KryesoreOpinion/Aktualitet

Korridori i pushtimit rus drejt Ballkanit, si faza e tretë e operacionit ushtarak (një çelës ua ka dhënë Tirana)

Nga Shaban Murati

Ndryshe nga politikanët, gazetarët dhe diplomatët, të cilët i lejojnë vetes bllofin në qendrimet publike për shkak të profesionit, gjeneralët e ushtrisë nuk mund t’ia lejojnë vetes këtë luks dhe flasin gjithmonë për atë, që u është ngarkuar nga udhëheqja politike.

Ndaj duket e habitëshme se si në disa qarqe politike dhe diplomatike europiane vazhdojnë debatin nëse përfaqëson vijën zyrtare të Kremlinit deklarata bombë e gjeneralit rus Rustam Minekajev, i cili në datën 22 prill parashtroi në një mbledhje pune detyrat e fazës së dytë të “operacionit ushtarak” rus në Ukrainë, siç e ka emërtuar Moska agresionin e saj të tanishëm në shtetin fqinj të një race, gjuhe dhe feje.

Agjencia zyrtare ruse e lajmeve “TASS”, njoftonte në 22 prill se gjenerali Minekajev, zëvendëskomandant i distriktit qendror ushtarak të Rusisë, bëri të ditur se “një nga detyrat e fazës së dytë të operacionit ushtarak rus në Ukrainë është vendosja e kontrollit të plotë në Donbas dhe në Jugun e Ukrainës, dhe krijimi i një korridori tokësor në Krime dhe gjithashtu i një dalje në Transnistria”. Faza e dytë e ndërhyrjes ushtarake ruse me këto detyra nisi në 20 prill.

Detyrat e forcave ushtarake ruse për fazën e dytë të invazionit rus në Ukrainë përbëjnë hallka të një plani ambicioz të Kremlinit për ndryshim kirurgjikal gjeopolitik dhe gjeostrategjik në kontinentin europian.

Së pari, kemi elementin e rëndësishëm të pushtimit ushtarak rus të të gjithë bregdetit jugor të Ukrainës nga deti Azov deri në detin e Zi, për shndrrimin e Ukrainës në një shtet pa det. Nëse shihet harta e operacioneve të deritanishme ushtarake konstatohet se praktikisht Rusia deri tani e ka privuar Ukrainën nga deti Azov, të cilin agresioni rus e ka kthyer në një liqen të mbyllur rus, duke krijuar korridorin tokësor të Rusisë me Krimenë, lidhje që deri tani bëhej vetëm me urën, që ndërtoi Moska pas aneksimit të Krimesë.

Së dyti, kemi elementin tjetër të rëndësishëm të detyrës së pushtimit rus të të gjithë bregdetit ukrainas në detin e Zi dhe krijimin e një korridori tokësor me dalje direkte në Transnistria, territori i së cilës planifikohet të bashkohet me territorin e pushtuar rus të jugut të Ukrainës. Transnistria është pjesë e shkëputur nga shteti i Moldavisë në vitin 1992, që kontrollohet defacto nga Moska pa qenë në kufi me Rusinë, por që tani faza e dytë e operacionit ushtarak rus ka detyrën ta lidhë direkt me territorin e pushtuar rus në Ukrainë.

Korridorit të ri tokësor të lidhjes së Jugut të Ukrainës të pushtuar nga Rusia me “republikën” kukull ruse të Transnistrias i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë, sepse jep sinjalin e madh të shkallëzimit të agresionit ushtarak rus dhe të ambicjes ruse për influencë dhe aneksim drejt jugut të Europës.

Nuk është rastësi që mediat ruse po flasin qysh tani edhe për një fazë të tretë të operacionit ushtarak rus, por pa zbuluar geografinë e goditjes së ardhshme të Kremlinit. Është naive të mendohet se Moska do të kufizohet vetëm te Transnistria, të cilën ajo defacto e kontrollon qysh në vitin 1992 dhe ku ka të dislokuara rreth 1500-2000 forca ushtarake ruse.

Realizimi i detyrave ushtarake të fazës së dytë të agresionit rus në Ukrainë, të cilat i njoftoi gjenerali rus në 22 prill, pritet të kenë pasoja të rënda negative në drejtim të gadishullit të Ballkanit. Korridori i ri tokësor i pushtimit rus të Transnistrias dhe pastaj të Moldavisë drejtimin e shigjetave në hartat e shtabeve politike dhe ushtarake ruse e ka drej Ballkanit.

Është tepër e habitshme të konstatosh që në shtetet ballkanike, përfshirë Shqipërinë, kaloi pa ndonjë shqetësim dhe as ndonjë jehonë detyra e re strategjike ushtarake ruse për të pushtuar gjithë bregdetin ukrainas të detit të Zi dhe për të hyrë në Transnistria. Mirëpo ndryshimi i hartës politike shtetërore të Ukrainës me pushtimin rus dhe me aneksimin e gjithë Jugut të saj bregdetar e sjell rrezikun rus në portat e Ballkanit.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Rreziku i parë direkt për Ballkanin është se duke pushtuar dhe aneksuar Jugun e Ukrainës Rusia bëhet shtet kufitar me Rumaninë, pra me një shtet ballkanik anëtar të NATO-s. Pra Rusia bëhet shtet kufitar me Ballkanin dhe kjo në mëyrë automatike e sjell kërcënimin dhe rrezikun rus për gjithë shtetet e NATO-s në rajon, si dhe për gjithë aleancën atlantike.

Gazeta proqeveritare ruse “Pravda” në datën 22 prill, duke analizuar detyrat e fazës së dytë të ndërhyrjes ushtarake ruse të paraqitura nga gjenerali rus, theksonte: “Ka një moment shumë të rëndësishëm në detyrat. Realizimi i planit lejon që të vendoset kontrolli mbi bazat e NATO-s në Rumani dhe në Bullgari nëpërmjet mjeteve të zbulimit radioeletronik”.

Gazeta “Pravda” zbulon edhe një detyrë tjetër të fazës së dytë, dhe flet për “synimin për të marrë nën kontroll derdhjen e lumit Danub, lumi kryesor i Europës Perëndimore”. Derdhja e lumit Danub në detin e Zi ndahet aktualisht midis Rumanisë dhe Ukrainës.

Rreziku i dytë direkt ësht se plani strategjik i Kremlinit është shkallëzimi që, pas krijimit të korridorit tokësor rus me Transnistrian, të zbatohet në Moldavi skenari ukrainas. Kjo do të thotë, që ashtu siç u përdorën si pretekst “republikat” separatiste të Donjeckut dhe Luganskut për të nisur pushtimin e Ukrainës në 24 shkurt 2022, ashtu planifikohet të përdoret edhe ”republika” separatiste e Transnistrias për të pushtuar Moldavinë.

Deputeti i Dumës ruse nga partia e Putinit, Viktor Vodollackij, deklaroi në 25 prill se “Transnistria janë qytetarët tanë dhe ata duan atë, që dëshirojnë Donjecku dhe Lugansku, që të bashkohen me Rusinë”.

Moska në përgatitjet për ndërhyrjen e pritëshme ushtarake po përdor për Moldavinë të njejtat skema propagandistike, që përdori për Ukrainën. Gjenerali rus, që njoftoi hapjen nga ushtria ruse të korridorit tokësor me Transnistrian, akuzoi autoritetet e Moldavisë se po shtypin qytetarët rusë. Propaganda zyrtare ruse ka nisur një valë të re sulmesh ndaj Moldavisë se ajo po përbëka një kërcënim për Rusinë, se siç shkruante në 25 prill portali proqeveritar rus “eadaily.ru” : “Moldavia neutrale filloi të bashkohet me sanksionet antiruse të perëndimit sipas shembullit të Kievit, po ndjek nacionalizmin dhe neofashizmin dhe rusofobinë”.

Me një fjalë po krijohet struktura politike dhe propagandistike e një ndërhyrje ushtarake ruse në Moldavi. Nuk duhet harruar se Moldavia si shtet i vogël me më pak se tre milion banorë dhe më i varfri në Europë, përbën një kafshatë të lehtë për forcat ushtarake dhe një fitore e lehtë, që u duhet edhe forcave ruse, por edhe presidentit Putin, i cili është i obsesionuar nga ëndrra imperiale e zmadhimit të Rusisë në formën e dikurshme të Bashkimit Sovjetik, duke pushtuar territoret e ish-republikave sovjetike.

Fatkeqësia politike dhe gjeopolitike është se një pushtim rus i Transnistria dhe i Moldavisë nuk është vetëm rimarrje e një republike ish-sovjetike, por është edhe pushtim i një “shteti ballkanik”. Sado paradoksale që të tingëllojë, është e vërtetë dhe produkt i një vendimi të vetë shteteve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë tonë mendjelehtë, që e njohën dhe e pranuan në vitin 2006 Moldavinë si anëtare e të vetmes organizatë shtetërore rajonale ballkanike me emrin SEECP, Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore.

Kështu që Rusia, duke futur forcat e saj ushtarake në Transnistër dhe në Moldavi, realizon një prani ushtatarake të saj në Ballkan, dhe fiton një vend dhe një rol direkt diplomatik dhe politik në SEECP dhe në sofrën ballkanike të influencës.

Pra, korridoret tokësore, që po hap ushtria ruse, shtrojnë rrugën ruse për në Ballkan. Ajo, që përbën një skandal diplomatik dhe shtetëror në këtë çeshtje, është e vërteta e hidhur se ka qenë Shqipëria ajo që i dha çelsin Moldavisë sovjetike të bëhet shtet ballkanik dhe të pranohej në SEECP. Pa votën e Shqipërisë nuk mund të mendohej se Moldavia do të merrte statusin zyrtar të shtetit ballkanik.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Dhe natyrisht nga Moldavia çelsi i saj ballkanik i kalon Rusisë, në eventualitetin e një ndërhyrje ushtarake ruse në atë shtet, pas korridorit tokësor rus me Transnistrian. Shqipëria mund të konsiderohet fajtore, që i dha çelsin ballkanik një shteti sovjetik, sepse Tirana iu nënshtrua presionit diplomatik të Rusisë dhe të Rumanisë, të cilat për interesat e tyre individuale, u bashkuan në fushatën për anëtarësimin e Moldavisë në SEECP ballkanike.

Ka dy momente uluritëse të absurditetit diplomatik në vendimin e qeverisë së Shqipërisë në vitin 2006 për t’i dhënë votën e saj pranimit të Moldavisë në SEECP.

Momenti i parë është fakti që Moldavia nuk ka asnjë lidhje me Ballkanin dhe është një shtet ish-republikë sovjetike, në territorin e së cilës kishte forca ushtarake ruse dhe kishte një krahinë separatiste, që kishte krijuar qysh në vitin 1992 një “republikë” të pavarur brenda territorit të shtetit.

Momenti i dytë është i karakterit kombëtar që Shqipëria pranon kërkesën e diplomacisë ruse dhe asaj rumune për të futur Moldavinë në SEECP, pa u kërkuar asgjë në shkëmbim të dy shteteve. Ishte viti 2006 i nisjes së bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës.

Rusia e Rumania ishin dy shtete, që nuk pranonin pavarësinë e Kosovës, dhe Tirana ua jepte votën falas, pa kërkuar asgjë për Kosoven. Përveç kësaj, Shqipëria fuste në SEECP një shtet si Moldavia, që nuk e njihte pavarësinë e Kosovës dhe e cila i hapi shtetit të Kosovës njëmijë e një probleme gjatë veprimtarisë së SEECP.

Diplomacia dhe qeveria e shqiptare duhet të kishin kuptuar kaq gjë nga gjeopolitika se hapi i Rusisë për futur Moldavinë në SEECP ballkanike kishte interesin afatgjatë strategjik rus për Ballkanin. Rusia nuk kufizohet vetë me asnjë shtet të Balkanit, por duke marrë Moldavinë ajo bëhet jo vetëm shtet kufitar, por edhe aktor dhe pjesë e Ballkanit, nëpërmjet anëtarësimit moldavian në SEECP.

Në planin strategjik doktrina kombëtare ruse e mbrojtjes e konsideron Moldavinë si portë hyrëse e Rusisë në Ballkan. Gjenerali rus A.Lebed, ish-komandant i korparmatës ruse nr.14, që ka qenë e dislokuar në Moldavi, e përkufizon rajonin e Transnistrias, ku janë dislokuar forcat ushtarake ruse, si “çelsi i Ballkanit”. Ish-presidenti i Moldavisë, Vladimir Voronin, ka deklaruar lidhur me forcat ushtarake ruse në territorin moldavian: “Këta ushtarë po zgjidhin detyra globale strategjike të Rusisë në Ballkan”.

Në librin tim “Rusia Ballkanike“ kam shtruar në vitin 2009 çeshtjen se “nuk është shpjeguar kurrë zyrtarisht pse vendet e SEECP, duke përfshirë edhe Shqipërinë, e votuan kaq lehtësisht dhe pa u menduar shumë të pranonin në një organizatë rajonale ballkanike një shtet si Moldavia, i cili nuk ka asnjë lidhje dhe asgjë të përbashkët me Ballkanin”. (2014, fq.73).

Mendjelehtësia shtetërore ballkanike nuk mendoi se gjeopolitika e Rusisë i lëviz hapësirat sipas aspiratave të saj globale afatgjata. Dhe Ballkani përbën një interes të veçantë të Rusisë, siç e ka theksuar gjithnjë presidenti Putin që nga viti 2007. Rusia po nxiton të krijojë me shpatë korridoret tokësore, që strategjikisht zbresin drejt jugut të kontinentit, drejt detrave, drejt Ballkanit.

Nëse Rusia po avancon në këtë korridor ushtarak, që po sjell rrezikun të kufijtë dhe te portat ballkanike, Tirana ka mëkatin që i dha edhe ajo në vitin 2006 çelsin këtij depërtimi rus.

Tani Moldavia si shtet sovjetik dhe si shtet ballkanik po shkon sipas planit rus te roli në funksion të detyrave globake strategjike të Rusisë në Ballkan. Mos harroni që Shqipëria i dha në vitin 2005 votën edhe pranimit të Rusisë si shtet vëzhgues në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, gjithmonë pa i kërkuar asgjë në shkëmbim, ndonëse Kosova ishte në rendin e ditës të diplomacisë ndërkombëtare.

Ndaj ata që drejtojnë diplomacitë dhe qeveritë nuk është nevoja të jenë profetë, por thjeshtë duhet të jenë largpamës. /Gazeta Dita/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *