Lajçak: Agresioni rus e ka bërë zgjerimin sërish çështje politike. Ukraina në BE para Ballkanit Perëndimor
I dërguari i BE-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se lufta në Ukrainë ka ndryshuar mënyrën e të menduarit të BE-së sa i përket zgjerimit në aspektin pozitiv, sepse agresioni rus në Ukrainë sipas tij, e ka bërë zgjerimin sërish çështje politike.
Në Forumin BE-ja dhe Ballkani, Lajçaku ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë me BE-në në këtë kohë të vështirë.
“Kjo do të thotë se ka ndjenjë të urgjencës, dhe ndjenjën e një procesi të papërfunduar. Gjithmonë ka një por. Në këtë kohë, BE-ja nuk ka kapacitete të ballafaqohet me më shumë probleme, sepse gjithçka tjetër është në Ukrainë”, u shpreh Lajçak.
Ai shpjegoi se BE-së i ka humbur durimi me problemet në Ballkanin Perëndimor.
“Presim që partnerët tanë në Ballkan të tregojnë se janë pjesë e zgjidhjes së problemeve, duke i zgjidhur vetë problemet ose duke na ndihmuar ne që t’i zgjidhim problemet e tyre”, u shpreh diplomati sllovak.
Ai shpjegoi se një muaj më parë ishte shumë optimist.
“Por tani guxoj të them se do të mund ta shikoni Ukrainën që të kërcejë para partnerëve në Ballkan, kur është fjala për integrimet evropiane”, tha Lajçak, të cilit drejtuesi i debatit i kërkoi sqarim se si mund të ndodhë kjo.
“Fatkeqësisht, nuk shoh shumë ndryshime kur vjen çështja tek retorika, ndërmjet partnerëve në rajon. Ata (vendet e Ballkanit Perëndimor) thonë të gjitha gjërat e duhura kur është çështja te Rusia dhe Ukraina, por kur shihni në rajon, konfrontimet në Bosnje e Hercegovinë, kur shikoni mungesën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, atëherë mendoj se rasti i Ukrainës nuk ishte thirrje e mjaftueshme për ta për t’u zgjuar”, tha Lajçaku duke relativizuar dallimet mes vendeve të përmenduara.
Sipas tij, durimi dhe toleranca e BE-së është ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe për këtë arsye vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve.
Rruga Press