Finlanda pritet të vendosë për anëtarësimin në NATO më 12 maj
Finlanda do të vendosë rreth aplikimit për anëtarësim në NATO më 12 maj, raportoi të hënën gazeta finlandeze “Iltalehti”, duke cituar burimet e saj qeveritare.
Vendimi pritet të merret me dy hapa: fillimisht, presidenti finlandez, Sauli Niinisto, do të njoftojë se ka dhënë miratimin, ndërsa grupet parlamentare do ta japin miratimin pas tij.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë këto detaje të dhëna nga gazeta “Iltalehti”.
Debati në Finlandë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s ka nisur qëkur Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Debat i ngjashëm është duke u bërë edhe në Suedi.
Të dyja këto vende janë ushtarakisht neutrale tash e sa dekada.
Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, ndërsa Suedia nuk ka kufi direkt me shtetin rus.
Rusia ka paralajmëruar pasoja për NATO-n nëse lejon anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se zgjerimi i NATO-s nuk do të sillte më shumë stabilitet në Evropë, ndërsa Dmitry Medvedev, anëtar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, ka thënë se nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, Moska do të detyrohet të forcojë mbrojtjen e saj në Baltik, duke vendosur edhe armë bërthamore. /REL
Rruga Press