Lajme

Meta dekreton anëtarin e ri të Gjykatës së Lartë, kritikon sërish KLGJ-në për vonesat

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar anëtarin e 12 të Gjykatës së Lartë.

Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se Darjel Sina emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Njoftimi i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në datën 19 prill 2022, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Darjel Sina si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile.

Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, konstatoi se plotësimi i këtij vendi vakant është shpallur për aplikim që prej datës 11 shtator 2019, me vendimin nr. 172 të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Në përfundim të shqyrtimit të këtij propozimi, Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe përmes Dekretit nr. 13573, datë 26.4.2022, ka vendosur që:

· Zoti Darjel Sina të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur.

Me këtë emërim të ri, nga sot Gjykata e Lartë, bëhet me 12 (dymbëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 që kjo gjykatë duhet të ketë.

Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, ripërsërit me forcë rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.

Plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022) ç’ka tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm. Edhe pse Presidenti i Republikës, zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike ka kërkuar dhe ka bërë disa herë thirrje për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, sërisht faktet tregojnë se KLGJ dhe/apo institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces kanë vepruar jashtë këtij prioriteti.

Megjithatë, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale, si dhe duke  vlerësuar  të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së, për emërimin e zotit Darjel Sina, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë.

Rruga Press

Lexo më shumë  Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *