Opinion/Aktualitet

Alexander Kluge: Kundërhelimin ta kërkojmë atje prej ku buron helmi

Si ta ndalojmë një spirale të se keqes? Intervistë me Alexander Kluge rreth luftës si një demon dhe rreth artit epran për të lidhur paqe.

Përkthyer nga Bekim Qoku

Zoti Kluge, si një 13 vjeçar ju keni përjetuar sesi është bombarduar vendlindja juaj nga ajri. Çfarë përjetoni ju sot si një 90 vjeçar kur shikoni sesi bombardohen qytetet ukrainase?

Luftën në Ukrainë po e ndjek përmes mediave. Kjo nuk është e njëjta gjë si me përvojën time imediate si 13 vjeçar. Pikërisht tani, pak para se të më telefononit, në studion time e preva një skenë filmi ku njerëzit tërheqin pas vetes një valixhe për të zënë trenat në stacionin e trenit të Kievit. Kjo është ajo që unë e njoh mirë. Këto njerëz kërkojnë një shteg për t’u arratisur. Ashtu sikurse ne atëherë. Do të desha që këtë lloje përvoje ta bëja temë qendrore. Muskujt dhe dejtë që vihen në lëvizje gjatë arratisjes janë tash e mijëra vjet të njëjtat. 

Luftë – ç’do të thotë kjo për ju?

Një demon që nuk hap krahun. Ai përgjon dhe pastaj qëllon. Pa ndonjë shkak të vërtetë, thjesht duke dërdëllitur. Në antikitet demonët i kanë dalluar përmes faktit se ata kanë dërdëllitur pa pushim. Në Konferencën e sigurisë në Munih po përsëriten pareshtur preambulat dhe tekstet nga traktatet e aleancave që paraqesin vendosmëri. Nuk lypset guxim vetëm ndaj armikut, por edhe ndaj mikut. Ja të marrim Somnambulët e vitit 1914(The Sleepwalkers; vër. e përkth.). Aty kemi një Rajhgjerman që nuk ka asnjë arsye të bëjë luftë. As Antanta(Franca, Anglia dhe Rusia; vër. e redaksisë) nuk kishte atëkohë as arsyen, po as vullnetin për të nxitur një luftë;me përjashtim të një departamenti nga Ministria për Punë të Jashtme e Rusisë që, me t’i mësy Bosforit,kërkonte të kompensonte humbjet që pësoi Rusia në luftën kundër Japonisë në vitin 1904. Përveç ca nxitësve, mund të zbuloj me këtë rast vetëm disa nëpunës në Vjenë që dërguan kriminalistë në Beograd për të arrestuar agjentë serbë të shërbimeve sekrete. Ky qe vetëm preteksti i jashtëm për ultimatumin austriak i cili nga ana tjetër solli një ultimatum të Rusisë; pastaj, për hir të besnikërisë së Nibelungëve, gjermanët duhej t’i dilnin zot aleatit të tyre që ngatërroi këmbët këtu. Mirëpo ata nuk e bënë këtë për të zmbrapsur Rusinë, por për të sulmuar Francën. E për këtë atyre u duhej të kalonin përmes Belgjikës, gjë që e fut Anglinë në lojë. E shikoni se sa jo e drejtpërdrejtë, sa abstrakte dhe sa e ndërthurur është e gjithë kjo punë. Sa retorike që duket dhe, në një mënyrë të veçantë, sa joreale. Por pikërisht kjo jorealja krijon një realitet në formën e tij më të vrazhdë; në këtë rast, krijoi një luftë të tmerrshme katërvjeçare, një zhvendosje të civilizimit.

Në librat tuaj ju gjithmonë përshkruani në një mënyrë mbresëlënëse ndjeshmërinë trupore të luftës. Çfarë di trupi juaj për luftën?

Kujtimet e mia për luftën janë aq intensive dhe goditëse saqë ende sot më dhëmbin si dhe më rrisin vëmendjen. Kur qytetin ku jetoni e bombardojnë, humbet një pjesë e besimit. Unë jam lindur në një të diel. Ideja se jam çun me fat, i përkëdheluri mamasë dhe i mbrojtur nga engjëjt, shuhet tretet shpejtë me bombardimet. Në të vërtetë, vendimtare nuk është sulmi me bomba në vetvete, por flakët që vijnë më pas dhe shkrumbojnë qytetin. Nuk e imagjinoni dot sesa konkret është paniku. E mora motrën për dore dhe shkuam diku pranë banjave publike. Mendova se do na bëjë mirë nëse kemi ca ujë mes nesh dhe flakëve. Banja është larg rreth tre kilometra. Në një situatë të atillë, të krijohet një lëmsh mendimesh dhe perceptimesh. Në bodrumet mbrojtëse antiajrore dëgjohet mirë. Dëgjon se si intensifikohen uturimat e motorëve dhe thua me vete, ja, tani vjen ai dakiku i rrezikshëm. Po jo, është ai çasti kur bombat janë hedhur tashmë dhe motorët nuk punojnë. Avionët nuk kanë më peshën e rëndë, prandaj dëgjohet kjo zhurmë ulëritëse. Në fakt, këso zhurme dëgjon gjatë gjithë kohës. Dëgjon përcëllimën e flakëve, ciflave të xhamit dhe rrënojave në lagje. Por në të njëjtën kohë mendja më shkon te mësimi i pianos që kam në orën 2, që me siguri nuk do mbahet. E vini re se si gjithçka është e çakorduar, s’ka logjikë. Koka dhe arsyeja nuk bashkërendohen dot. 

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Në veprën tuaj Libri i komentareve ju shkruani se gjuha nuk arrin t’i përshkruajë zhurmat e avionëve. As regjistrimet audio nuk e riprodhojnë dot këtë zhurmë. Psikoanalisti Zhak Lakan “realen” e quan atë që paraqitet përmes konstruktit të simbolikes dhe imagjinares. A është luftë në këtë kuptim – reale?

Tejet reale. Si dhe pështjelluese. Edhe gjatë kohës kurbinin bombat, mendoja me vete se ç’mund të thosha nesër në shkollë. Tjetra është se të rrok frika. E mban ajrin, sepse ke dëgjuar se të shqyhen mushkëritë nga shtypja e ajrit.

Në librin tuaj ju e përshkruani një situatë tamam si kjo, një klase shkollore i ndodh pikërisht kjo që thoni.

Mu për këtë ne nxirrnim frymën në bodrumin ku fshiheshim. Fiken dritat dhe rrëzohemi në tokë nga bankat ku qemë ulur. Mbeta shtrirë mbi këmbët e babait. Babai im është një person me autoritet për ne. Nuk mund të shtrihesh dosido mbi këmbët e babait. E kuptoni që lufta shpleks dhe çrregullon të gjitha raportet. Kur nis njëherë lufta, ajo e lartëson vetë pastaj ekzistencën e saj. Lufta “ëndërron për dhunën e saj absolute”, për tre ekstremet, siç e quan Klauseviç.

Fill pas fillimit të luftës në Ukrainë, gazetës DieZeit i patët thënë se nuk jeni pacifist. Çfarë kuptoni me këtë?

Pacifistët kujtojnë se po demonstruan dhe po e dëshiruan paqen, paqja do u vijë. Kjo nuk mjafton.

Po çfarë mungon?

Do ta shpjegoj duke marrë shembullin e një sherri midis një çifti bashkëshortor. E njoh një aktore që ka dy fëmijë dhe një burrë që e dashuron. Por burri bie papritur në dashuri me një grua shumë më të re me të cilën do që të martohet. Tani mund të ndodhë që gruaja e tradhtuar të kërkojë hakmarrje. Ajo di shumë gjëra për këtë burrë për t’ia shkatërruar atij karrierën tërësisht. Ajo madje mundet edhe ta denoncojë. Mirëpo pasi ajo mori disa këshilla, ndërmerr diçka krejtësisht tjetër. E vë në përdorim profesionin e saj, shkathtësinë e saj prej aktoreje. Me ndjeshmëri të lartë ajo sillet në mënyrë profesionale. Mbi të gjitha ajo nuk ngutet. Fiton kohë duke mos e sulmuar të shoqin, madje as duke mos folur keq për vajzën e re tek e cila ai ka rënë në dashuri. Pas nja nëntë muajsh ajo e kthen burrin e saj. Ato janë sot ende të martuar dhe të dy fëmijët nuk rriten nga prindër të divorcuar. Kështu mund të përshkruhet një marrëveshje paqeje.

Por si e ktheu gruaja saktësisht burrin e saj? Si dukej metoda e saj?

Njohuritë që i ke nga të tjetër, nuk i përdor kundër tij porse për të. T’i mundësosh atij ta rigjejë veten dhe të shohë se atij nuk i duhet ajo vajza e re dhe se ky devijim ndaj saj është i panevojshëm.

Po si ta përkthejmë këtë tani me rastin e Ukrainës?

Gjithçka është më e vështirë sepse nuk bëhet fjalë më për dy njerëz. Unë po bisedoj këtu me ju. Ne të dy nuk vendosim për luftën dhe paqen. Mirëpo ne punojmë në një sferë të përbashkët publike. Ka dallim nëse kjo sferë publike merret me strukturën e ardhshme mbrojtëse të Evropës apo nëse do të kujdeset vetëm për unitetin e vet, pra thjesht njëlloj empatie pa përmbajtje praktike. Nuk jam pra i sigurt se ku gjendet orientimi i publikes për të cilën po diskutojmë këtu. Se a është Putini i çmendur apo maniak, këtë nuk e di. Unë qasem ndryshe: vendosem nën lëkurën e një rusi që e njoh dhe me të cilin kam bashkëpunuar. Ishte ambasador në Gjermani dhe mendon “rusisht”. Në Lindje ai kishte një rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit që i parapriju rënies së sistemit të vjetër. Ai quhet Valentin Falin. Nuk jeton më, megjithatë mund të evokoj mendimet e tij. Nga ai e dëgjoj këshillën se, kundërhelmi duhet kërkuar atje prej ku vjen helmi. Ai do të më thoshte se është kuzhina e djallit ajo që përçan strukturën e sigurisë.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Çfarë mendoni me këtë më saktë?

Kur Gorbaçovi humbi pushtetin në vitin 1991, pati një strukturë të çarmatimit dhe të sigurisë e cila u shkatërrua si rezultat i mendjelehtësisë dhe pakujdesisë. Në vitin 1997 zgjerimi i NATOs arriti një konsensus edhe pse Jelcini e kundërshtonte. Pastaj erdhi Bushi i ri. Në konferencën e NATOs në Bukuresht, ai kërkoi që në një afat jo të largët, në NATO të hyjnë Gjeorgjia dhe Ukraina. Gjermania me Francën nuk e ndanin këtë mendim. Por ata megjithatë nguruan të dalin kundër aleatit të tyre të madh. Kështu që u ra dakord mundësia e aderimit por vendimi përfundimtar do të merrej më vonë në kohë. Kjo për Falinin ishte e paqëndrueshme. Çdo katër vjet ndërrohet presidenti i SHBA-ve. Kurrkush nuk mund ta dijë se në ç’gremina do na hedhë e ardhmja. Po t’ishte kufiri i NATOs në lindje të Çarkovit, me siguri se raketat atëherë do vendoseshin atje ku ishte vendosur edhe ushtria e Hitlerit në vitin 1942. Kjo nuk është proporcionale. Se a do të ndodhe kjo, mbetet e parashikueshme. Një super fuqi është, të paktën përsa i përket pozitave të aparatit të saj të sigurisë, si një kafshë virtuale. Sa më pranë që i afroheni kafshës së egër, ajo do të kafshojë. Por nëse asaj i jepni një siguri, ashtu si një domator që nuk ia shkel zonën e sigurisë, atëherë do të mund të fusni madje edhe kokën në gojën e luanit. Për këtë lipset profesionalitet. E njëjta vlen edhe për zonën e intimitetit tek njerëzit. Ju mund të puthni dikë, ju mund ta përqafoni, por për këtë lipset përgatitje dhe pak atmosferë.

Domethënë qasja juaj do të ishte që këtë luftë duhet vështruar nga një perspektivë tjetër. Furnizimi i Ukrainës me armë është qasja e gabuar, sipas pikëpamjes suaj?

Keni plotësisht të drejtë. Ju kësisoj po luani me zjarrin.

Por çfarë ndodh nëse pala tjetër as që do t’ia dijë për arsyet racionale? Çfarë nëse Putini është vërtet i krisur?

E di se nuk di asgjë. Nuk ka asnjë luftë ku për palën tjetër nuk thuhet se është e çmendur. Veç tjerash, edhe një i çmendur ka arsye.

Mirëpo një arsye që ndjek vetëm logjikën e vet.

Presidenti Nikson, i cili detyrën e la për shkak të aktiviteteve kriminale, mburrej me faktin se përparësia e tij gjatë negociatave ishte kur pala kundërshtare e konsideronte për të marrë. Ky njeri së bashku me Henri Kisinxherin ka arritur një marrëveshje paqeje me Vietnamin dhe një mirëkuptim me Kinën. Le të pandehim se na del përpara një grabitës banke. Ne nuk e dimë nëse ai është i krisur, është i motivuar politikisht apo do vetëm pare. Por ai ka marrë pengje. Nuk do të desha ta mbështes për muri. Sepse as i çmenduri nuk lejon të mbështetet për muri. Nëse e mbështet për muri ai do të qëllojë. Pra, do të përpiqesha që ta ndikoj imagjinatën e tij, në mënyrë që bashkë me mua dhe me pengjet të dalim paq nga kjo situatë e rëndë. Do kujdesem për qëndrimin tim, që në këtë rast është emocional, sepse vdekja e pengjeve nuk mund tëjustifikohet as me të gjithë paret e botës. Të thuash se Putini është maniak, kjo nuk shpjegon gjë. Këtë fakt ne nuk e konstatojmë dot këtu në këtë bisedë. Vetëm pasi të ketë hedhur bombën atomike mund ta dimë se është maniak. Por kjo nuk duhet të ndodhë. Kur zura pak më parë në gojë Falinin, me vetëdije të plotë ula stekën e unit tim. Nuk po them: e di, e di!

Ç’duhet të besojmë në situatën ku ndodhemi?

Çdo prapësi ka cenet e veta. Ashtu si vëllezërit Grim qëmtonin përrallat, ashtu edhe ne duhet të kërkojmë çastin ku do të çalojë lufta. Publiku duhet të jetë gati për këtë cen. Nuk duhet të na shkojë kot. Ai do të jetë çasti kur të dy kundërshtarët janë të dobët, që të dy do të jenësakaq të gatshëm për të bërë paqe.

Alekxander Kluge është kineast, shkrimtar, filozof, jurist dhe një nga figurat intelektuale më të rëndësishme të Gjermanisë. Shtëpia botuese Suhrkamp sapo ka botuar librin e tij “Das Buch der Kommentare. UnruhigerGarten der Seelse” (Libri i komentareve. Kopshti i trazuar i shpirtit).

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *