnë

Zona e Kutallisë në Berat, kryesisht fshatrat Samaticë, Goriçan, Drenovic etj., që prodhojnë 30% të volumeve nga serrat, e cila lulëzoi pas kthimit të emigrantëve nga Greqia pas vitit 2008, tani po braktiset.
Ndryshimet e skemave mbështetëse dhe rritja e kostove përtej çmimeve sollën humbje për tre sezone me radhë. Mbi 20% e serrave nuk u mbollën këtë sezon, teksa kjo pranverë është prova e fundit, e cila nëse sjell humbje, rrezikon të çojë në faliment zinxhir të gjithë sektorin, furnizuesit e inputeve dhe eksportuesit.
Sipas Ministrisë së Financave, sektori i bujqësisë përfitoi 12.5 miliardë lekë nga përjashtimet fiskale më 2018, ndërsa pas heqjes së tyre, qeveria do të japë mbështetje vetëm 3 miliardë lekë në vitin 2022.


Blerina Hoxha

Shkolla 8-vjeçare e fshatit Samaticë në zonën fushore të Beratit gumëzhin nga nxënësit në oborre, klasa dhe rrugë, duke krijuar një atmosferë e cila është harruar në fshatrat e tjerë të vendit tonë, shumica të braktisura dhe të rrënuara.

Mariglen Ziu, shoqëruesi ynë, një fermer i njohur në zonë, na thotë se ata 10-vjeçarë janë fëmijë të një brezi 40-vjeçarësh që u kthyen nga Greqia pas krizës së vitit 2008 dhe investuan kursimet e emigracionit në serra.

Samatica, Goriçani, Drenovica etj., ndodhen në njësinë administrative të Kutallisë. Fshatrat nuk rrethohen nga pyje dhe fusha si zakonisht, por me serra. Fusha e begatë në brigjet e Semanit është mbjellë intensivisht me kultivarë të serrave, si askund tjetër dhe është baza kryesore e eksporteve bujqësore.

Deri në vitin 2018, sipërfaqet me serrë u shtuan me ritme të shpejta, pasi kushtet e tregut si nga çmimet dhe kostot, të ndihmuara nga politikat mbështetëse, krijuan fitime të kënaqshme për fermerët. Por në tre vitet e fundit, serrat janë kthyer në bixhoz dhe po krijojnë më shumë humbje se sa fitime. Ky sezon do të jetë vendimtar. Nëse shitjet nuk mbulojnë kostot, atëherë falimentet do të jenë masive dhe rrezikojnë përfshirjen e të gjithë zinxhirit bujqësor.

Prej vitit 2021 e në vijim, kushtet e biznesit të serrave u përkeqësuan më tej, fillimisht nga dyfishimi i çmimeve të lëndëve të para, plehra, karburant, mjete për serrat etj., dhe në fillim të vitit 2022, qeveria hoqi stimujt fiskalë për bujqësinë. Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%, duke filluar nga ky vit, ndërsa nga 2019-a ishte ulur nga 20 në 6%.

Së dyti, vendosja e TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, nga 0% që ishin deri në fund të vitit 2021. Të gjithë këto ndryshime ndodhën kur çmimet e prodhimeve sezonin e kaluar ishin më të ulëta se kostot. Shumica e serrave me humbje e kanë transmetuar problematikën në të gjithë zinxhirin bujqësor.

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave në vitin 2018, sektori i bujqësisë, duke përfshirë agropërpunimin, mori mbështetje 12,5 miliardë lekë përmes përjashtimeve. Ndërkohë, skema e re e subvencioneve bashkë me një fond garancie për fermerët, skemën e karburanteve dhe mbështetjen direkte pritet të arrijë gjithsej në 3 miliardë lekë.

Dy vjet, asnjë investim, 20-30% e serrave janë braktisur

Në anën tjetër të kanalit vaditës që shtrihet përgjatë fshatit Samaticë është një prej serrave të braktisura. Për të kaluar kanalin është një urë pesë metra e gjerë që autoritetet vendore e ndërtuan para 4-5 vitesh që të ndihmonin kamionët të ngarkoheshin direkt në serra. Ura është shembulli më i mirë për të vlerësuar efikasitetin e investimeve publike.

E ndërtuar me një zgarë hekuri të hollë sa një laps, 20 milimetër (shiko foton) dhe me shtresë betoni sa një shuplakë, ura është thërrmuar në dy vite, aq sa nuk kuptohet se investimi ka pasur qëllim urë për kamionët. Tani nuk mban më as njerëzit. Në këto kohë, kanali nuk ka ujë dhe kalohet pa frikë mbi zgarën e ndryshkur të urës, ku katër pesë-metra më tej është serra e braktisur, pronë e dy vëllezërve që tashmë kanë emigruar në Itali.

Babai i tyre, një burrë i moshuar, ka frikë nga mediat. Nuk do të ngatërrohet me qeverinë, edhe pse sipas tij, më keq nuk mund të bëhet. Fëmijët e plakut që kishin ikur në Greqi në 18-at e tyre u kthyen në Shqipëri dhe investuan gjithë mundin e jetës.

Kastriot Dosti, një fermer 38 vjeç, i kthyer nga Greqia rreth 13 vite më parë, e ka serrën e mbjellë me domate ngjitur me atë të braktisur. Historia e tij është e njëjtë me fqinjët që kanë ikur në Itali. Ata ishin rritur bashkë, bashkë shkuan në Greqi dhe bashkë u kthyen dhe investuan në serra, por dy vitet e fundit, humbjet kanë shuar çdo shpresë. Kastrioti tha se, ky do të jetë sezoni i fundit dhe ai, ashtu si fqinjët, do të ikë në emigracion. Fermerët e tjerë, disa të rinj dhe disa më të moshuar, kanë frikë të tregojnë emrat, por nuk ngurojnë të tregojnë hallet.

Historia për të gjithë në zonën e Beratit, ashtu si në atë të Fierit, Lushnjës dhe Divjakës është e njëjtë. Serrat janë me humbje, ky është sezoni i provës. Në tre vitet e fundit nuk është shtuar asnjë metër serrë e re – thotë Marigleni, i cili ndryshe nga moshatarët dhe bashkëfshatarët, jo vetëm që nuk ka frikë të flasë, por është shndërruar në një zë të fortë për problemet e fermerëve. Më shumë se 20% e serrave në fshat janë braktisur dhe shumë të tjera kanë plastmasë të grisur, pasi fermerët nuk duan të investojnë më dhe me gjasë sezonin tjetër nuk do të mbjellin më.

Në zonën e Beratit dhe në ish-komunën e Kutallisë prodhohet 30%% e totalit të volumit nga serrat, kryesisht perime dhe zarzavate, ku dominon domatja dhe kastraveci.

Braktisja prej kostove të larta që nuk mbulohen nga çmimet

Puna në bujqësi është e vështirë, por në Shqipëri është edhe stresuese. Fermerët shqiptarë janë të ekspozuar nga ndryshimi i klimës, mungesa e ekspertizës, laboratorëve, certifikimeve etj. Punojnë pa kontrata, pa mbështetje financiare dhe për të gjitha këto arsye “biznesi” i tyre shpesh është në fije të perit. Por në tre vitet e fundit, shthurja e skemës së subvencioneve, rritja e kostove më shumë se çmimet sollën humbje për shumicën e serrave. Humbjet që u mbartën për gati tre sezone rresht kanë shkaktuar një varg borxhesh në të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Në vend, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar. Gjithashtu janë rritur kostot për të gjitha helmet dhe pesticidet e tjera, plastmasën dhe hekurin e serrave. Nje fermer tjetër i zonës, Maringlen Ziu, tha se kostoja e prodhimit të një kilogrami domate tani ka arritur në 330-350 lekë, në varësi të kulturës dhe farës, nga rreth 290 lekë, ose 300 lekë vitin e kaluar.

Z. Ziu tha se, vitet e fundit është krijuar një rrjet i madh eksportuesish, të cilët në vend që të rrisin konkurrencën dhe të ofrojnë çmime më të larta, ata bëhen bashkë dhe negociojnë çmime më të ulëta. P.sh., të martën e 12 prillit, një nga fermerët e kishte dorëzuar mallin në drekë, duke negociuar një çmim 60 lekë për një kilogram kastravec, ndërkohë që eksportuesi i ka dhënë një faturë boshe, pa çmim, duke i thënë se paratë do të dorëzohen në darkë.

Grumbulluesi e ka telefonuar fermerin në darkë, duke i thënë se çmimi i kastravecit në bursa ra me 20 lekë, ndaj ai nuk mund t’i japë më shumë se 40 lekë për kilogram, ndryshe nga sa i kishte thënë në drekë. Këto ngjarje janë të përditshme për fermerët e Kutallisë dhe gjithë zonës së Fierit dhe Lushnjës ku zhvillohet bujqësia intensive në serra.

“Në këtë sezon duhet të shesim me çmime shumë të larta mbi 100 lekë për kilogram, në mënyrë që të mbulojmë një pjesë të humbjeve të akumuluara”, – tha z. Ziu, i cili shpjegoi se vetëm gjatë një dite, fermerëve ju ndryshon çmimi nga eksportuesit disa herë. Ndër të tjera, ngritja e një databaze me çmimet ditore të prodhimeve e fushës si në të gjithë rajonin kërkohet me urgjencë nga fermerët, të cilët nuk kanë dijeni se, sa janë çmimet në Tiranë dhe në vendet fqinjë ku shiten produktet e tyre, në mënyrë që ata të mos pësojnë abuzime nga eksportuesit.

Rrezikohet falimenti në të gjithë zinxhirin bujqësor

Përgjatë rrugëve kryesore në fshatrat Samaticë dhe Goriçan janë shumë dyqane që shesin fara, fidanë, mjete pune, plehra dhe pesticide që shërbejnë për të rritur bimë në serra. Tregtarët, ashtu si dhe fermerët, janë nervozë. Fletoret e shënimeve janë të mbushura me borxhe. Çdo pikë ka nga 10 deri në 40 milionë lekë (të reja) borxhe. Një serrë pak metra larg rrugës sapo është mbjellë me domate. I zoti kishte vendosur ta braktiste, por tregtari i fidanëve i fali disa rrënjë, pasi edhe atij nuk po shitej malli.

“Këtë sezon më detyruan tregtarët ta mbjell serrën. Ju kam disa milionë lekë borxhe. Nëse unë nuk mbjell, ata janë të falimentuar. Tre vitet e fundit i kemi mbjellë me shpresën se do të fitojmë, por nuk ka ndodhur kështu. Tregtarët na kanë zhytur në borxhe me shpresën se do të marrin paratë mbrapsht”, – tha një nga fshatarët. Nëse qeveria nuk ndërhyn me subvencione, serrat nuk do të dalin me fitim edhe këtë vit, duke rrezikuar me faliment të gjithë zinxhirin e inputeve bujqësore.

Plehrat kimike dhe pesticidet, përveçse tregtohen me çmime shumë të larta për buxhetin e fermerëve, nuk janë as cilësore. Fermerët pohojnë se, helmet që importohen nga jashtë nuk kanë lëndën aktive të duhur që të ngordhë insekti, të cilën ata e porosisin qëllimisht nga fabrika, domethënë nga 100% që duhet të jetë, në 50%, me qëllim që të ulin kostot.

Fermeri detyrohet të spërkasë disa herë dhe kostoja rritet disa herë më shumë. Faji tjetër është i shtetit që nuk i kontrollon, – pohuan fermerët. Ai dhe fermerë të tjerë të sektorit të serrave fajësojnë hallkat e tjera të zinxhirit bujqësor, pasi sigurojnë fitime të larta, ndërsa prodhuesit në shumicën e rasteve, janë të humbur.

Tregu i plehrave në fillim të këtij viti u përfshi në hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili gjeti prova se tregtarët e plehrave kimike kishin rënë dakord për të fiksuar çmimet. Në fund të hetimit, të paktën dy kompani u gjobitën me 2 milionë lekë dhe një tjetër, 500 mijë lekë.

Alban Zusi, sipërmarrës në sektorin e përpunimit, i cili kohët e fundit është futur në sektorin e prodhimit të inputeve për bujqësinë, thotë se, kostot mund të lehtësohen, duke e sjellë prodhimin e një pjesë të plehrave në Shqipëri. Ai pohoi se Shqipëria trashëgon një përvojë nga e kaluara në këtë drejtim, e cila mund të shfrytëzohet në disa procese në vendin tonë.

