Tmerret e pushtimit rus, gjendet një kamp ushtarak i braktisur në një pyll afër Kievit
Nga Sandi Sidhu, Phil Black, Daria Markina and Victoria Butenkow, CNN
Dmitry Nekazakov po shëtiste qenin e tij para se të shkonte në punë kur bombardimet ruse filluan në Hostomel, një qytet në periferi të kryeqytetit, Kiev. Qielli gumëzhinte nga zhurma e helikopterëve, ndërsa raketat binin si shi.
Ishte ora 6:40 e mëngjesit të 24 shkurtit, dita e parë e pushtimit rus të Ukrainës , dhe për gati një muaj bombardimet atje nuk ndaluan. Nekazakov tha se ai kaloi 20 ditë në një bodrum gjatë natës. Gjatë ditës, ai dhe banorët e tjerë dilnin për të parë dëmet që forcat ruse kishin shkaktuar në shtëpitë e tyre dhe hartonin plane për të gjetur vende më të sigurta për t’u strehuar.
Raketat ruse që shkatërruan ndërtesat, dhe vranë civilë u hodhën nga një bazë e madhe ruse, e fshehur në pyll rreth 4 kilometra larg Kievit. Tani, kanë mbetur vetëm mbetjet e atij kampi ushtarak mes pemëve.
CNN vizitoi kampin e forcave ruse për të marrë të dhëna se cilat mund të kenë qenë planet e Rusisë për kryeqytetin.
Më herët gjatë pushtimit, ndërsa trupat ruse po përparonin në drejtim të Kievit, forcat speciale ukrainase besojnë se 6,000 marinsa ngritën kampin në këtë pyll me pisha për një muaj, përmes shiut, borës dhe temperaturave -12 gradë Celsius.
Vendi përfshinte një post komandë dhe selinë kryesore. Pikërisht nga ky kamp, forcat ruse filluan sulmet në sulmet në Kiev, Hostomel dhe Bucha.
“Këtu ata morën vendimet për veprimet e mëtejshme, për drejtimet e ofensivës, taktikat e pushtimit, e kështu me radhë,” tha një oficer i forcave speciale ukrainase për CNN, duke treguar se ku ndodhej secila pjesë e operacionit.
Forcat ruse ndërtuan gropa, poste komandimi, depo municionesh dhe linja komunikimi duke përdorur pemët dhe drunjtë e pyllit. Ata flinin në fortifikime nëntokësore, të mbuluara me lëndë druri dhe kuti të gjelbra prej druri që dikur përmbanin raketahedhës BM-21 dhe artileri me rreze të gjatë.
Telat e zinj përdoreshin për të komunikuar me njeri-tjetrin.
Pylli ishte gjithashtu i mbushur me kontejnerë ushqimesh me markën e ushtrisë ruse: një pjesëtar i forcave speciale zbuloi një bllok shënimesh që përmbante udhëzime nga një mision i mëparshëm në Azerbajxhan.
Në vendngjarje u zbulua edhe një manual udhëzimi rus për kamuflimin dhe fshehjen, së bashku me veshje dhe këpucë. Duke treguar përmasat e kampit, një oficer tha për CNN: “Rusët nuk luftojnë në cilësi, por në sasi.”
“Ata nuk i konsiderojnë ushtarët si njerëz, për ta janë “mish për top”. Taktikat e ushtrisë ruse i ngjajnë ndoshta mesjetës,”shtoi ai.
Mbetjet e pajisjeve ushtarake, veshjeve dhe fortifikimeve nuk janë të vetmet gjëra që rusët lanë pas. Ushtarët rusë sulmuan lagjet e afërta, shkatërruan shtëpitë dhe terrorizuan banorët, sipas dëshmive të banorëve vendas dhe një prifti.
Vitaliy Chernysh, nga fshati Zdvyzhivka në periferi të Kievit, tha se ai po kalonte me biçikletë nëpër fshatin e tij kur u kap nga forcat ruse. Ai tha se e mbajtën për gati 24 orë. Ai mendoi se ishin minutat e tij të fundit, pasi gjatë gjithë kohës ata qëllonin.
Chernysh tha se kishte qëndruar në një kasolle pasi ishte detyruar të ecte nëpër një fushë të minuar. Ai tha se ushtarët rusë e kishin kërcënuar se do ta çonin në krematorium. Ushtarët qëlluan rreth trupit të tij teksa ishte i lidhur dhe vazhdimisht e pyesnin se cila do të ishte dëshira e tij e fundit, tha ai.
“Më kanë rrahur dhe akoma më kanë mbetur të nxirat në të gjithë trupin,” tha ai.
Por unë jam gjallë dhe mirë, falë Zotit”.
Chernysh mbijetoi, por banorët e tjerë u vranë pasi u torturuan nga ushtarët rusë.
Vasiliy Benca, një prift në Zdvyzhivka, tha për CNN se trupat ruse, tanket dhe makinat e blinduara qëndruan atje për një muaj. Njerëzit kishin frikë të dilnin nga bodrumet e tyre, tha ai. Kur Benca e bëri këtë, ai tha se gjeti trupat e 5 burrave, 3 prej tyre ishin në kopsht dhe 2 të tjerët në pyll.
“Rusët më detyruan të varrosja dy gra,” tha Benca për CNN.
Nekazakov, i cili u largua kur rusët sulmuan fshatin e tij, tani është kthyer në shtëpinë e tij në Hostomel. Ai tha se i mban mend të gjithë trupat që kaloi me makinë kur u largua dhe ndihej shumë keq se nuk mund të bënte dot asgjë për t’i ndihmuar.
Tani, tha ai, se ndjen urrejtje për presidentin rus Vladimir Putin dhe ushtarët që shkatërruan qytetin e tij të lindjes.
“Ndjej vetëm urrejtje. Nuk do ta kishim menduar për qindra vite që kjo mund të ndodhte,” tha ai, duke parë varret e atyre që vdiqën.
“Ne nuk mund ta falim dot kurrë atë”.
Rruga Press