Kurti për sulmet në veri: Kishin për qëllim vrasjen e policëve, strukturat ilegale të Serbisë s’do të kenë tolerancë nga qeveria
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar serish për sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kurti tha se këto sulme kishin për qëllim vrasjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ai ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit.
“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale. Iu takon organeve të rendit të bëjnë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin por në anën tjetër edhe për t’u vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrin në vijim në mënyrë që ta pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale por sulme mbi policet që kanë pasur për qëllim të vrasin. Organet e rendit do të bëjnë hetime për hapat tonë përpara. Me strukturat ilegale të Serbisë dhe krimit i organizuar nuk do të ketë tolerancë nga qeveria e Kosovës”, tha Kurti
Tutje, ai tha se deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet të merren si fakte.
“Natyrisht që e kemi shtuar buxhetin e Kosovës i cili është rritur për 52 për qind në vitin 2022. Mirëpo për të gjitha hapët që ndërmarrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes e kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’iu gënjejnë më shumë. Mos i merrni deklaratat e tyre për fakte”, tha Kurti.
Rruga Press