Një strehë e sigurt/ Kriminelë nga Ballkani dhe paratë e tyre fshihen në Emiratet e Bashkuara Arabe
Gjatë 20 viteve të fundit, grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor janë bërë aktorë kyç në tregtinë botërore të drogës. Rrjetet ballkanike janë të përfshira në trafik heroine, prodhim e trafikim kanabisi, si dhe në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në portet e Evropës perëndimore e juglindore.
Gjatë procesit, ata anë grumbulluar pasuri të konsiderueshme, reputacion të madh, si dhe një numër armiqsh. Ndonëse ruajnë lidhje me vendet e tyre, shumicën e operacioneve i kryejnë jashtë Ballkanit Perëndimor. Ndërmjetësit e marrëveshjeve punojnë pranë burimit të furnizimit (si në Ekuador, Brazil e Kolumbi); ushtarët e rrugës menaxhojnë rrjetet e shpërndarjes në Belgjikë, Itali, Holandë, Spanjë e Britaninë e Madhe; ndërsa bosat ruajnë distancën-dhe paratë- në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Migracioni kriminal në EBA
Në shtator 2020, Europol bënte të ditur një operacion madhor kundër një grupi kriminal shqipfolës të konsideruar si një nga më aktivët në tregtinë e kokainës në Evropë. Hetimet rezultuan në arrestimin e 20 individëve nga nëntë vende. Një prej tyre ishte Eldi Dizdari, shqiptar me banim në Dubai. Dizdari është një nga disa shqiptarët e akuzuar për trafik ndërkombëtar droge që kanë gjetur strehë në EBA.
Besohet se rreth dy të tretat e të gjithë liderëve kriminalë shqiptarë fshihen në EBA.
Qëndrimi në vend lehtësohet nga blerja e pronës së patundshme dhe investimet në ekonominë lokale. “Kriminelë madhorë nga Ballkani e blejnë qëndrimin e sigurt duke investuar sasi të mëdha parash në ekonominë e vendit dhe duke shpenzuar shumë, duke pasur një stil jetese luksoz. I vetmi rregull që duhet të zbatojnë është të mos përfshihen në trafik droge apo aktivitete të tjera kriminale brenda vendit”, shpjegon një gazetar investigativ me bazë në Shqipëri, i cili zgjodhi anonimatin. Shumë kriminelë ndihen aq të sigurt në EBA saqë ftojnë edhe familjet dhe miqtë t’u bashkohen atje.
Vendi është tërheqës për botën e krimit edhe për shkak se, deri tani vonë, ka qenë shumë e vështirë të ekstradoje kriminelë nga ky shtet i Gjirit Persik.
Më 2021, policia e Dubait arrestoi pesë lordë droge nga SHBA, Britania, Franca e Danimarka; e megjithatë Italia ka qenë në pritje për më tepër se 18 muaj për përgjigjen e kërkesës së saj për ekstradimin e Dizdarit. Ndërkaq, sipas avokatit të tij italian, koha e paraburgimit ka skaduar.
Nuk janë vetëm kriminelët shqiptarë që ndihen si në shtëpinë e tyre në EBA. Sipas burimeve të medias në Bosnjë Hercegovinë, lideri i kartelit të famshëm Tito e Dino, Edin Gaçanin, e ka përdorur vendin si bazë që më 2019. Me nofkën Eskobari Evropian, boshnjaku Gaçanin akuzohet si trafikant i madh kokaine, rrjeti furnizues i të cilit lidh tregjet prodhuese të Amerikës Latine me tregjet e konsumatorit në Evropën Perëndimore. Fitimet i kanë lejuan të blejë prona e mbrojtje, duke se deri tani e ka shmangur arrestimin edhe pse ka qenë objektiv i disa hetimeve, përfshirë edhe nga DEA e SHBA.
Costa del Crime
Vendimi i bosëve të krimit nga Ballkani për t’u zhvendosur në EBA është pjesë e një trendi më të gjerë. Agjencitë ligjzbatuese në BE deklarojnë se Emiratet janë bërë tërheqëse për krerët kriminalë nga një numër vendesh evropiane, si dhe nga Britania. Shtypi britanik e ka cilësuar Dubain si Costa del Crime e re, që ka zëvendësuar Costa del Sol, bregdeti i famshëm spanjolle ku kanë gjetur strehë shumë kriminelë. Me kaq shumë bosë bandash në një vend të vogël, EBA shihet si një strehë e sigurt për kriminelët; një nyje me pak rrezik prej nga mund të koordinohen aktivitetet e paligjshme përmes emisarëve jashtë vendit; si dhe një vend i mirë për t’u shoqëruar e bërë marrëveshje të reja.
EBA renditen në vendin e 57-të nga 193 gjithsej në listën kriminale për 2021 të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transkombëtar.
Megjithatë, renditet ndër dhjetë vendet më të këqija në botë për tregjet kriminale dhe ka rezultate të dobëta edhe për ligjet kundër pastrimit të parave, me 4.00 pikë nga 10 të mundshme. I dobët është edhe verifikimi i transaksioneve të dyshimta që vijnë nga organizata kriminale e që shpesh fshien pas bizneseve apo institucioneve financiare.
Në mars 2022, Financial Action Task Force e vendosi EBA në listën gri me shqetësimin se nuk po bën sa duhet për të goditur aktivitetet e paligjshme financiare. Sipas këtij organi ndërqeveritar, vendet e vendosura në këtë listë duhet të punojnë për adresimin e mangësive strategjike për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Edhe Transparency International thotë se EBA është një “pjesë kyç në rebusin global të pastrimit të parave”.
Marrë nga globalinitiative.net/syri/
Rruga Press