Bota

Ushtarë rusë po refuzojnë të luftojnë në Ukrainë, kërcënime për ndjekje penale dhe frikësime nga prokurorët ushtarakë

“Një mëngjes më thirrën nga zyra e komandantit të divizionit në Amur Oblast, ku ka shërbyer Pavliku”, tha një grua nga rajoni rus i Tambovit, e cila kërkoi që të identifikohej vetëm me emrin Yelena. “Personi më tha: ‘A e di se jemi duke e kërkuar djalin tënd, ai është zhdukur?’. Pavliku duhej të kishte hipur në tren së bashku me trupat e tjerë, por ai nuk hipi. Dhe pesë ushtarë të tjerë ishin me të”.

Djali i Yelenës, Pavliku, po shërbente në rajonin e Amurit, që gjendet në Lindjen e Largët, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Pothuajse menjëherë, njësia e tij u dërgua në front dhe ai shërbeu 40 ditë në fushëbetejë. Më pas njësia e tij u kthye në Rusi për t’u rigrupuar, tha Yelena për North.Realities të Radios Evropa e Lirë. Kur njësia e tij po përgatitej që të kthehej në Ukrainë, Pavliku refuzoi që të bashkohej.

“Nëse ai nuk do që të kthehet atje, a duhet unë që ta shtyj atë, t’i them ‘Kape armën dhe shko’”, tha Yelena. “Ata që nuk kanë qenë atje nuk kanë të drejtë t’i gjykojnë ata që kanë qenë”.

Djali i Yelenës është një prej një numri të konsiderueshëm – por, që numri i saktë nuk dihet – i ushtarëve rusë që janë me kontratë, e të cilët kanë refuzuar ose të luftojnë në Ukrainë ose që kanë luftuar atje, por nuk duan që të shkojnë sërish.

Avokati Pavel Chikov, themelues i organizatës për ndihmë ligjore, Agora, ka shkruar në Telegram se më shumë se 1,000 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe trupave të Gardës Kombëtare nga të paktën shtatë rajone ruse, kanë refuzuar që të shkojnë në Ukrainë.

Ruslan Leviyev, themelues i Conflict Intelligence Team, një organizatë joqeveritare ruse që monitoron informacionet publike për ushtrinë ruse, i tha Current Time se numri real i rasteve të tilla mund të jetë shumë më i lartë dhe se refuzimet e ushtarëve që të shkojnë për të luftuar në Ukrainë, mund të dëmtojnë rëndë përpjekjet e Rusisë për t’u rigrupuar dhe për të rinisur operacionet e saj ushtarake në lindje të Ukrainës.

“Fenomeni i refuzimit po bëhet sistematik”, tha Leviyev. “Ushtarë të tillë gjenden pothuajse në çdo njësi që është kthyer nga Ukraina. Sipas vlerësimeve tona, nga 20 deri në 40 për qind e ushtarakëve me kontratë që janë kthyer nga Ukraina dhe që po përgatiten për t’u kthyer, po refuzojnë që të kthehen në luftime”.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Leviyev tha se shumica e këtyre ushtarëve nuk janë dezertorë, por mund të përballen me pasoja ligjore për refuzimin për t’iu bindur urdhrave. Megjithatë, për t’i dënuar këta ushtarë, prokurorët duhet të dëshmojnë se urdhri ishte i ligjshëm dhe se refuzimi për ta zbatuar të njëjtin i shkaktoi “dëm thelbësor” ushtrisë.

“Nga rastet që kemi parë, ata po përballen me kërcënim se do të ndiqen penalisht dhe po frikësohen nga prokurorët ushtarakë”, tha ai. “Por, deri më tani asnjëri prej tyre nuk është ndjekur penalisht, bazuar në atë që ne kemi parë”.

Avokatët e të drejtave të njeriut thanë se mosgatishmëria e Qeverisë për ta quajtur pushtimin e Ukrainës “luftë” apo për të shpallur ligjin ushtarak, mund t’iu ofrojë një mbrojtje nga pasojat më të rënda ushtarëve që po refuzojnë të luftojnë.

“Qytetarët kanë të drejtë të refuzojnë që të shkojnë në një luftë të huaj dhe të vrasin njerëz”, tha avokati nga organizata Agora, Mikhail Benyash. Ai u ka ofruar shërbime ligjore disa ushtarëve, të cilët kanë refuzuar të luftojnë.

“Ata, po ashtu, kanë të drejtë që të mos marrin pjesë në një ‘operacion të posaçëm ushtarak’. Sipas definicionit, vetëm trupat e forcave speciale, të trajnuar për operacione të tilla dërgohen [në ‘operacione të posaçme ushtarake]….”.

Një numër i panjohur i ushtarëve, megjithatë, janë larguar nga shërbimi ushtarak për shkak se kanë refuzuar që të luftojnë në Ukrainë, ka shkruar në Telegram avokati Maksim Grebenyuk. Ai tha se pyetja se “cilat janë pasojat e refuzimit për të shërbyer në ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”, siç Moska insiston që të quhet pushtimi i paprovokuar i Ukrainës, është bërë “pyetja më e shpeshtë” që ai ka pranuar gjatë javëve të fundit.

Grebenyuk, po ashtu, ka publikuar një fotografi me një vulë që supozohet se ishte vendosur në broshurën e shërbimit ushtarak të një ushtari që ka refuzuar të shërbejë në Ukrainë. Emrin e ushtarit Grebenyuk nuk e ka bërë publik, por ka thënë se ai ka shërbyer në Brigadën e 136-të të Gardës me pushkë të motorizuara.

“Të prirë drejt tradhtisë, gënjeshtrave dhe mashtrimit”, shihet në vulën e vendosur në këtë broshurë.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

“Refuzimi për të marrë pjesë në operacionin e posaçëm ushtarak në territoret e LNR, DNR dhe Ukrainë”, thuhet më tej në broshurën, ku janë përdorur akronimet për pjesët në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia, territore që Moska i ka njohur si shtete sovrane.

Grenenyuk tha se ushtari i ka treguar se ai kishte shërbyer për shtatë muaj në Siri dhe i ishte dhënë “leje për pushim dhe rehabilitim”, por kjo masë u anulua kur ai u urdhërua që të shkonte në Ukrainë.

Në një postim në Twitter, Leonid Vokov, këshilltari kryesor i opozitarit të burgosur rus, Aleksei Navalny, ka shkruar: “Ata kanë bërë një vulë për këtë gjë? Kjo do të thotë se është një fenomen masiv. Mirë”.

Një vulë e tillë në broshurën e shërbimit ushtarak, ua vështirëson ushtarëve që të gjejnë punë apo të regjistrohen në institucione të arsimit të lartë për të ndjekur shkollim.

Ushtria ruse insiston se lufta e saj në Ukrainë gjerësisht po zhvillohet sipas planit, por analistët e inteligjencës perëndimore kanë dokumentuar mungesa të theksuara të furnizimeve, probleme në komunikim, përgatitje dhe aspekte të tjera që kanë penguar operacionet ruse. Moska ka thënë se 1,351 ushtarë i janë vrarë që prej fillimit të luftës më 24 shkurt, por burimet e tjera kanë thënë se numri real i viktimave është shumë më i lartë. Ushtria ukrainase vlerëson se më shumë se 18,000 ushtarë rusë janë vrarë.

Avokati nga organizata Agora, Benyash tha se beson se numri i ushtarëve që refuzojnë të luftojnë do të rritet, teksa çmimi njerëzor i luftës po bëhet më i qartë në Rusi.

“Besoj se sa më shumë arkivole të kthehen nga Ukraina, do të ketë më shumë njerëz në Rusi që nuk do të dëshirojnë të jenë viktimat e radhës”, tha ai.

“Një pozicion i tillë do të bëhet i pranueshëm nga shoqëria dhe i kuptueshëm”, shtoi ai. “Disponimi në shoqëri po ndryshon. Më herët, një ushtar duhej ta merrte i vetëm një vendim të tillë, të merrte rrezikun mbi vete. Por, tani veçse ka shembuj dhe njerëzit mund t’i shohin pasojat. Ata nuk po vriten; nuk po përballen me tribunale; nuk po dërgohen në burgje”./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *