Restaurimi i godinës rihap diskutimin: Teatër apo Qendër kulturore “Aleksandër Moisiu”
Artistët shqetësohen se përtej ndryshimit fasadës qeveria mund t’i shtrembërojë indentitetin teatrit ‘Aleksandë Moisiu’ në Durrës.
Teatri “Aleksandër Moisiu” pritet ti nënshtrohet disa ndryshimeve restauruese.
Projekti parashikon bashkë me ndërhyrjet në pjesën e brendshme të godinës edhe krijimin e një fasade të re, ndryshe nga ajo që durrsakët janë mësuar të shohin që kur ky teatër u ndërtua në qendër të qytetit të lashtë.
Por artistët, të cilët i kanë dhënë jetë në vite skenës së teatrit, veç ndërhyrjeve në ndërtesë janë të shqetësuar për ndryshimin e identitetit të tij.
“Ne besojmë se skena teatrore duhet të jetë shtylla që mban në këmbë godinën e teatrit,” tha për BIRN regjisorja Driada Dervishi, e cila drejton trupën dramatike të Durrësit prej dy dekadash.
Sipas artistes me përvojë, godina mban emrin Teatri “Aleksandër Moisiu”, që kur u ndërtua në vitin 1965.
“Që nga ajo kohë, trupa teatrale ka ngjitur në skenë dhjetra drama e komedi nga dramaturgjia vendase dhe e huaj, duke tërhequr në sallë me mijra shikues që e adhurojnë magjinë e teatrit,” shton regjisorja Driada Dervishi, e cila vlerëson nismën për konsultime të kryetares së bashkisë me artistët, lidhur me ndërhyrjet restauruese në ndërtesë.
Skena e teatrit bregdetar është ndërtuar mbi kolona për të mos dëmtuar termat e periudhës romake, një dëshmi e rëndësishme e vazhdimësisë së jetës së qytetit antik në shekuj.
Megjithëse në pension prej kohësh, edhe artistët e tjerë që i dhanë gjallëri kësaj godine mendojnë se për zhvillimin e elementëve të tjerë të jetës kulturore duhen shfrytëzuar edhe hapësira të tjera.
“Deri në vitet 1990 për jetën kulturore në Durrës funksiononin kinoklubi “Mujo Ulqinaku”, teatri Veror në kodrën e vilës, Pallati “Rinia”, salla e Ndërmarrjes së Cigareve, galeria e arteve apo dy kinematë e qytetit,” tha për BIRN Haxhi Rama, regjisor i Estradës së qytetit.
Një pjesë e tyre iu kthyen ish-pronarëve, të tjera ndryshuan destinacion apo u dëmtuan, por fakti është që ato nuk i shërbejnë më kulturës.
Aktualisht në godinën e teatrit zhvillojnë veprimtarinë e tyre edhe Orkestra e harqeve, banda muzikore, fondet e galerisë së arteve apo veprimtaritë e bibliotekës.
Dirigjenti Petrika Afezolli pasi vlerëson rëndësinë e teatrit në jetën e qytetit thotë se ka ardhur koha që institucioni teatror të ketë një statut të shkruar, i cili do ta udhëheqë veprimtarinë e tij.
“Ky statut do ta shpëtojë teatrin nga rreziku i ndryshimeve jo vetëm si godinë, por edhe si strukturë dhe organikë,” tha Afezolli, sipas të cilit gjithësesi edhe teatri ka nevojë për elementet shoqërues, “si muzika apo koreografia dhe nuk mund të bëjë pa to”.
Në mungesë të hapësirave, në godinën e teatrit kanë funksionuar në periudha të ndryshme edhe teatri i Varietesë dhe ai i Kukullave, Banda frymore apo Ansambli popullor “Durrësi”.
Por aktualisht, në qytet mungojnë sallat alternative për veprimtari kulturore.
Salla “Black Box”, që u ndërtua nga bashkia në kompleksin e ri ndërtimor të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” vazhdon të jetë e papajisur me elementet e fonisë dhe të ndriçimit, çka i bën të pamundura koncertet e artistëve të moshave të ndryshme.
“Brenda godinës në fillimet e tij bashkë me Teatrin ka funksionuar edhe Pallati i Kulturës, si një drejtori më vehte,” tha për BIRN aktori Xhelal Tafaj, i cili shton se në periudha të veçanta i gjithë kompleksi është emërtuar Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu””.
Sipas aktorit Tafaj, drejtor i institucionit për disa vite, “teatri duhet të jetë një njësi institucionale më vehte, dhe po ashtu edhe Muzeu Etnografik apo Galeria e Arteve, të cilat sot vazhdojnë të jenë pjesë e organikës, njëlloj me teatrin.
Në fillim të viteve 2000, me insistimin e drejtuesve të saj biblioteka e qytetit u shkëput nga Qendra Kulturore.
Ishte një lëvizje që i jepte më shumë pavarësi “portës së dijes”, siç vazhdojnë ta quajnë bibliotekën, por sipas punonjësve të saj shpresohej edhe ndërtimi i një godine të re, e cila do ta nxirrte bibliotekën nga ndërtesa private ku u themelua në vitin 1945.
“Biblioteka vazhdon të jetë po aty, megjithëse Durrësi ka një popullsi 20 herë më të madhe,” tha regjisori Haxhi Rama.
“Megjithatë mundësia për ringritjen e institucioneve kulturore ekziston,” shtoi artisti durrsak.
Godina e ish-kinoklubit të portit “Mujo Ulqinaku” mund të shfrytëzohet si territor ku mund të ndërtohet një godinë polifunksionale disakatëshe dhe ku mund të instalohet bashkë me sallën e koncerteve, edhe galeria e arteve si dhe një bibliotekë e re për qytetin.
Pas shumë vitesh, që u shikua si një mundësi për të ndërtuar rektoratin e universiteti të Durrësit, tashmë godina thuajse e rrënuar i është rikthyer Autoritetit Portual.
“Një marrëveshje mes Bashkisë dhe Autoritetit mund ti japë qytetit në hapësirën pranë Torrës mesjetare, përmasën e munguar të disa institucioneve kulturore për qytetin e lashtë,” përfundoi Rama./reporter.al/
Rruga Press