Kurti e Kandiqi diskutojnë për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, ishte tema e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me aktivisten e të drejtave të njeriut dhe drejtoreshën e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq.
Kurti ritheksoi qasjen me seriozitet të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për çështjen e personave të zhdukur me dhunë.
Ai potencoi se për të si kryeministër dhe për Qeverinë e Kosovës është me shumë rëndësi që duke punuar me mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, të bëhet më shumë për të mbyllur plagët e hapura.
U bisedua për 27 prillin, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë.
Ndërsa për tryezën e sotme të drejtuar nga kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, u theksua se është organizuar pa koordinim paraprak me Zyren e Kryeministrit, Zyren e Presidentes dhe të Kryetarit të Kuvendit, gjë që ka pamundësuar praninë e tre udhëheqësve të këtyre institucioneve në tryezë.
Kryeministri bëri të ditur se do të takojë përfaqësuesit e familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të biseduar për çështjen e të zhdukurve, që është prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Rruga Press