KryesoreLajme

Të rinjtë në tkurrje në Shqipëri, numri i nxënësve në arsimin 9 -vjeçar ra me 3% këtë vit shkollor

Emigracioni i lartë dhe rënia e lindshmërisë po tkurr me shpejtësi popullsisë e re në moshë dhe për rrjedhoje po pakëson numrin e nxënësve në shkolla. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.

Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin parauniversitar 453.989 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,5%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 72.384 fëmijë, 1,5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 278.138 nxënës, 55,4% në arsimin fillor dhe 44,6% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2020-21, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 2,9% më pak nxënës. Në vitin shkollor 2021-22, 90,3% e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 9,7% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,7% të totalit.

Arsimi i mesëm ulje me 4.2% të numrit të nxënësve

Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin e mesëm 103.467 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,2%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në vitin 2021-22, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,3%. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (86,6 %).

Lexo më shumë  Trump: Ikim nga Irani pas 2 javësh, ata nuk do kenë armë bërthamore, qëllimi u arrit

Në vitin shkollor 2021-22, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.400, ndër të cilët 76,7% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,1 dhe në atë privat është 14,6. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,5 dhe në atë privat 7,3. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.658 prej të cilëve 69,2% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,8 në arsimin publik dhe 8,3 në atë privat.

Numri i studentëve rritet me 1%

Në vitin akademik 2021-22, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123.880 studentë, duke shënuar një rritje prej 0,1% krahasuar me 2020-21. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 76,3% të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-22, marrin pjesë 73.493 studente femra, ose 59,3% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë. Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 72.852 studentë duke shënuar një ulje prej 2,1% krahasuar me 2020-21. Në vitin akademik 2021-22, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët duket të preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,2% e numrit gjithsej të studentëve.

Lexo më shumë  Peci ndan nga 50 euro për fëmijët autikë të Mitrovicës

Rritet interesi për studime në inxhinieri dhe mjekësi

Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, vërehet ulje e numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 19,9% dhe “Arte dhe shkenca humane” me 13,1%. Nga ana tjetër, fushat “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” dhe “Shëndet dhe mirëqenie” paraqesin rritje të numrit të studentëve me përkatësisht 9,8% dhe 4,4%. /Revista Monitor/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *