Bota

Scholzi dhe Johnsoni i premtojnë Ukrainës armatime të mëtejshme

Katër muaj kohë i la vetes Scholzi që nga marrja e detyrës për vizitën e parë si kancelar në Londër. Përpara 24 shkurtit programi i vizitës do të kishte qenë ndryshe. Por tani lufta e Rusisë përcakton rendin e ditës.

Kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Boris Johnson në një konferencë të përbashkët shtypi (08.04) në Londër u treguan në mënyrë demonstrative në unanimitet dhe i premtuan Ukrainës furnizime të mëtejshme me armë. Shtetet e NATO-s janë në unanimitet për të mos u bërë palë lufte, por që të ndihmojnë Ukrainën të vetëmbrohet, tha Johnson pas bisedimeve me kancelarin Scholz. Britania e Madhe do të furnizojë gjithçka që ka karakter mbrojtës. Ai përmendi raketat e mbrojtjes nga ajri. Edhe Scholz tha, se Gjermania do të furnizojë „vazhdimisht” Ukrainën me armë, për të forcuar luftën mbrojtëse ndaj invazionit rus.

Kancelari Scholz reagoi i rezervuar ndaj kërkesës së Kievit për dërgimin e tankeve mbrojtës të tipit “Marder” nga arsenali gjerman në Ukrainë. “Ne përpiqemi të furnizojmë armë, që ndihmojnë dhe mund të vihen mirë në përdorim. Këtë e kemi bërë edhe në të kaluarën, e do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej”, tha Scholz. Këto furnizime kryesisht janë mbrojtje antitank dhe armë të mbrojtjes kundërajrore si dhe municione. “Sukseset që ka arritur Ushtria e Ukrainës tregojnë, se armët që kemi furnizuar ne janë efikase.” Por Schoz tha, se janë të një mendimi me Johnson që gjithmonë duhet të shohim, se „çfarë mund të vihet me efikasitet në përdorim. Këto çështje mund të marrin përgjigje vetëm nga profesionistët.”

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Scholz: Sanksionet “me efikasitet të lartë”

Sanksionet perëndimore kundër Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës kancelari i konsideron me “efikasitet të lartë”. Ngrirja e pasurive do ta prekë edhe „klikën e pushtetit” në Moskë, tha Scholz. Ai ripërsëriti kërkesën ndaj Rusisë për të hapur korridore humanitare në Ukrainë, në mënyrë që njerëzit të mund të largohen nga zonat e luftimeve. Duke iu referuar sulmit të fundit me raketë ndaj stacionit të trenit në Kramatorsk në lindje të Ukrainës Scholz tha, se vrasja e civilëve është një krim lufte. “Përgjegjësi mban presidenti rus.” Ai i bëri thirrje Vladimir Putinit, të shpallë armëpushimin. “Lufta duhet të marrë fund, madje menjëherë.”

Gjermania synon shkëputjen nga lëndët e para ruse

Duke iu referuar importeve të diskutueshme gjermane të energjisë nga Rusia, Scholz e mbrojti pozicionin gjerman, për të mos hequr dorë menjëherë prej furnizimeve me gaz nga Rusia. Po punojmë që t’i japim fund kësaj varësie. Scholz deklaroi gjithashtu, se Gjermania edhe pas fundit të luftës do të shkëputet nga importet ruse të energjisë. Presidenti i Rusisë  Vladimir Putin, me sulmin e tij ndaj vendit fqinj i ka bërë llogaritë gabim, tha Scholz pas takimit me Johnson në Londër. Ai e akuzoi Putinin, se me këtë luftë e ka rrezikuar të ardhmen e vendit të vet. Sanksionet perëndimore do të kenë „kosto dramatike” për Rusinë. Gjermania brenda këtij viti do t’i zëvendësojë importet ruse të naftës, tha Scholz. Sa i përket gazit, kjo nuk është e mundur.

Johnson e mori në mbrojtje Gjermaninë lidhur me kritikën që i bëhet, se nuk po angazhohet mjaftueshëm për t’u shkëputur nga varësia prej furnizimeve ruse me energji. Johnson iu referua për këtë objektivit të qeverisë federale që deri në mesin e vitit 2024 të mos importojë më gaz rus.

Procesi post-Brexit dhe Irlanda e Veriut tema anësore në rendin e ditës

Kryeministri i Britanisë së Madhe Johnson pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë me Gjermaninë dhe të tjerë partnerë europiane lidhur me krizën e Ukrainës, nuk e konsideron të përfunduar grindjen Brexit me Brukselin për rregullimin e raportit me Irlandën e Veriut. “Ka një problem”, formuloi Johnson. Por sa u përket çështjeve të tjera, jemi të një mendimi, shtoi ai. Prej muajsh Britania e Madhe kërcënon me shfuqizimin e klauzolës së emergjencës neni 16 në të ashtuquajturin protokolli i Irlandës së Veriut. Johnson theksoi tani, se kjo nuk është zgjidhur.

Ky protokoll është pjesë e marrëveshjes Brexit të nënshkruar nga Londra dhe Brukseli. Përmes tij garantohet, që kufiri mes Irlandës që i përket BE-së dhe Irlandës së Veriut, që është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, mbetet i hapur. Londra do ta shqyrtojë nga e para këtë protokoll. Brukseli e refuzon këtë dhe insiston për zbatimin e marrëveshjes.

Britania e Madhe është për kancelarin Scholz stacioni i gjashtë i vizitave zyratre jashtë një vendi të Bashkimit Europian qëkurse ka marrë detyrën përpara katër muajve. Më parë ai ka qenë në SHBA, në Ukrainë, në Rusi, në Izrael dhe në Turqi./DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *