Kurti: Kemi krijuar 25 mijë vende të reja pune me rritje ekonomike prej 10.35 për qind
Nga dhjetëra sektorë të ndryshëm, 16 kompani nga Kosova dhe nga Austria kanë promovuar bizneset e tyre në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë të enjten, ndërsa janë pritur me ftesën e kryeministrit Albin Kurti se “Kosova është vendi më i mirë për të bërë biznes”.
Në deklaratën e tij, Kurti ka thënë se janë krijuar 25 mijë vende të punës dhe ka rritje prej 10.35 për qind të ekonomisë.
Ai ka folur edhe për mundësinë që i kanë kompanitë për të investuar në Kosovë. Ka përmendur ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës, me ç’rast ftoi kompanitë austriake të aplikojnë.
“Kosova është falënderuese për mbështetjen nga Qeveria austriake dhe mbetet ndër partnerët tonë tregtarë, në tema të ndryshme dhe në çështje të bashkëpunimit tregtare. Shumë kompani të suksesshme do të takohen me biznese në Kosovë dhe do të shkëmbejnë çështje të fokusit të përbashkët. Meqë po flasim për shtëpi të dytë kur takohemi me palë austriake dua të përmend lidhjet historike të projektit hekurudhor Carl Gega. Ndërtimi i linjave hekurudhore në Austri janë rezultat i Carl Gegës. Ftoj qeverinë austriake të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duan të ndërtojnë hekurudhën Prizren-Durrës.
“Investimi në Kosovë do të jetë sukses për ju. Kemi krijuar 25 mijë vende të reja pune. 10.53 është rritja ekonomike. Vlera e eksporteve ka arritur 2.7 miliardë. Vlera e mallrave 62 për qind. Investimet kapitale janë rritur 10 për qind më shumë, po thyejmë rekorde një pas një”, ka thënë Kurti.
Ky Forum u tha se ka për qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve biznesore ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova, duke krijuar kështu një situatë të favorshme për ekonomitë e të dy vendeve.
Rruga Press