PS-ja “dorëzon” deputetin Alqi Bllako, pritet arrestimi i tij
Me gojën e Taulant Ballës, Edi Rama ka bërë me dije se nuk do t’i bëjë ‘avokatinë’ deputetit të saj, Alqi Bllako, arrestimi i të cilit është kërkuar nga SPAK.
Për shkak të imunitetit që gëzon si deputet i zgjedhur, Kuvendi duhet t’i japë autorizim institucioneve të drejtësisë për arrestimin e tij.
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla thotë se “PS nuk do të jetë asnjëherë zyrë avokatore për askënd brenda saj që vendoset në përballje me drejtësinë”.
Balla lajmëroi se mbledhja e Këshillit të Mandateve është caktuar të mbahet të mërkurën në orën 18:00.
Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë vonesë dhe gjithçka do ecë sipas procedurave të përcaktuara nga Kuvendi.
“Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë për të çuar përpara një arritje që Shqipëria e ka të pakontestueshme, Reforma në Drejtësi që po jep rezultate”, përfundoi Balla.
Alqi Bllako akuzohet nga SPAK si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Sipas hetimeve, Bllako dyshohet se ka abuzuar me detyrën dhe ka qenë i përfshirë në korrupsion kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Rruga Press