Ushtria ruse ka qenë dhe mbetet një shkollë skllevërish
Secili brez në Rusi bën luftën e vet. Mirëpo ushtarët mbesin në të gjithë kohërat të njëjtit. Atyre nga të ngjashmit e tyre u imponohet dhunshëm bindja e verbër.
Shkrim nga Michail Schischkin, për NZZ, përkthyer nga Bekim Qoku
Plani i luftës i shtabit të përgjithshëm rus parashikoi që NATO me forcat e tij ushtarake nuk do të përzihej në të ashtuquajturin çlirim të Ukrainës. Tekefundit përse duhej bota të përpihej nga flakët nukleare për njëfarë Mariupolsi? Hesapi doli tamam. Nuk do të ketë as zona ndalim-fluturimi mbi qiellin e Ukrainës.
Ndërkaq shërbimet sekrete të SHBA-ve nga ana tjetër, e kanë ditur saktë se sa tanke, avionë luftarak dhe raketa ka Rusia. Ata kujtuan se Ukraina do të mundej ushtarakisht pas vetëm disa ditësh. Amerikanët në këtë sens i kanë bërë llogaritë gabim. Luftën nuk e vendosin tanket, por ushtarët. Ushtria ruse dështoi. Ukrainasit e dinë se për çka luftojnë. Thua e dinë ushtarët rusë?
Rusia po e humbet luftën në Ukrainë. Ushtarët i braktisin tanket nga frika dhe ikin. Ofensiva ka ngecur, ndërsa ushtarët janë të demotivuar. Atyre u mungon karburant, ushqim. Shembull flagrant për gjendjen e mjerë të ushtrisë ruse është furnizimi i racioneve ushqimore. E gjithë bota shtangu nga imazhet që qarkulluan në vitin 2015 me racionet e skaduara ushqimore që kishin me vete ushtarët e vrarë apo të zënë rob. Për të mos vdekur urie, ushtrisë së Putinit i duhet të plaçkisë. E tërë kjo na thotë se ushtria e re e Rusisë ka ngelur ajo e vjetra e Bashkimit Sovjetik, një ushtri e të uriturve.
Me barkun bosh në fushëbetejë
Kam kryer shkollën ushtarake si përkthyes ushtrie në fakultetin pedagogjik në Moskë. Jam oficer i ushtrisë Sovjetike, toger rezervist. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur lexova betimin në kazermën ushtarake në Kowrow: “Betohem deri në pikën e fundit të gjakut se do të mbroj atdheun tim socialist.” Pastaj putha flamurin që mbante erë peshku të tymosur. Komandantët tanë kishin pirë birrë, kishin ngrënë peshk dhe në fund i kishin fshirë duart me flamur. Ushqimi në ushtri ishte mizerabël. Na jepnin për ditë një bollgur me një asisoj qulli. Zorrët na gërhisnin çdo ditë nga uria, kurse të dielave dilnim e u mësynim fshatrave më të afërt. Aty vidhnim nëpër bahçe kryesisht zarzavate, i shkundnim pemët e mollëve dhe më vonë thuajse të gjithëve na zinte barku.
Më së shumti na pëlqente kur kishim shërbim në kuzhinë. Aty madje na dukej si me qenë në festë, sepse aty mund të haje sa të të donte qejfi. Sa herë hapnin konservat me mish, gjysmën e hanim vet fshehurazi, gjysma tjetër përfundonte pastaj mbi tavolinën e oficerëve. Për ushtarët e thjeshtë mbetej vetëm lëngu pa mish. Kurrkujt as s’i pengonte e as i dukej e pahijshme t’ia merrje tjetrit ushqimin nga tasi. Në fund të fundit që të gjithë e bënin të njëjtën gjë sa herë u vinte radha të shërbenin në kuzhinë.
Çdo ushtri pasqyron kuintesencën e rendit shoqëror. Ushtria ruse luan një rol të rëndësishëm shoqëror në vend, ajo është një vatër e edukimit sentimental. Ushtria ruse ka qenë dhe mbetet një shkollë skllevërish.
Thelbin e shërbimit ushtarak mund ta kuptojmë më së miri përmes “Kodit të sjelljes që nuk bazohet në rregulla dhe udhëzime”, përmes ligjeve të pashkruar e të pathyeshëm, përmes asaj që quhet Dedovçina. Pozita e një ushtari në hierarkinë sociale varet sa kohë ka shërbyer. Ushtarët më të vjetër ushtrojnë në fakt një pushtet të pakufizuar mbi rekrutët e rinj, dhe këtë pushtet ata e përdorin çdo ditë për t’i detyruar rekrutët të kryejnë punë të rënda.
Ushtarë vdesin për çdo ditë edhe në kohë paqeje
Do që si rekrut të mbijetosh? Atëherë së pari duhet që të bëhesh skllav, të heqësh dorë nga dinjiteti yt njerëzor. Më vonë nga skllavi do të bëhesh padron dhe atëherë të vjen radha ty t’i rrahësh të rinjtë, t’u pshurrësh çizmet, t’i detyrosh të hanë fetën e bukës të lyer me bojë këpucësh, t’u zhvatësh ushqimet që ua kanë sjellë nga shtëpia. Shumica e burrave rus e kalojnë këtë përgatitje prej skllavi dhe këto aftësi të fituara i bartin pastaj në çdo familje. Është tmerrues brutaliteti i konflikteve të përditshme në vendin tim. Tolerancën pothuajse nuk e njeh njeri.
Në vitin 2006 Fondacioni Konrad-Adenauar publikoi raportin “Gjendja e forcave ushtarake ruse” nga ku dolën këto shifra: Për çdo vit kryhen rreth 130 000 vepra penale. Kundër 15 700 ushtarëve dhe oficerëve janë ngritur kallëzime penale, 15 000 prej tyre janë dënuar. Mëse njëmijë ushtarë dhe oficerë janë dënuar me heqje lirie për vjedhje të armëve, teknikës, pajisjeve dhe të mjeteve financiare. 40 përqind e veprave penale janë për ushtrim dhune fizike. Çdo muaj vdesin (në kohë paqeje!) mesatarisht 88 ushtarë dhe oficerë, që bën 1064 në vit. 276 prej tyre duke kryer vetëvrasje dhe 16 për shkak të keqtrajtimeve nga ana e eprorëve apo e ushtarëve të tjerë.
Dhe këto ishin shifra nga burime publike. Më pas filloi reforma putiniste e ushtrisë. Viteve të fundit, të dhënat si këto, sipas gazetës opozitare “Nowaja Gaseta”, mbeten sekrete. Ministri i mbrojtjes potencoi disa herë se Dedovçina në ushtri është çrrënjosur tërësisht. Që kjo nuk është e vërtetë, dëshmojnë rregullisht raportimet e mediave rreth ushtarëve të cilët gjuajnë me armë mbi kolegët e tyre dhe arratisen. Për të qenë i sinqertë, duhet thënë se ushtria në Rusi luan gjithashtu edhe një rol civilizues. Në 25 shkurt të vitit 2015 ministri i atëhershëm i mbrojtjes Sergei Iwanow deklaroi në Duma se: “Shumë nga rekrutët e rinj shohin për herë të parë një WC, një furçë dhëmbësh dhe tre vakte në ditë. Për këtë arsye edhe nuk është e lehtë për të edukuar këso ushtarësh.”
Një tank prishet në Sheshin e Kuq
Kush pat thënë se çdo brez duhet të ketë luftën e vet? Në Rusi kjo është e vërtetë. Dy miq të mi ranë në Afganistan. Brezi tjetër mori pjesë në luftërat në Çeçeni. Janë të panumërta raportimet e veteranëve që paraqesin të njëjtin imazh të ushtrisë ruse: uri dhe korrupsion. U bë zakon që komandantët t’u shesin armë dhe informacione kryengritësve çeçen. Me fjalë të tjera, të shesin jetën e ushtarëve të vet. Gazetari i mirënjohur Arkadi Babçenko, i cili edhe vetë kishte luftuar në Çeçeni, formuloi parimin e famshëm moral të ushtarit në ushtrinë Ruse: “Atdheu yt do të lërë gjithmonë në baltë, biri im, gjithmonë.”
Tani, edhe ky brezi tjetër gjeti luftën e vet. Imazhi i një ushtrie të reformuar, moderne, e gatshme për betejë u tregua të jetë një iluzion, vetëmashtrim i propagandës putiniste. Nëse i tërë regjimi kriminal bazohet në korrupsion dhe abuzim me paratë shtetërore, kjo do të prekë pikësëpari shpenzimet tepër të mëdha në drejtim të reformës dhe modernizimit të ushtrisë. Të gjitha përpjekjet për reforma dështuan pikërisht për shkak të praktikave jo transparente sesi shpenzohen paratë publike. As shpenzimet marramendëse për ushtrinë nuk arritën ta ndryshojnë gjendjen kritike. Është e famshme koritja e industrisë së armatimit, kur në maj të vitit 2015 një tank i gjeneratës Armata T-14 u prish dhe mbeti në Sheshin e Kuq, që pastaj të largohej me karrotrec. Prodhimet e këtyre llojeve të teknologjive ngecën rrugës. Pajisjet tjera ushtarake janë vjetërsuar tashmë dhe datojnë nga koha e Bashkimit Sovjetik.
Sa i përket luftës në Ukrainë, ushtria ruse zbaton të njëjtat taktika të sprovuara si në të gjithë luftërat e mëparshme, do të thotë, se ajo hedh në zjarr pareshtur masa të mëdha ushtarësh. Rusia ka një përparësi që nuk e ka e gjithë bota e civilizuar: Putini nuk e vë fare ujin në zjarr se sa mijëra apo dhjetëra mijëra ushtarë ai do t’i sakrifikojë në Ukrainë. Më qartë këtë e formuloi “Marshalli fitimtar” Georgi Zhukov kur tha: “Nuk prish punë. Gratë ruse do vazhdojnë të pjellin ushtarë.”
Putini refuzoi ofrimin e KN të Kryqit të Kuq, transportimin e kufomave të ushtarëve rus nga Ukraina. Kjo është gjithçka që duhet të dimë për raportet e pushtetit me vegjëlinë në vendin tim.
Kur po vrisja mendjen se si ta përmbyll këtë tekst mbi ushtrinë ruse dhe ushtarët e saj, m’u afrua im bir e më pyeti? “Babi, si ka mundësi që në betejë, një ushtar këmbësor grek të ishte më i fuqishëm se dhjetëra ushtarë të mbretit pers?” E unë u përgjigja: “Ai ishte një qytetarë i lirë dhe mbronte lirinë e tij, kurse këta ishin skllevër.”
©Rruga Press