Bota

Serbia po rrëshqet drejt autokracisë, derisa presidenti siguroi mandatin e dytë

Mes pretendimeve për mashtrime të ndyra, Aleksandar Vuçiq e ka mbajtur Presidencën, ndonëse aktivistët thonë se ai po ua mbyll gojën kundërshtarëve të tij.

Mbikëqyrësit e demokracisë dhe aktivistët e shoqërisë civile në Serbi kanë paralajmëruar se vendi po rrëshqet drejt autokracisë nën udhëheqjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili e fitoi një mandat të dytë këtë muaj me një shumicë të madhe elektorale.

Pas një fushate të dëmtuar me raportime për ryshfet, frikësim dhe mashtrim në shkallë të gjerë, Vuçiq fitoi 60% të votave presidenciale. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare dhe të qytetit të Beogradit, megjithatë, është ende i paqartë. Opozita pret që gjykatat të vendosin nëse votimi do të përsëritet në zonat ku ka ngritur ankesa për parregullsi të rënda. Si rezultat, qeveria e re nuk do të formohet për disa muaj.

“Situata më e mundshme është që Vuçiq ta zvarrisë këtë proces dhe pastaj do të ketë kaos, dhe ai gjithmonë e përdor kaosin në avantazhin e tij,” thotë Bojan Elek, zëvendësdrejtor në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë. “Ai është një kalkulator dhe strateg aq i madh sa është në gjendje ta kthejë çdo situatë në favor të tij.”

Megjithatë, lufta në Ukrainë e ekspozon presidentin me një sfidë të rëndësishme, pasi Serbia është në dukje e gatshme mes aplikimit të saj për të qenë anëtare e BE-së dhe një aleance instinktive me Rusinë.

Të dyja vendet kanë lidhje të ngushta historike, fetare dhe kulturore dhe Moska ka ofruar mbështetje esenciale për Beogradin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke e bllokuar pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, Serbia është plotësisht e varur nga nafta dhe gazi rus. Këtë javë, Vuçiq e akuzoi Ukrainën dhe një vend të paidentifikuar të BE-së për orkestrimin e një serie kërcënimesh për bomba kundër aeroplanëve të Air Serbia. Ai nuk dha dëshmi për pretendimin në fjalë, të cilin Ukraina e quajti “të pabazuar”.

Por pas pushtimit rus të Ukrainës, sinjalet që vijnë nga kryeqytetet evropiane në Beograd e bëjnë të qartë se akti balancues i Vuçiqit nuk është më i zbatueshëm. “Ata po kërkojnë dënim më të ashpër – kjo mund të jetë një fitore e lehtë – dhe patjetër t’i bashkohen një lloj sanksionesh,” tha Elek. “Ai do të përpiqet të bëjë një lojë pak më gjatë kështu, por mendoj se nëse më në fund duhet ta marrë një vendim, e vetmja zgjedhje racionale do të ishte ta zgjedhë anën pro-evropiane. Ata mund të vendosin t’i bashkohen paketave të sanksioneve që nuk do ta dëmtonin shumë Serbinë.

Lexo më shumë  Pas fitorës së raundit të parë të zgjedhjeve nga kandidati anti-Nato, Presidenti i Rumanisë mbledh Këshillin e Lartë të Mbrojtjes për cënimet e sigurisë nga Tiktok-u

Presidenti ishte i ngadalshëm me vendimin e tij për ta dënuar agresionin rus, i cili fillimisht u raportua në tabloidet pro-qeveritare si një pushtim ukrainas i Rusisë. As Serbia nuk ka miratuar asnjë nga sanksionet e BE-së kundër Rusisë që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Por analistët serbë besojnë se presidenti ka të ngjarë t’i bashkohet sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj Moskës nëse lufta vazhdon ende kur të formohet përfundimisht qeveria e tij e re.

Pavarësisht nga një vetëdije e qartë për tendencat autokratike të Vuçiqit, Angela Merkel dhe Ursula von der Leyen, që të dyja e vizituan Beogradin brenda një muaji vitin e kaluar.

“Nuk mendoj se është e dobishme, por mund ta kuptoj. Çështja është se BE-ja nuk sheh në opozitë një partner të besueshëm, mjaft të fortë,” thotë Biljana Gjorgjeviq, deputete e opozitës me koalicionin e sapoformuar të së majtës Moramo (Duhet), i cili fitoi 13 ulëse në parlamentin e Serbisë. Ajo e përshkroi një kulturë të abuzimit endemik të parlamentit nga partia në pushtet, duke përdorur si shembull buxhetin e vitit 2018, i cili u miratua pa debat pasi deputetët e saj përdorën qindra amendamente për ta fshirë dhe bllokuar çdo pyetje nga opozita.

“Për fat të keq, ata [udhëheqësit evropianë] zgjodhën stabilitetin në vend të demokracisë, gjë që është vërtet e keqe. Kjo gjithashtu e ka minuar BE-në këtu në Serbi. Njerëzit janë bërë euroskeptikë, gjë që është e kuptueshme”.

Stabiliteti në Ballkan është jashtëzakonisht i rëndësishëm për BE-në dhe tek Vuçiqi, Brukseli duket se ka gjetur një politikan që mund t’ia ofrojë këtë.

Në zgjedhjet e fundit në vitin 2020, Vuçiq siguroi 188 ulëse në parlamentin prej 250 ulësesh. Megjithatë, ky rezultat ishte kryesisht për shkak të një bojkoti nga politikanët e opozitës, të cilët po protestonin kundër abuzimit verbal dhe sabotimit të proceseve parlamentare nga deputetët e partisë në pushtet. “Situata në parlament ishte shumë e keqe. Njerëzit nga partia në pushtet ishin shumë agresivë verbalisht, janë të çmendura gjërat që iatra i flasin”, tha Gjorgjeviq.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Vukosava Crnjanski, drejtoresha e vëzhguesit të demokracisë CRTA, shpjegoi se në mungesë të një opozite në parlament për dy vitet e fundit, figurat e shoqërisë civile u futën pa dëshirë në këtë rol. “Ne ishim vazhdimisht nën sulm,” tha Crnjanski, duke i përshkruar fushatat e shpifjeve kundër CRTA dhe asaj personalisht në parlament dhe mediat pro-qeveritare.

“Ajo që po shohim është një rrëshqitje prapa serioze e demokracisë në Serbi, veçanërisht në funksionimin e institucioneve, përfshirë parlamentin. Në vitin 2016, [partia në pushtet] filloi ta heshtë çdo zë të lirë në Serbi”.

Sofija Todoroviq, drejtoreshë programi në Nismën e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Beograd, tha se grupet e ekstremit të djathtë dhe nacionalistë po i frikësojnë organet e të drejtave civile pa u ndëshkuar.

Todorović u sulmua nga tifozët nacionalistë të futbollit në festivalin Mirëdita, dobar dan në vitin 2017, një ngjarje vjetore që promovon lidhjet kulturore midis Kosovës dhe Serbisë që ajo ndihmon për ta organizuar. Pas sulmit, ajo u gjobit me më shumë se 420 euro për protestën gjatë një fjalimi të mbajtur nga krimineli i dënuar i luftës Veselin Sljivancanin në një ngjarje të organizuar nga partia e presidentit.

Serbia është një nga katër vendet e Ballkanit që po e negociojnë hyrjen në BE. Një raport i vitit 2021 i Komisionit Evropian mbi progresin e tij në fushat e reformave të nevojshme vuri në dukje një mungesë alarmante të lirisë së medias, sulme ndaj opozitës dhe aktivistëve të shoqërisë civile, korrupsion, krim të organizuar dhe kontroll shtetëror të policisë dhe gjyqësorit.

“Gjuha nxitëse kundër kundërshtarëve politikë dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera që shprehin pikëpamje të ndryshme politike u përdor ende gjatë debateve parlamentare,” paralajmëroi raporti në fjalë.

“Natyra e autokracisë është se nuk mund të kthehesh pas, është shumë e vështirë të ‘de-autokrizosh’ një lider, përveç nëse ka ndonjë tronditje të madhe të jashtme, që mund të ketë ndodhur me luftën në Ukrainë,” tha Elek.

“Për të qëndruar në rrugën e tij drejt autokracisë, Vuçiqi ka nevojë për mbështetjen e perëndimit. Frika jonë është nëse ai vendos t’ia kthejë shpinën Rusisë, kjo do t’i japë atij mundësinë  të vazhdojë tutje.”/The Guardian

Phoebe Greenwood është  ish-korrespondente e medias britanike The Guardian.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *