KryesoreLajme

Gjashtë sulme brenda dy javësh ndaj Policisë së Kosovës në veri

Për të gjashtën herë me radhë brenda dy javësh janë sulmuar zyrtarët policorë në Kosovë. Kësaj here sulmi ka ndodhur në Zupç të Zubin-Potokut. Sipas Policisë së Kosovës, nga sulmi me armë zjarri, përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar. Për dallim nga sulmet e tjera, kësaj radhe sulmi është dënuar edhe nga Lista Serbe.

Paraditen e së martës rruga në Zupç të Zubin-Potokut ishte e bllokuar për lëvizjen, aty ku të martën u sulmua Policia e Kosovës.

Ndërkohë që zyrtarët policorë shpëtuan pa lëndime, sulmi me armë zjarri ka lënë gjurmë në makinën e tyre.

Rastin e konfirmoi Policia e Kosovës duke bërë të ditur se kanë shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë e qytetarëve.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare në fshatin Zupç të Zubin-Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga Stacioni Policor në Zubin-Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të lënduar. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Sulmi i mëngjesit të së martës në Zupç të Zubin-Potokut ndaj Policisë së Kosovës është i gjashti me radhë brenda dy javësh. Më 15 prill u bë e ditur se zyrtarët policorë janë sulmuar me kallashnikov e granate dore e qe ishte sulmi i katërt për tri ditë. Sulmet ndaj Policisë vazhduan edhe një ditë me pas, kur makina e zyrtarëve policorë në Sharpej të Jarinjës u sulmua me mjete shpërthyese. Deri më tani Policia e Kosovës nuk ka identifikuar ndonjë të dyshuar.

Veprimet hetimore për rastin në vendin e ngjarjes vazhduan deri në mesditën e së martës.

Pas disa orësh rruga u lirua për qarkullim e nga aty u larguan autoblindat e Policisë.

Sulmet e njëpasnjëshme ndaj policëve, sipas zëdhënësit Baki Kelani, kanë për qëllim krijimin e pasigurisë në veri të vendit.

“Referuar këtyre rasteve të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit, duke filluar nga data 13 prill e në kontinuitet deri më sot, tregon se ka indikacioni që situata të jetë më e brishtë apo të përkeqësohet në pjesën e veriut të vendit”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Për dallim nga sulmet e tjera, atë në Zubin Potok e dënoi edhe Lista Serbe. Nëpërmjet një njoftimi për media, kjo parti iu ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.

“Lista Serbe dënon incidentin që ndodhi herët në mëngjes në Komunën e Zubin- Potokut kur u dëmtua vetura e Policisë së Kosovës. Ky incident ka për qëllim destabilizimin e mundësive, por edhe përpjekjen për t’i paraqitur serbët si disa ngacmues, gjë që nuk përputhet me të vërtetën. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje. Që të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk ia do të mirën mirë popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sulmi në Zupç të Zubin Potokut është dënuar edhe nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Sipas tij, tensionet në veri nuk kanë lidhje me serbët.

OSBE-ja, ndërkaq, ka bërë thirrje për hetimin e sulmit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *