Ministrja e Jashmte, Donika Gërvalla të dielën takim në Izrael
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të dielën e tetë majit do të udhëtojë drejt Jerusalemit.
Vizitën të cilën e kishte paralajmëruar prej kohësh në Izrael, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do ta realizojë në fundjavë.
Të dielën e tetë majit, ajo do të udhëtojë drejt Jerusalemit, ka thënë për RTV Dukagjinin, shefi i kabinetit të MPJD-së, Sharr Jakupi.
“Ministrja do të ketë shumë takime, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, universitete dhe OJQ”, thuhet në përgjigjen e Jakupit.
Ministrja Gërvalla do të takohet edhe me homologun e saj, Yair Lapid.
Sipas përgjigjes zyrtare Gërvalla po ashtu do të nënshkruajë edhe marrëveshje të bashkëpunimit në Izrael.
Nuk dihet ende se kush tjetër nga kabineti qeveritar do ta shoqërojë Gërvallën në këtë takim.
Ndryshe, më pesë prill të këtij viti, Gërvalla, gjatë takimit me ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv, e ka mirëpritur forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.
Me anë të një postimi në Twitter, Gërvalla ka potencuar se Kosova dhe Izraeli ndajnë vlera dhe qëllime të përbashkëta.
“Ramë dakord që të punojmë ngushtë për një sërë çështjes. Mezi presim të forcojmë partneritetin dhe bashkëpunimin tonë”, ka shkruar Gërvalla.
Izraeli dhe Kosova kishin vendosur marrëdhënie diplomatike më një shkurt 2021, ndërsa Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, më 14 mars të po të njëjtit vit.
Hapja e kësaj ambasade rrjedh nga marrëveshja e katër shtatorit të vitit 2020 në Washington.
Rruga Press