Zusi shprehet se mund të importohen ingredientët bazë dhe më pas në Shqipëri të kryhet procesi i përzierjes dhe paketimit. Në këtë mënyrë shkurtohen kostot e transportit dhe hapen mundësi të reja për biznes. Z. Zusi vuri në jetë një projekt që rezultoi i suksesshëm për prodhimin e ushqimeve për pularitë.

Të vënë nën presion nga kostot e larta që po krijon importi i lëndëve të para, shumë kompani dhe biznese po realizojnë disa procese prodhimi brenda vendit, me qëllim shpëtimin e aktivitetit.


Ndryshimi i politikave subvencionuese kufizon fondet për bujqësinë

Në paketën fiskale të vitit 2022, qeveria hoqi shkallët e përjashtimit të TVSH-së bujqësinë. Norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë nga 6% u bë 0%, duke filluar nga ky vit, ndërsa nga 2019-a ishte ulur nga 20 në 6%. Mbi inputet u vendos TVSH-ja 10% nga 0% që ishte më parë. Ndryshimi i skemës së pari hoqi një masë të madhe likuiditeti në bujqësi që vinte nga kompensimi. Së dyti, po zgjat funksionimi i skemës së re të mbështetjes teksa bujqit e kanë mbyllur sezonin e mbjelljeve.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, është shprehur gjatë një fjalimi në Kuvendin e Shqipërisë se, bujqësia për këtë vit ka marrë fondin më të madh të akorduar ndonjëherë në 30 vitet e fundit nga qeveria shqiptare, në mbështetje të fermerëve dhe blegtorëve. Sipas Krifcës do të jenë 3,2 miliardë lekë që qeveria shqiptare ka ndarë për nevojat e bujqësisë në 12-mujorin e ardhshëm.

Ministrja tha se “buxheti i vënë në dispozicion në mbështetje të drejtpërdrejtë, është më i larti i akorduar ndonjëherë pas vitit 1991, me 3.2 miliardë lekë, duke mos llogaritur këtu edhe fondet e IPARD të cilat për këtë vit pritet të injektojnë jo më pak se 27 milionë euro në sektor”.

Të dhënat nga Ministria e Financave, në një studim për vlerën e përjashtimeve tatimore, tregojnë se në vitin 2018, shpenzimet tatimore (një zë që tregon se sa humb buxheti i shtetit nga përjashtimet tatimore) në sektorin bujqësor ishin mbi 12,5 miliardë lekë. Ministria e Financave tregon se përjashtimi i TVSH-së në produktet e bujqësisë në vitin 2018 ishte 3,5 miliardë lekë, shumë kjo që u ka mbetur fermerëve.

Ndërsa në sektorin e agropërpunimit dhe industrisë ushqimore, përjashtimet në vitin 2018 ishin mbi 8 miliardë lekë. Gjithsej vlera e përjashtimeve në sektor ishte rreth 100 milionë euro në vitin 2018.

Teksa qeveria ka hequr përjashtimet, mbështetja nga skema direkte është së paku 4 herë më e vogël, vetëm 3 miliardë lekë. Në vendet e rajonit, mbështetja për fermerët është shumë herë më e madhe, duke i ekspozuar produktet tona lehtësisht nga konkurrenca e importeve. Por edhe nga kjo shumë, 1 miliard lekë janë fond garancie, prej të cilit fermerët e kanë të vështirë të plotësojnë kushtet e përfitimit.


Qeveria e vonuar me subvencionet, sezoni iku

Teksa skema e subvencioneve ka ndryshuar, qeveria është mjaft e vonuar pasi mbjelljet janë kryer dhe sezoni iku. Shumë fermerë do të kishin mbjellë nëse qeveria do t’i kishte mbështetur, por kjo nuk ndodhi duke i ekspozuar edhe një herë fermerët me humbje në këtë sezon.

Skema e re e subvencionit parashikon që fermerët, të cilët prodhojnë në serra, të marrin subvencion që të mbulojnë mesatarisht nga 20 deri në 40% të kostove të inputeve si fara, fidanë apo furnizime për serra.

“Sistemet e prodhimit në serra janë ato të cilat kanë edhe kosto më të larta të inputeve, pra edhe ato që ndikohen më shumë nga kjo rritje çmimi. Mbështetja jonë do të shkojë dhe te ndërtimi i serrave diellore, duke ndikuar ndjeshëm në shtimin e sipërfaqeve të reja.

Njëkohësisht do të vazhdojmë të mbështesim me naftë falas fermerët, për të ulur kostot e punimeve të mekanizuara në kulturat dhe në përdorimin më efektiv të tokës bujqësore dhe rritjen e sipërfaqes së kultivuar. Efekti i pritshëm është dyfishimi i numrit të përfituesve të vitit të kaluar, – deklaroi Krifca në Kuvend.

Por fermerët në zonën e Kutallisë në Berat thanë se fondet ende nuk po ndahen. Ata thanë se sërish fermerët e vegjël, të cilët punësojnë më shumë dhe kontribuojnë më shumë në eksport, nuk përfitojnë, pasi nuk plotësojnë kushtet me sipërfaqen për të përfituar karburant dhe nuk plotësojnë kushtet për të përfituar nga fondi i garancisë prej 1 miliard lekësh që ka krijuar qeveria.

Ndërkohë që sezoni i mbjelljeve ka kaluar, qeveria nuk ka shpërndarë subvencionin as për karburantin dhe as për serrat.


Prodhuesit me humbje, tregtarët me fitim

Teksa bizneset e serrave shkuan drejt rrënimit këtë sezon, ndërmarrjet e mëdha eksportuese rritën të ardhurat me ritme dyshifrore vitin e fundit dhe gjithashtu ishin me fitim, pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia. Operatori më i madh i tregut, “Doni Fruits” më 2020 realizoi mbi 1 miliard lekë shitje dhe një rritje 13.5% në krahasim me një vit më parë.

Kompania, e cila nuk ka një histori të gjatë në treg, është një investim nga më të mëdhenjtë në sektorin e grumbullimit dhe eksportit, i vetmi me kapacitete të mëdha frigoriferike që ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me fermerët dhe ka çuar eksportet shqiptare në nivel të ri organizimi.

Kompania tjetër e eksportit, “Tomato Al”, realizoi 824 milionë lekë shitje në vitin 2020, me rritje 24% nga viti i kaluar. Edhe pse në vit pandemik, operatorët kryesorë të eksportit ruajtën qëndrueshmërinë e shitjeve gjatë pandemisë, të ndihmuar nga përqendrimi i kërkesës rajonale dhe europiane te konsumi i produkteve ushqimore.

Në grupin e vendeve në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, qeveritë i ndihmojnë prodhuesit në bujqësi si hallka më e rëndësishme e zinxhirit ushqimor, edhe për shkak të vështirësisë dhe rreziqeve, me të cilat po përballet kultivimi nga ndryshimet klimatike që po shpeshtojnë thatësirat dhe përmbytjet.

Ministria e Bujqësisë, në vjeshtën e vitit 2021, i dorëzoi një kërkesë Ministrisë së Financave, me qëllim që në buxhetin e vitit 2022 t’i shtohen edhe 3 miliardë lekë shtesë (24 mln euro) për skemën kombëtare, që ka në themel kompensimin e fermerëve. Ministria e Bujqësisë kërkon që me këtë shtesë, të shtojë fondet për skemën kombëtare, në një total prej 4 miliardë lekësh, ose 32 milionë eurosh, duke tentuar të 4-fishojë fonde në këtë zë.

Kërkesa për subvencione po rritet vit pas viti, për shkak të organizimit dhe formalizmit më të lartë të fermerëve. Tani gjithnjë e më shumë fermerë i plotësojnë kushtet për subvencion, por qeveria ofron fonde të pakta në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe Europës.

Në vitin 2019, Kosova e mbështeti bujqësinë me 53 milionë euro nga buxheti i shtetit, Mali i Zi me 61 milionë euro, ndërsa Shqipëria me vetëm 6 milionë euro. Me këtë mbështetje, fermerët shqiptarë, jo vetëm nuk prodhojnë me çmime konkurruese, por shpesh përballen me humbje të mëdha, për shkak të kostove të larta që nuk kompensohen nga subvencionet./Monitor/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *