“Kemi rrëzuar një avion rus”, Ukraina: Zmbrapsëm 14 sulme në rajonet Donetsk dhe Luhansk
Ukraina thotë se forcat e saj vazhdojnë t’i rezistojnë sulmeve ruse në disa fronte, pavarësisht dëshmive se njësi të tjera ruse po kalojnë kufirin, ndërsa pretendon gjithashtu se artileria ruse ka shënjestruar fshatrat afër kufirit në cepin verilindor të vendit, një zonë që ka parë pak aktivitet për disa javë.
Vlerësimi, i cili erdhi nga buletini i fundit i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, thoshte se rusët vazhduan të forcojnë praninë e tyre në zonën Izium në lindje të Ukrainës, duke sjellë njësi me bazë në Lindjen e Largët të Rusisë.
Ai tha se përpjekjet e fundit të forcave ruse për të depërtuar në zonën e Iziumit kishin hasur në rezistencën ukrainase, por ato vazhduan të bënin një ofensivë drejt qytetit të Lyman – një qendër e rëndësishme hekurudhore, e cila u godit të premten nga artileria ruse.
Shtabi i Përgjithshëm tha se kishte luftime të ashpra edhe rreth Rubizhne dhe Popasna, dy qytete që rusët janë përpjekur t’i marrin për disa javë.
Shtabi pretendoi se një avion rus ishte rrëzuar.
Shtabi i Përgjithshëm tha gjithashtu se njësitë ruse kishin shënjestruar pozicionet ukrainase në katër fshatra në rajonin Sumy në cepin verilindor të Ukrainës, një zonë që ka pasur pak aktivitet në javët e fundit.
Në total, katërmbëdhjetë sulme të armikut u zmbrapsën në rajonet Donetsk dhe Luhansk gjatë 24 orëve të fundit, tha ushtria ukrainase.
Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se dy shkolla dhe 20 shtëpi u shkatërruan të premten, teksa rusët vazhduan sulmet e tyre në Rubizhne dhe Popasna. Ai tha se rusët kishin nisur 16 sulme masive artilerie gjatë ditës së kaluar, me Hirske dhe Orikhovo në mesin e objektivave. Të dy janë qytete afër vijës së frontit që kanë pësuar dëme të mëdha këtë muaj.
Hayday tha se 31 persona ishin evakuuar nga Popasna, por dy autobusë evakuimi ishin qëlluar dhe që atëherë nuk kishte asnjë kontakt me njerëzit në automjete.
Mykola Khanatov, kreu i Administratës Ushtarake-Civile të qytetit Popasna, tha se shoferët ishin vullnetarë.
“Kam shumë frikë se do t’i humbim këta njerëz”, tha ai.
Në frontin jugor, Mykola Lukashuk, kreu i këshillit rajonal të Dnipropetrovsk, tha se rusët kishin hapur zjarr në periferi të një fshati të kontestuar pranë Kryvyi Rih. Nuk ka pasur viktima, tha ai.
Rruga Press