KryesoreOpinion/Aktualitet

Putini nuk është edhe aq në modë këto kohë; dhe Rama e ndjek shumë modën

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria shqiptare nuk ka një vendim në lidhje me kërkesën e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për ndalimin e hyrjes së turistëve rusë në vend.

Kjo sipas tij, për shkak se vendimet e Shqipërisë janë të linjëzuara me ato të Bashkimit Evropian.

“Vendimet tona janë të linjëzuara me vendimet e Bashkimin Evropian. Nuk ka një vendim të linjëzuar të Bashkimit Evropian dhe për sa kohë nuk ka një vendim, ne jemi duke vazhduar me të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Në rast se do të ketë një vendim të linjëzuar, ne do të linjëzohemi me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Ky qëndrim i z. Rama e shpreh qartë se ai dhe qeveria e tij nuk e ka dhe aq përzemër çështjen e ndëshkimit të pushtimit rus, por shqetësohet vetëm që “ta mbajë mirë me BE-në”.

Deri tani, linja e Perëndimit ndaj Rusisë ka qenë që të sanksionojë maksimalisht këtë të fundit, deri aty ku e lejojnë kushtet që -me apo pa të drejtë- konsiderohen objektive.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Me këtë që tha kryeministri Rama, ai bie ndesh pikërisht me atë që e quan “linjëzim me Bashkimin Evropian. BE-ja i ka vendosur sanksione Rusisë jo sepse ia kërkon dikush, jo sepse duhet të linjëzohet me dikë, por sepse është e drejtë dhe e domosdoshme. Dhe fakti që nafta ruse nuk është sanksionuar akoma nuk është ngaqë kjo gjë nuk do ishte në kuadër të “linjëzimit”, por sepse për momentin duket objektivisht e vështirë, me rreziqe të larta. Në këtë mënyrë BE-ja po konsideron embargon gradual ndaj naftës ruse, në muajt e ardhshëm, në mënyrë që të evitohen këto rreziqe. Kjo është linja e BE-së dhe Perëndimit në përgjithësi.

Por cila është linja e kryeministrit Rama? Cilët janë rreziqet që i kanosen Shqipërisë nëse turistëve rusë u ndalohet hyrja?

Nuk ka asgjë objektive që e ndalon kryeministrin Rama të përmbushë kërkesën e presidentit ukrainas, Zelenski. Pengesa e vetme është se kryeministri Rama nuk e ka me tërë mend, por si në shumë raste të tjerë, ai zgjedh të performojë në mënyrë pompoze në raport të zhdrejtë me aktet që ndërmerr. Pompoziteti është në performancën mediatike të kryeministrit, por jo në substancialitet dhe veprimin e duhur politik.

Lexo më shumë  DOSJA/ Gjyqtarja Pajtime Fetahu kërkoi nga bandat të goditej gazetari Saimir Kodra pasi ai ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin

Pranimi i turistëve rusë nga ana e Ramës është treguesi se ky nuk e ka vullnetin që e ka Perëndimi kur vjen fjala te Ukraina dhe pushtimi rus, por ka vetëm sikletin që të “kontribuojë” vetëm aq sa i kërkojnë të tjerët, por as një grimcë më tepër, në mënyrë që të duket se është një kundërshtar i autoritarizmit putinist, në ndërkohë që ka lidhje të forta me miqtë e “Hitlerit të Rusisë, të llojit të Vuçiqit, Orbanit dhe Erdoganit.

Putini nuk është edhe aq në modë këto kohë; dhe Rama e ndjek shumë modën.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *