Biden në mëdyshje nëse do të marrë pjesë në samitin e G20-s, pas konfirmimit të Putinit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe këshilltarët e tij janë ende duke diskutuar rreth asaj se si t’i qasen samitit të G20-s, që do të mbahet në nëntor, pasi presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi pjesëmarrjen të premten, shkruan CNN.
Bideni ka thënë se Rusia duhet të përjashtohet nga G20-a. Anëtarë të lartë të administratës së tij janë larguar nga ngjarjet e G20-s ku janë të pranishëm delegatë rusë. Dhe pati diskutime me Indonezinë, e cila është nikoqire e samitit, për rritjen e dënimit ndaj Rusisë dhe se si t’i qasen kësaj situate të vështirë.
Por nuk është marrë asnjë vendim për bojkotimin e samitit të liderëve, i cili do të mbahet pas gjashtë muajve. Zyrtarët amerikanë po peshojnë anët negative nëse do ta refuzonin pjesëmarrjen në ngjarje, duke i lënë tryezën Rusisë dhe Kinës.
“Presidenti ka qenë i qartë në lidhje me pikëpamjen e tij. Kjo mbledhje e samitit nuk do të jetë si zakonisht dhe se Rusia nuk duhet të jetë pjesë e kësaj. Por, përsëri, ka edhe gjashtë muaj kohë”, ka thënë sekretarja e shtypit Jen Psaki.
Shtëpia e Bardhë beson se G20-a nuk do ta largojë tërësisht Rusinë nga radhët e saj, pasi vendimi kërkon konsensus dhe Kina ka qenë e qartë se nuk e mbështet një lëvizje të tillë. Kjo e bën këtë një skenar të ndryshëm nga ai kur Rusia u përjashtua nga G8-a pas aneksimit të Krimesë.
Kjo situatë krijon një samit potencialisht të komplikuar në ishullin indonezian Bali, i cili është planifikuar të nisë në fillim të nëntorit. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë menduar një sërë skenarësh të ndryshëm, duke përfshirë dërgimin e mundshëm të një delegacioni të nivelit më të ulët ose pjesëmarrjen në distancë. Por pjesëmarrja personalisht e Bidenit ende konsiderohet si më e mundshme, edhe nëse Putini merr pjesë.
Rruga Press