Çmimet varfërojnë familjet, 6200 lekë më shumë në muaj vetëm për ushqime
Një familjeje shqiptare i duhen më shumë para për të përballuar jetesën. Të dhënat e INSTAT për vitin 2020 tregonin se një familje shpenzonte mesatarisht 83 475 lekë në muaj, ndërsa me rritjen e çmimeve tashmë nevojiten plot 90 904 lekë.
Rritja më drastike shihet tek ushqimet dhe prek veçanërisht ata që kanë më pak të ardhura dhe ku kjo kategori zë mbi 50% të buxhetit të tyre.
Në mesatare, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë me çmimet e muajit Mars 40 891 lekë, nga 34 713 lekë, apo gati 6 200 lekë më shumë. Në nënkategoritë e grupit të ushqimeve, rritja më e madhe i takon grupit të perimeve, ndjekur nga frutat, mishi dhe në fund qumështi, bulmetet dhe vezët.
Por këto shifra nuk reflektojnë çmimet e rritura së fundmi gjatë Prillit, ku veçanërisht vaji, vezët dhe qumështi u prekën nga shtrenjtime të reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e familjeve shqiptare raportojnë një rënie të aftësisë së tyre paguese dhe presin vetëm përkeqësim në të ardhmen.
Të dhënat e fundit që vijnë nga Eurozona ndërkohë tregojnë për një stabilizim të rritjes së çmimeve, ku inflacioni në Prill shënoi 7,5%, nga 7,4% në muajin mars. Kjo nënkupton se çmimet me shumë gjasa nuk do të rriten përtej niveleve aktuale, por as nuk pritet të bien.
Shqiptarët presin si zgjidhje të krizës vetëm rritjen e pagave, e cila aktualisht po pengohet nga rritja e kostove të prodhimit prej energjisë elektrike dhe lëndëve të para. Deri në rritjen e të ardhurave të tyre, qytetarët po detyrohet të kursejnë tek çdo gjë që nuk përfshihet në shpenzimet bazë, duke sinjalizuar një rënie të konsumit.
Rruga Press