Maqedonia e Veriut kërcënon me burg mbështetësit e krimeve të luftës në Ukrainë
Prokuroria dhe policia në Maqedoninë e Veriut kanë ndërmarrë një aksion për të hetuar dhe dënuar personat që nxisin gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale në mbështetje të luftës në Ukrainë.
Përmes një njoftimi për mediat Prokuroria në RMV ka rikujtuar kodin penal të vendit, sipas të cilit për ata që mbështesin këto veprime dhe nxisin të tjerët në urrejtje parashikohet dënimi nga 1 deri në 5 vite burg.
“Miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës paraqet krim sipas nenit 407 të Kodit Penal. Ligji parashikon se kushdo që publikisht mohon, minimizon, miraton dhe justifikon akte të tilla nëpërmjet një sistemi informacioni, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Nëse vepra është kryer me qëllim të nxitjes së urrejtjes, diskriminimit ose dhunës ndaj një personi ose grupi personash për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike ose racore ose fetare, kryesi dënohet me së paku katër vjet burgim”, bëhet me dije në njoftimin e Prokurorisë së RMV.
Ditët e fundit në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut ka pasur komente të ndryshme në mbështetje të akteve të dhunës të ushtrisë ruse në Ukrainë, sidomos pas publikimit të pamjeve të masakrës në Bucha.
Rruga Press