EditorialKryesore

Ç’është Parimi i Reciprocitetit në të Drejtën Ndërkombëtare

Nga Megi Mustafaraj

Reciprociteti është ndërthurje brenda ligjeve ndërkombëtare, që nënkupton se është një manifestim prej burimeve të ligjeve ndërkombëtare. Rëndësia e reciprocitetit në faza të ndryshme brenda ligjeve ndërkombëtare do të paraqitej duke përfshirë :


1) Rolin e reciprocitetit në burim të ligjeve ndërkombëtare, zhvillimin dhe krijimin e ligjeve ndërkombëtarë
2) Rolin e reciprocitetin në vetë ligjet ndërkombëtare dhe si këto ligje kërkojnë zbatim dhe bindje
3) Reciprociteti si një alternativë e mekanizmit përforcues
4) Reciprociteti si mjet për të rritur bashkëpunimin midis subjekteve ndërkombëtarisht

Krijmi i Kombeve të Bashkuara ka qenë një moment historik për bashkimin e vendeve në një kornizë ligjore ndërkombëtare. Themelimi i i Kombeve të Bashkuara ishte tepër i rëndësishëm, sepse aty ishte përpjkja për të ndjekur dhe vendosur kushtet për drejtësi ndërkombëtare, paqe dhe siguri, ndërkohë që promovohej respekti për obligimet ndërkombëtare dhe detyrat e vendosura nga ligjet ndërkombëtare.


Në ligjet ndërkombëtare, shtetet, të cilat janë subjekte kryesore të tij, formulojnë rregullat e veta dhe kanë autonominë të zgjedhin natyrën e obligimeve dhe detyrave të vendosura mbi ta. Duhet të theksohet se, pavarësisht të gjithave, shtetet që e kanë këtë privilegj janë shtetet me fuqi më të madhe.


Reciprociteti në ligjet ndërkombëtare do të përshkruhej si krijuesi i drejtpeshimit midis interesave dhe veprimeve të një shteti. Më saktë, krijon ekuilibër midis të drejtave, detyrave apo obligimeve të shteteve, ku shtetet në prespektivat e të drejtave, detyrave dhe obligimeve do të kishin drejtësi dhe do të respektonin njëri-tjetrin. Për më tëpër reciprociteti është mjet i fortë në shënjestrimin e sjelljes së shteteve duke i nxitur drejt pajtueshmërisë dhe mbajtjes larg veprimeve të gabuara.


Në parimin e reciprocitetit shtetet kanë më shumë mundësi të jenë më të kujdesshëm në ato të drejta që ata pretendojnë, duke marrë parasysh që edhe të tjerët duhet të kenë të njëjtat përfitime dhe avantazhe, kështu që rrjedhimisht do të përfitojnë vetëm të drejtat që ata janë të gatshëm t’i ndajnë me të tjerët, si të drejta të disponueshme universalisht.


Reciprociteti është në zemër të krijimit të rregullave dhe zbatimit të tyre, është vetë brenda tyre. Ai është edhe më i rëndësishëm kur nuk ka detyrime ligjore, por vetëm detyrime morale ose shoqërore. Duke pasur parasysh se detyrimet morale ose ato shoqërore ekzistojnë përpara krijimit të shumicës së detyrimeve ligjore, kjo do të thotë që reciprociteti është më i fortë në procesin e hartimit të ligjeve dhe merr një pozicion më të dobët pasi vendosen ligjet.


Megjithatë, aspektet morale dhe shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm në ndërveprimet ndërkombëtare dhe nuk duhet të anashkalohen.
Reciprociteti përcaktohet si parim ndërveprimi, i klasifikuar në pozitiv dhe negativ. I pari përfshin përgjigjen pozitive ndaj një veprimi pozitiv, si kthimi i një “mirësie me mirësi”, i një avantazhi me të njëjtin avantazh, apo në rast kompromisi, i një të mire të caktuar me një të mirë tjetër që edhe pse nuk është ndërkëmbim i të njëjtës gjë, është ndërkëmbim ku shkëmbehen të mira të ndryshme me të njëjtën vlerë apo me po atë rëndësi. Rasti i dytë, reciprociteti negativ, përfshin një reagim apo qëndrim negativ ndaj një veprimi apo qëndrimi negativ. Ky i dyti është më i shpeshtë në ato marrëdhënie që nuk ngrihen mbi sensin e bashkëpunimit, të paktën nga njëra palë.

Lexo më shumë  Në letrën drejtuar kreut të OKB-së, të rinjtë nga Serbia ekspozuan gënjeshtrat e regjimit të Vuçiqit dhe mbështetën rezolutën për Srebrenicën


Reciprociteti është shumë i zakonshëm dhe i dukshëm në nivel ndërkombëtar dhe kjo mund të shihet në negociatat politike dhe ekonomike, si dhe ato negociata që çojnë në formulimin e traktateve ndërkombëtare. Marrëdhëniet juridike, politike dhe ekonomike midis shteteve ndikohen fuqimisht prej reciprocitetit.


Shkëmbimi i të mirave dhe favoreve apo shkëmbimi i ndëshkimeve dhe disavantazheve nuk ështe aspak diçka e re. Këto sjellje kanë qenë gjithnjë norma të zakonshme të rregulluara që më herët nëpër kodifikime zakonore, kulturore dhe komunitare, si një mënyrë e kontaktit apo moskontaktit me të tjerë. Dhe në këtë pikë roli i kësaj sjelljeje reciproke ka qenë dhe vazhdon të jetë i rëndësishme në rregullimin e raporteve, siç edhe në mbajtjen e këtyre raporteve në një stad qoftë minimal, sa për të evituar përplasjet.

Pra, roli i reciprocitetit, siç edhe në të shkuarën vazhdon të jetë ai i kodifikimit dhe përcaktimit të asaj çka është e drejtë dhe të asaj se çka është e gabuar, duke u bazuar në normën e paevitueshme të këmbimit, qoftë të së mirës, qoftë të së keqes. Parimi i reciprocitetit bën pjesë në gamën e përgjithshme të ligjeve ndërkombëtare apo të së drejtës ndërkombëtare dhe ka një rol të pazëvendësueshëm, por duke qenë se i përket një rendi normativ moral dhe zakonor shumë më të hershëm se e drejta ndërkombëtare, ky parim ka luajtur një rol në vetë ndërtimin gradual të të gjithë asaj që sot njihet si e drejta ndërkombëtare për shtetet.

Koncepti modern i sistemit ndërkombëtar të shtetit dhe marrëdhëniet i janë atribuar Traktatit të Westphalisë, që ka kontribuar në shumë ndryshime dhe arritje në Evropë, njëra prej të cilave ishte lëvizja drejt njohjes së sovranitetit të kombit të referuar në histori si “Sovraniteti Westphalian”. Kjo njihet si pikë kthese në histori për krijimin e sistemeve bashkëkohore të shteteve ndërkombëtare. Për më tepër, Traktati i Paqes së Westphalisë është demonstrim i ndryshimit drejt reciprocitetit pozitiv në Evropë, ku përmes kësaj marrëveshje u zbatua parimi i “përfitimit të tjetrit”.


Sa i përket kontekstit historik, Westphalia është emri i traktatit, më saktë, dy traktateve të nënshkruara në vitin 1648 në qytetin Westphalia. Mbas arritjes së këtij traktati Hollanda arrin që të fitojë pavarësinë e vetë nga Spanja, kurse Suedia mori kontroll mbi Detin Baltik. Thënë shkurt, Traktati i Westphalisë konsiderohet si një arritje shumë e madhe në drejtim të vendosjes së standartit të tolerancës dhe shekullarizimit. Ky traktat vendosi frymën e bashkëpunimit të shteteve mes tyre në forma aleancash, qoftë në lidhje me luftën, apo qoftë edhe me çështje të tjera përgjatë periudhave pa luftëra.

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë


Ideja e reciprocitetit pozitiv përmes këtij procesi evolucionar bëri që kombet evropiane të arrijnë një qëndrim kolektiv larg individualizmit shkatërrues.
Vazhdimi i këtij procesi historik i drejtoi shtetet kah rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe kjo lëvizje mori hov veçanërisht gjatë shekullit të kaluar.

Pavarësisht nga përpjekjet për të ruajtur paqen dhe bashkëpunimin midis shteteve, shpërtheu Lufta e Parë Botërore, e cila përfundoi me Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Bota u gjend në kthetrat e një lufte tjetër shkatërruese, Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1938 dhe që zgjati deri në vitin 1945. Pas kësaj lufte, emergjenca për marrëdhënie të strukturuara u shfaq me qëllim rregullimin dhe zhvillimin e sjelljes së shteteve.


Krijimi i Këshillit të Evropës, Komunitetit Ekonomik Evropian, Bashkimit Evropian, Këshillit të Sigurisë apo OKB-së, etj ishin hapat kryesorë të ndërmarrë drejt këtij qëllimi dhe objektivi. Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe reciprociteti janë ende duke kaluar nëpër proces të përparimit, edhe pse janë bërë hapa në drejtim të bashkëpunimit të drejtë të komunitetit ndërkombëtar akoma ka një rrugë të gjatë për të bërë, në mënyrë që të shihet fuqia e reciprocitetit.


Gabimi më i shpeshtë është se shteteve problematike dhe agresive u bëhen lëshime. Kjo politikë ka rezultuar dritëshkurtër, pa efekte të mira afatgjate. Qasja e drejtë që siguron në afatgjatë është të punuarit në lidhje me kushtet e bashkëpunimit, ku shtetet agresive që ndjekin politika të padrejta duhet të pësojnë, për rrjedhojë, edhe trysninë më të madhe.


Doktrina e bashkëpunimit midis shteteve është konsideruar si e drejtuar më shumë te parandali sesa te shërimi. Sidoqoftë, shohim se si bashkëpunimi midis shteteve, siguria ndërkombëtare, dëmtohen ose minohen si rezultat i veprimeve të njëanshme, jo thjesht në kuptimin e palës, por edhe të të drejtës ndërkombëtare apo burimeve të saj. Siç edhe rrjedhon nga kjo që thamë, parandalimi është më i mirë sesa vetë shërimi, por nëse ky parandalim është i parealizueshëm, atëherë ndalimi i këtyre akteve të njëanshme që përmendëm më sipër duhet të marrë vëmendjen e plotë deri në rivendosjen e bashkëpunimit të drejtë dhe të dyanshëm, prej të cilit bashkë me palët do të fitojë vlerë edhe vetë procesi.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *