Instat: Në Shqipëri çmimet në muajin mars u rritën me 5.7% në raport me marsin 2021
Ritmet e rritjes së çmimeve ishin të larta edhe në muajin mars. Sipas Institutit të Statistikave indeksi i çmimeve të konsumit muajin e kaluar u rrit me 5.7 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar.
Rritje të fortë ka njohur grupi i transportit për shkak të çmimit të lartë të karburanteve, i ndjekur nga ushqimet ku vërehet se vaji është rritur me 22.4 përqind.
Çmimet e të gjitha produkteve dhe shërbimeve në Shqipëri kanë shënuar sërish rritje të ndjeshme gjatë muajit të kaluar duke shtrenjtuar koston e jetesës për familjet.
Të dhënat e Institutit të Statistikave raportojnë se në mars çmimet u rritën me të paktën 5.7% krahasuar me një vit më parë.
Në raport me një vit më parë rritja më e madhe vërehet në grupin e transportit me 20%, ku duket se ka ndikuar çmimi i lartë i karburanteve, i cili në mars arriti kulmin prej 290 lekë për litër.
Shtrenjtim kanë njohur dhe ushqimet e pijet alkoolike, me 9.3 përqind. Këtu duket se kontributin më të madh e ka dhënë vaji, çmimi i të cilit është rritur me 22.4 përqind, pasuar nga buka dhe drithërat me 15.8 përqind.
Një rritje të ndjeshme kanë shënuar zarzavatet, veza, si dhe produktet e bulmetit si qumështi dhe djathi, të cilët kanë pësuar një rritje me 10.4 përqind.
Pothuajse gjithçka ka qenë më e shtrenjtë në muajin mars, përveç shërbimeve shëndetësore, të cilat kanë regjistruar një ulje me 0.1 përqind.
Ndërkohë, Organizata Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë ka konfirmuar këtë të premte se rritja e çmimeve në muajin mars shënoi nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për shkak të luftës.
Sipas kësaj organizate, çmimet e ushqimeve në botë gjatë marsit janë rritur me gati 13 përqind, ndërsa ka paralajmëruar se shtrenjtimi mund të arrijë në 20%, kjo si rezultat i konfliktit në Ukrainë.
Rruga Press