Opinion/Aktualitet

Një a dy Atdhe i kanë shqiptarët?

Nga Rexhep Qosja

Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!

Gabim i dyfishtë.

Fjala At- dhe vjen prej fjalës toka, dheu i babait, i gjyshit, i stërgjyshit. Dhe i të parëve të tjerë.

Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin.

E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!

Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po.

Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme.

Lexo më shumë  Njeriu që do të merrte guximin para dy javësh ta thoshte se ligji për "gjykatën speciale" synon vetëm manipulimin e masave do të përballej me një fushatë brutale linçimi

Nuk ka dyshim se edhe për pasardhësit e atyre që thonë sot se Kosova është i vetmi Atdhe i tyre, pashmangshëm do të vijë dita kur do të thonë se Shqipëria e bashkuar me Kosovën, se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, është Atdheu i tyre, siç ishte kurdoherë. Mospajtimi me këtë ideal kombëtar domethënë mospajtim me kohezionin shpirtëror, shoqëror, moral e kombëtar të shqiptarëve që është kusht i zhvillimit e i përparimit të tyre.

Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *