Bota

Qëndrimi pro-rus në Serbi shihet si fitues i zgjedhjeve

Associated Press

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka ushqyer lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë, pritet ta zgjasë kontrollin e tij pothuajse 10-vjeçar mbi pushtetin në Serbi në zgjedhjet e së dielës.

Sondazhet parashikojnë se Vuçiq, një populist që është mburrur për lidhjet e tij personale me presidentin rus Vladimir Putin, do ta fitojë edhe një mandat pesëvjeçar si president. Partia e tij Progresive Serbe e krahut të djathtë gjithashtu pritet të vazhdojë me dominimin e parlamentit të Serbisë.

Mirëpo sondazhet japin një garë të ngushtë të qeverisjes lokale në kryeqytet, Beograd. Një humbje për partinë e Vuçiqit atje mund ta minojë sundimin e tij gjithnjë e më autokratik.

Shumica e partive politike që marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale, të përgjithshme dhe komunale anojnë djathtas, duke i reflektuar qëndrimet konservatore mbizotëruese në mesin e 6.5 milionë votuesve të Serbisë. Megjithatë, një koalicion i ri i të majtës së Gjelbër fushata e së cilës konsisiton në nevojën për t’i trajtuar problemet mjedisore të neglizhuara prej kohësh po garon gjithashtu me kandidatë.

Zyrtarët e partisë opozitare thonë se lufta e Rusisë në Ukrainë vetëm sa e ka forcuar dominimin e Vuçiqit në politikën serbe dhe në mediat kryesore. Menjëherë pasi tankset ruse hynë në Ukrainë, slogani zgjedhor i presidentit ndryshoi në “Paqe. Stabilitet. Vuçiq.”

“Lufta e ka larguar vëmendjen e publikut nga ajo që po ndodh në Serbi dhe sigurisht, me mbështetjen e mediave, i mundësoi Vuçiqit ta fajësojë krizën për gjithçka që është e gabuar në Serbi,” tha Dragan Djilas, udhëheqës i koalicionit më të madh opozitar Serbia e Bashkuar gjatë një interviste.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

“Këtu publikohen çdo ditë shkrime lidhur me atë se si një kilogram bukë kushton 9 euro në Itali dhe Gjermani, se si kanë mungesë në karburante, se si do të ketë triko ushqimore dhe sa të mirë jemi ne”, tha Djilas.

“Njerëzit janë të frikësuar dhe kjo u përshtatet gjithmonë autoriteteve, sepse njerëzit thonë, ‘Të mos ndryshojmë asgjë tani’.”

Serbia, aleate tradicionale e Rusisë, i ka refuzuar thirrjet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës, duke i përmendur interesat kombëtare.

Përfaqësuesi i Serbisë në Kombet e Bashkimit votoi në favor të një rezolute që e dënon sulmin e Moskës ndaj shkeljeve të ligjit ndërkombëtar.

Pavarësisht se qeveria serbe thotë se po kërkon anëtarësimin në BE, Vuçiq dhe aleatët e tij janë përmbajtur nga dënimi i Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, një shenjë e mundshme që ata duan ta shmangin largimin e votuesve pro-rusë përpara zgjedhjeve të së dielës.

Pjesa më e madhe e ndjenjave pro-ruse mes serbëve vjen nga urrejtja e tyre ndaj NATO-s; aleanca ushtarake perëndimore e bombardoi Serbinë në vitin 1999 për ta ndaluar sulmin e përgjakshëm serb ndaj shqiptarëve etnikë që kërkonin pavarësinë e Kosovës, një provincë serbe në atë kohë.

Ish-ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të ishte e barabartë me “vetëvrasje politike” sepse Moska e ka bllokuar anëtarësimin në OKB për Kosovën, e cila e shpalli pavarësinë në vitin 2008.

“Nëse jemi të gatshëm të heqim dorë nga Kosova, atëherë mund të vendosim sanksione ndaj Rusisë”, tha Daçiq.

“Por nëse nuk jemi gati, atëherë nuk mundemi.”

Mijëra njerëz në Serbi kanë dalë në mitingje pro-Putinit gjatë pushtimit pesë-javor, duke valëvitur flamujt rusë dhe duke e shfaqur shkronjën Z – një simbol që shihet në automjetet ushtarake ruse në Ukrainë. Mbështetja për Moskën e bën Serbinë disi më përjashtuese në Evropë.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Zyrtarët opozitarë thanë se pavarësisht kontrollit pothuajse të plotë të medias nga Vuçiq dhe narrativës pro-ruse që është krijuar përpara zgjedhjeve, ata presin një rezultat të mirë të dielën.

“Sa na përket neve, situata në Ukrainë është shumë e qartë. Bëhet fjalë për agresionin rus dhe ne e kemi dënuar menjëherë,” thotë Dobrica Veselinoviq, e cila kandidon për kryetare të Beogradit si kandidate e koalicionit ambientalist ‘Moramo’ (Ne duhet).

Sondazhet zgjedhore parashikojnë se Vuçiq do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të dielën. Nëse ai nuk merr më shumë se 50% të votave, do të përballet me një balotazh të paparashikueshëm brenda dy javësh, me gjasë kundër kandidatit opozitar Zdravko Ponos, një ish-gjeneral i ushtrisë i arsimuar në Perëndim.

Zgjedhjet për ligjvënësit e Kuvendit Kombëtar nuk ishin planifikuar deri në vitin 2024, mirëpo Vuçiq i shpalli zgjedhjet e parakohshme pas kritikave nga BE se zgjedhjet e Serbisë në vitin 2020 nuk ishin të lira dhe të drejta. Opozita i pati bojkotuar ato zgjedhje.

“Nuk shoh ndonjë ndryshim midis këtyre dy palë zgjedhjeve dhe atyre të dy viteve më parë,” thotë analisti politik Slobodan Stupar.

“Do të formohet një parlament në të cilin Vuçiq do të ketë më pak ligjvënës se tani. Ai do të jetë në gjendje t’i thotë Evropës, ‘Po, ne jemi një vend demokratik. Shihni sa armiq kam në parlament.”/Kallxo

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *