Lajme

Kraja: Rama ka qenë një nga mbështetësit e ndarjes së Kosovës

“Ajo marrëveshje mbijeton ende. Nuk është se është në agjendë, siç ka qenë atëherë, por ende mbijeton nëpër media, në grupe politikanësh. Ideja është që Kosova mund ta zgjidhë problemin me Serbinë, me një prerje të ashpër. Edhe kjo është në këtë stil. Është një tezë që unë nuk do të doja të besoja se mund të mbijetonte në Kosovë kaq gjatë, pavarësisht se vetë akterët që e kanë promovuar si të tillë, në rastin konkret Thaçi e Vuçiqi, kanë hequr dorë. Në Kosovë ende qarkullon”, ka thënë Kraja të enjten, në emisionin DESKU të KTV-së

Si hisedar në idenë për ndarjen e Kosovës e ka cilësuar të enjten kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Në intervistën për emisionin DESKU në KTV, Kraja ka thënë se marrëveshja për këtë ishte bërë midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Rama. Kjo ide, sipas Krajës, jeton ende nëpër media dhe nëpër grupe politikanësh.

“Ajo marrëveshje mbijeton ende. Nuk është se është në agjendë, siç ka qenë atëherë, por ende mbijeton nëpër media, në grupe politikanësh. Ideja është që Kosova mund ta zgjidhë problemin me Serbinë, me një prerje të ashpër. Edhe kjo është në këtë stil. Është një tezë që unë nuk do të doja të besoja se mund të mbijetonte në Kosovë kaq gjatë, pavarësisht se vetë akterët që e kanë promovuar si të tillë, në rastin konkret Thaçi e Vuçiqi, kanë hequr dorë. Në Kosovë ende qarkullon”, ka theksuar Kraja.

Edhe idenë e Vuçiqit për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, Kraja ka thënë se e ka shfrytëzuar kryeministri i Shqipërisë.

“Rama del dhe krekoset me faktin se Serbia i çoi grurë, në kohën kur ka probleme me importin, por nuk e thotë se Serbia mori mundësinë që nga porti i Durrësit të marrë naftë”, ka theksuar ai.

Kreu i ASHAK-ut ka deklaruar gjithashtu se është pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, porse ka shtuar që kjo gjë duhet të bëhet në një të ardhme të largët.

“Kosova, u bashkua apo jo me Shqipërinë, duhet që të forcohet vetë njëherë, e pastaj zhvillimet e mëvonshme mund të flasin për një situatë kur dy shtete bëjnë një referendum. Në një të ardhme të largët e shoh të domosdoshme”, ka shtuar tutje ai.

Kraja përfshin në një kategori Ramën, Vuçiqin, Orbanin dhe Erdoganin

Kryetari i Akademisë ka theksuar gjithashtu se demokracia në Kosovë është më e zhvilluar sesa ajo në Shqipëri, në Serbi, Hungari dhe në Turqi, ndërsa e ka radhitur Shqipërinë në mesin e shteteve në të cilat zgjedhjet janë të tipit të oligarkëve.

“Për fitoren e Vuçiqit të gjithë e kemi ditur. Janë tip oligarkësh që kur vendosen një herë në pushtet, vështirë që largohen. Krijojnë instrumente të vazhdueshme. Formalisht i respektojnë zgjedhjet e lira, por kanë krijuar instrumente që nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim. Nuk është kjo vetëm me Serbinë, ka edhe vende të tjera”, ka theksuar ai, duke e përfshirë Ramën në një kategori me Vuçiqin, kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ata janë, nuk është që unë i përfshij në të njëjtën kategori. Në situata të sotme në Ballkan, veçmas me probleme të mëdha të të gjitha llojeve që ka në komunitetet përkatëse, të fitosh tre-katër mandate radhazi është situatë për të dyshuar se diçka nuk është në rregull. Sepse të paktë janë ata liderë që arrijnë ta bëjnë gjënë e duhur për ta marrë votën e sinqertë dhe votën tamam të lirë të elektoratit”, ka theksuar ai, duke shtuar se “shumica syresh bëjnë veprime që e manipulojnë demokracinë”.

Në ndërlidhje me zgjedhjet në Serbi, Kraja ka thënë se Beogradi zyrtar po e vazhdon diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nëpërmjet detyrimit të shqiptarëve për t’u larguar dhe me anë të heqjes së tyre nga listat zgjedhore.

Lexo më shumë  Muja i përgjigjet Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro

“Ne, asgjë tjetër nuk besoj se kemi pasur mundësi të bëjmë, por është dashur që në agjendat evropiane, në takimet e ndryshme të ngrihet ky problem dhe në një farë forme të krijohet ideja e një reciprociteti, për trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në raport me serbët që trajtohen në Kosovë”, ka thënë Kraja. Ai ka theksuar se për serbët, kosovarët kujdesen që të mos u mungojë gjë.

“Natyrisht se Kushtetuta e kërkon këtë, në një kohë që në Serbi është një diskriminim i vazhdueshëm i shqiptarëve. Nuk janë as shqiptarët pa faj, veçmas kur mungon uniteti”, ka thënë ai.

Kraja ka shprehur gjithashtu mendimin se gjatë 20 vjetëve, nuk ka ndryshuar politika e Serbisë ndaj Kosovës dhe se nuk do të ndryshojë as pas zgjedhjeve të së dielës së shkuar.

Kraja: Shqiptarët në Ballkan bëjnë politika mbijetese, Serbia ekspansioniste

Ndërlidhur me politikat e Serbisë karshi Kosovës, Kraja ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më e sigurt se tani. Ai nuk e ka quajtur për alarm situatën ndonëse Serbia ka krijuar baza ushtarake përreth Kosovës.

“Nuk ka dyshim se Serbia me faktin se s’ka ndryshuar strategji, me faktin që e pretendon atë në raport me Kosovën, është krejt normale që të paraqesë një kanosje për Kosovën. Është diçka në vazhdimësi. Me faktin që ka krijuar baza përreth Kosovës, e dëshmon diçka. Nuk jam për të ngritur alarm në raport me Serbinë. Mendoj se Kosova është e sigurt në kuptimin e një sigurie të përgjithshme. Mund të ketë provokime e gjëra të tilla, por në pikëpamje të një sigurie, kurrë më e sigurt nuk ka qenë”, ka thënë ai.

Kreu i ASHAK-ut ka theksuar, po ashtu, se kapacitetet e vendit duhet që të integrohen në NATO, ngase Kosova në të kundërtën nuk ka shanse të tjera. Ka thënë se Serbia është e përfshirë në të gjithë Ballkanin Perëndimor si një faktor destabilizues, duke përmendur me këtë mes Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

I pyetur se sa arrijnë shqiptarët në këto vende që t’ia prishin planet, ai ka thënë se nuk janë shqiptarët problemi i Serbisë.

“Politikat tona janë politika të mbijetesës. Nuk janë politika ekspansioniste. Edhe shqiptarët në Mal të Zi, edhe ata në Maqedoni dhe Kosova po bëjnë politika të mbijetesës. Shteti që është identifikuar si ekspansionist në Ballkan është Serbia”, ka thënë ai. Lidhur me emërimin e Dritan Abazoviqit, një shqiptar nga Ulqini, si mandatar për formimin e Qeverisë në Mal të Zi, Kraja ka theksuar se ky fakt është përfolur më tepër sesa që duhet.

“Ai i fitoi ato vota sa i fitoi me një agjendë kundër Gjukanoviqit. Iu bashkua bllokut proserb dhe u fut në Qeveri në kuadër të bllokut proserb e prorus, i cili është i fuqishëm dhe vazhdon që të jetë i fuqishëm. Abazoviqi nuk besoj se mund ta ndryshojë politikën që e ka brenda Malit të Zi si shtet. Mali i Zi ka një gjë shumë pozitive që tani është anëtar i NATO-s. Dhe kjo ka shumë rëndësi edhe për ne, edhe për shqiptarët brenda vetë Malit të Zi, ngase janë disa standarde që një vend i NATO-s duhet t’i respektojë. Abazoviqi mund ta avancojë çështjen e shqiptarëve aty. Pikë së pari, problemi më i madh i shqiptarëve aty ka të bëjë jo vetëm me të drejtat e tyre, por me të drejtën për jetë, sepse në pikëpamje demografike numri i atyre vazhdon të bjerë në mënyrë rapide shkaku i shpërnguljes së vazhdueshme”, ka theksuar ai.

Kraja: Brenda ASHAK-ut ka grupe të interesit

E lidhur me institucionin që ai drejton, Kraja ka pohuar se përbrenda Akademisë së Shkencave dhe të Arteve ka grupe të interesit. Ai ka theksuar se sikurse në çdo institucion tjetër, në ASHAK ka klane që funksionojnë në kuadër të programeve dhe projekteve të përbashkëta. Ai ka tërhequr fjalën “banda”, të cilën e ka përmendur më parë në një intervistë, duke theksuar se ato janë formuar brenda Akademisë. Por, insiston se ka grupe të interesit.

Lexo më shumë  Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

“Grupe të interesit brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve ka dhe ka pasur, siç ka në çdo institucion tjetër. Fjalën ‘banda’ do ta heq, sepse nuk u takon institucioneve të ketë banda. Grupe të interesit ka pasur, ka dhe do të ketë siç ka në Universitet, institute e gjithandej, mund të jenë imune vetëm institucionet private që janë homogjene, nuk janë të tilla, por institucionet siç është Akademia, doemos që do të ketë të tilla që janë të integruara deri në atë shkallë sa ato të funksionojnë në kuadër të një programi dhe të projekteve të përbashkëta”, ka thënë ai. Por ka shtuar se në Akademi asnjëherë nuk ka ndodhur që strukturat politike të propozojnë emra për anëtarë. Ka thënë se akademikët janë të lirë që të përfshihen në jetën politike të vendit, porse zgjedhja e tyre nuk mund të bëhet shkaku i profilit politik.

“Një pjesë e njerëzve kanë menduar se Akademia ka qenë e LDK-së, por e LDK-së ka qenë për aq sa ka qenë shoqëria në bindjet politike rreth LDK-së. Vitet ’90, kur LDK-ja ka dominuar skenën politike të Kosovës dhe njerëzit që kanë qenë në akademi janë përfshirë edhe në lëvizje politike. E vërteta është se akademikët janë të lirë të përfshihen në jetën politike të vendit, por asnjë zgjedhje e tyre në Akademi nuk bëhet për shkak se i takojnë një profili politik, nuk duhet të ndodhë. Asnjëherë nuk ka ardhur dhe nuk mund të vijë propozimi nga një strukturë politike për t’u bërë anëtar i Akademisë, vjen nga institucionet dhe ato janë të identifikuara, nga universiteti dhe universitetet rajonale dhe nga dy institutet që i kemi identifikuar si të tilla. Këtë njerëz pavarësisht bindjes politike, propozohen nga këto nivele. Pranimi i tyre në akademi pastaj bëhet me votë”, ka thënë Kraja.

Ai ka folur në DESKU edhe për historianin Hasan Kaleshi, për të cilin ka thënë se është anashkaluar, pasi që ka përfaqësuar tezat e historiografisë serbe që e kontestojnë origjinën ilire të shqiptarëve.

“Hasan Kaleshi u anashkalua në kohën kur ishte gjallë dhe pas vdekjes për një arsye të qartë dhe të thjeshtë, ai mbronte tezat serbe për shqiptarët. Kontestoi origjinën ilire të shqiptarëve, kjo ishte shumë e rëndësishme. Pastaj tha se shqiptarët u zgjeruan në hapësirat ku jetojnë sot duke iu falënderuar Perandorisë Otomane. Të dyja këto teza janë të historiografisë serbe, të cilat i përfaqësonte Hasan Kaleshi”, ka thënë Kraja. Sipas tij, historiani kishte edhe një tezë tjetër neo-otomane, e cila bashkë me dy tezat serbe nuk qëndrojnë historikisht. “Shqiptarët nuk u sllavizuan për shkak se u pushtuan nga Perandoria Otomane, pra, kaluan në myslimanizëm dhe pushtimi turk u ndihmoi që të mos sllavizohen. Kjo tezë është neo-otomane. Ai kishte një mbështetje të shtetit jugosllav, kishte një mbështetje shumë të madhe që diti ta përdorë. Ai ka qenë i anatemuar për shkak se mbështeti tezat serbe për origjinën e shqiptarëve. Të tri tezat historikisht nuk qëndrojnë”, ka thënë Kraja.

E si me defekte dhe shumë gabime substanciale e ka vlerësuar ai historinë e Oliver Jens Schmittit për Kosovën.

“Për shembull Lidhjen e Prizrenit ai e trajton si pro-otomane, një organizim i cili synonte ta mbante Turqinë në Ballkan. Kryengritjet e vitit 1911 e 1912 që ndodhën në Kosovë, të prira nga një prej figurave më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, Hasan Prishtina, ai i konsideron si kryengritje anti-reformiste, pra që ishin kundër reformave të xhonturqve dhe prandaj i quan kryengritje, që nuk është e vërtetë fare, është shtrembërim i fakteve historike”, ka shpjeguar Kraja.

Sipas tij, deri në vitin 1912, Schmitti i konsideronte shqiptarët e Kosovës si myslimanë shqipfolës.

“Pas vitit 1913 këta myslimanë shqipfolës u bënë shqiptarë, pra pasi që pushtohen nga Serbia, pra janë gjëra që nuk më pëlqen as t’i dëgjoj”, ka thënë Kraja në DESKU të KTV-së.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *