Burri me zemrën e derrit vdiq nga një virus e jo nga transplanti
Pacienti 57-vjeçar i cili mbijetoi vetëm dy muaj pas transplantit të zemrës së derrit, ka vdekur nga një virus i derrit, raportoi The Guardian të premten.
Në janar, David Bennett i cili vuante nga një sëmundje e zemrës iu nënshtrua operacionit historik ku mjekët ia transplantuan zemrën e derrit.
Pak pas operacionit, Bennetti vdiq në mars. Spitali i Marylandit tha se gjendja e tij ishte vështirësuar, por nuk dha detaje të tjera.
Kurse, kirurgu Bartley Griffith zbuloi se zemra e derrit ishte e infektuar nga një virus i derrit i njohur si “cytomegalovirus”, që mund të ketë kontribuar në vdekjen e Bennettit.
“Po fillojmë të kuptojmë pse ai vdiq. Ndoshta virusi ishte shkaktar”, tha ai.
“Nëse ky ka qenë një virus, ka gjasa që në të ardhmen ta parandalojmë”, shtoi Griffith.
Sfida më e madh e transplantit të organeve nga kafshët te njerëzit është pranimi në sistemin imun të njeriut, pasi mund të sulmojë qelizat dhe të nxisë përgjigje që mund ta shkatërrojë organin e marrë në trup.
Pavarësisht shqetësimit se transplanti nga kafsha te njeriu mund të shkaktojë pandemi nëse një virus bartet në trupin e njeriut dhe përhapet te të tjerët, ekspertët besojnë se virusi specifik në zemrën e dhuruar të Bennettit nuk kishte mundësi të infektonte qelizat e njeriut.
Në ditën e 43-të të eksperimentit, mjekët zbuluan se Bennetti po merrte frymë me vështirësi dhe e kishte trupin të nxehtë. “Diçka i kishte ndodhur atij. Ai dukej se ishte infektuar”, tha Griffith, duke shtuar, “Ai humbi vëmendjen dhe nuk fliste me ne”.
Rruga Press