KryesoreLajme

Kryeministri Kurti priti në takim grupin prej 50 ndërmarrësish nga Gjermania

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministren e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i kanë takuar dhe kanë bashkëbiseduar me grupin prej 50 ndërmarrësish të rinj nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Kryeministri Kurti u shprehu mirëseardhje dhe i njoftoi ata për indikatorët pozitivë ekonomikë, që t’i sigurojë që ia vlen të investojnë në Kosovë, dhe se investimi dhe biznesi i tyre, edhe do të këtë sukses edhe do të jetë i qëndrueshëm.

Këta indikatorë pozitiv rrjedhin nga rrethana të ndryshme, por sidomos nga një ambient miqësor për bizneset, i cili është krijuar tashmë në Kosovë, pastaj si rrjedhim i një popullate e cila është mesatarisht shumë e re krahasuar me vendet tjera në rajon, e sidomos me Evropën, tha kryeministri.

Duke theksuar rëndësinë që ka sundimi i ligjit dhe stabiliteti institucional e politik për investuesit potencialë, ai tha se stabiliteti në Kosovë është si kurrë më parë, sepse me një Qeveri që ka shumicën parlamentare bëhen të mundura reformat në drejtësi dhe në ekonomi.

Edhe në fusha të tjera të rëndësishme po ecim përpara, si për shembull krijimi i Gjykatës Komerciale – për të menaxhuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme mosmarrëveshjet eventuale të biznesit, dhe për të parandaluar korrupsionin, tha kryeministri Kurti.

Ai u foli afaristëve gjermanë për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – një projekt gjermano-kosovar, që për Qeverinë ka rëndësi të veçantë. Prandaj këtë vit Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do ta mbështesë sërish me 3 milionë euro, e që, siç tha kryeministri, padyshim se do të ndikojë në fuqizimin e ekosistemit inovativ.

Më pas, kryeministri dhe dy ministret iu përgjigjën pyetjeve dhe interesimeve konkrete të ndërmarrësve familjarë të rinj gjermanë për mundësitë dhe kushtet për investime në Kosovë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëmëngjesi të gjithëve,

E nderuara znj. Sarna Röser,

I nderuari Ambasador Ajeti,

I nderuari Konsull Miftaraj,

I nderuari Zëvendësambasador Voss,

Të nderuar pjesëtarë të delegacionit të ndërmarrëseve familjarë të rinj,

Kam kënaqësinë e veçantë të ju mirëpres në këtë mëngjes për një diskutim të hapur, se bashku me ministrat e kabinetit tim. Me mua janë ministrja për Ekonomi, znj.Artane Rizvanolli dhe ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, znj.Rozeta Hajdari.

Më vjen keq, por edhe më vjen mirë, që nuk mund të takohemi në zyrën time në ndërtesën e Qeverisë, sepse jeni një delegacion shumë i madh, ashtu siç jeni edhe shumë të rëndësishëm. Por, që është edhe më interesante, jeni grup tejet i larmishëm dhe kjo është arsyeja pse mezi pres që të dëgjoj se si i keni kaluar dy ditët e fundit në Kosovë, çfarë përvojash keni pasur dhe çfarë përshtypjesh keni krijuar për Kosovën.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Kam dëgjuar që për shumicën prej jush kjo është hera e parë që jeni në Kosovë – kështu që shpresoj që jeni të befasuar për të mirën që ofron Kosova, dhe keni pasur mundësi të vizitoni vende të ndryshme. E di që në agjendën tuaj keni pasur vizita në disa Start Up-e, në shkolla të kodimit, si dhe që keni vizituar kompani gjermane këtu në Prishtinë, sikurse ajo “Celonis”.

Shpresoj të jeni frymëzuar të investoni në Kosovë dhe ta konsideroni Kosovën si vend për investimin e juaj të radhës. Për më tepër, sot gjatë vizitës në ITP do të takoheni edhe me disa biznese – Start Up-e të tjera për të cilat është kujdesur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ju që dëshironi të investoni jashtë Gjermanisë, e di që duhet pasur parasysh shumë faktorë.

Së pari dua t’u tregoj për indikatorët pozitivë ekonomikë, për t’ju siguruar që ia vlen të investoni në Kosovë, dhe se investimi i juaj dhe biznesi juaj, edhe do të këtë sukses edhe do të jetë i qëndrueshëm.

Krahasuar me vitin 2020 kemi zyrtarizuar mbi dhjetë mijë vende pune dhe janë hapur mbi 25 mijë vende të reja pune. Rritja jonë ekonomike sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka qenë 10.53% të Bruto Produktit Vendor.

Gjatë vitit të kaluar eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë arritur vlerën prej rreth 2.7 miliardë euro, e kjo është një rritje prej mbi 83% krahasuar me vitin 2020.

Gjatë këtij viti, vlera e mallrave të eksportuara është rritur për gati 62%, krahas rritjes së sasisë së mallrave të eksportuara me mbi 88%; kurse krahasuar me vitin 2019, që ishte vit para pandemisë, eksportet janë rritur me 104%.

Kjo do të thotë se krahasuar me vitin 2020, kemi pasur edhe një rritje të Investimeve të Huaja Direkte, e cila në vitin 2021 ishte rritje prej 22%, kurse rritja e investimeve kapitale në vitin 2021, krahasuar me vitin para atij, pra 2020, ishte 10.3%.

Lexo më shumë  DOSJA/ Gjyqtarja Pajtime Fetahu kërkoi nga bandat të goditej gazetari Saimir Kodra pasi ai ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin

Këta indikatorë pozitiv rrjedhin nga rrethana të ndryshme, por sidomos nga një ambient miqësor për bizneset, i cili është krijuar tashmë në Kosovë, pastaj si rrjedhim i një popullate e cila është mesatarisht shumë e re krahasuar me vendet tjera në rajon, e sidomos me Evropën. Dhe kjo popullsi e re e ka edhe shpirtin ndërmarrës, por gjithashtu edhe talentin që duhet çliruar.

Duhet ta bëjmë një studim, por jam goxha i sigurt që nuk ka vend në rajon që proporcionalisht flitet më shumë gjuha gjermane sesa këtu në Kosovë. Mos të flasim pastaj për gjuhën angleze.

Përveç ngjashmërisë kulturore, e di që për ju si investitorë potencialë, sidomos sundimi i ligjit dhe stabiliteti institucional dhe politik luajnë rol të madh. Në këtë drejtim dua të theksoj që tani kemi arritur stabilitet në Kosovë si kurrë më parë: Qeveria jonë ka një shumicë parlamentare që bën të mundur reformat në drejtësi dhe ekonomi.

Edhe në fusha të tjera të rëndësishme po ecim përpara, si për shembull krijimi i Gjykatës Komerciale – për të menaxhuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme mosmarrëveshjet eventuale të biznesit, dhe për të parandaluar korrupsionin.

Andaj si rezultat i qeverisjes së mirë, Kosova u rendit vendi i parë në Ballkanin Perëndimor, në indeksin “World Justice Project” për vitin 2021, si dhe u ngrit për 17 vende në Indeksin e “Transparency International”. Kjo tregon se jo vetëm synimet tona kundër korrupsionit janë evidente, por njashtu edhe suksesi ynë në këtë drejtim.

Të hyrat tatimore në vitin e kaluar janë rritur për 34 për qind, pa e ndryshuar politikën fiskale. Kjo për shkak se kur njerëzit janë optimistë dhe kanë shpresë, më parë shpenzojnë sesa që kursejnë, dhe njëkohësisht kur e shohin që qeveria është e pakorruptuar janë më të gatshëm që të paguajnë tatime dhe të kontribuojnë për shtetin.

Në agjendën tuaj, pas takimit tonë, do të vizitoni Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – një projekt gjermano-kosovar, i cili për ne si Qeveri ka rëndësi të veçantë. Andaj përsëri këtë vit do ta mbështesim me 3 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e që padyshim do të ndikojë në fuqizimin e ekosistemit inovativ.

Ju uroj një ditë të bukur në Prizren dhe pastaj një degustim të këndshëm në Rahovec.

Ju faleminderit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *