Lavrov “vjell vrer” në mediat serbe për Kosovën:Kosova është shtet kriminal i vetëshpallur
Ministri i Jashtëm rus Lavrov ndërsa foli për mediet serbe tha se Kosova është një shtet kriminal i vetëshpallur që mban rekord për terroristët që luftuan në Siri e Irak dhe se pozicioni aktual i qeverisë Kurti krahas Ukrainës është vetëm për përfitim personal.
Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov është intervistuar nga mediet serbe të hënën ku sërish nuk përtoi të ripërsërisë vullnetarët apo mercenarët nga vendet e Ballkanit që shkojnë për të luftuar për Ukrainën.
Edhe këtë herë kryediplomati u ndal te Kosova.
Lavrov: Prishtina mban rekord për numrin e terroristëve që shkuan të luftojnë në Siri e Irak, në proporcion me popullsinë. Megjithatë kolegët tanë perëndimorë nuk na dëgjuan. Kroacia, Bosnje Hercegovina dhe Kosova mbajnë rekord për mercenarët në shtete të huaja. Shumë nga ata zënë hapësirat e televizioneve dhe është e qartë se ata nuk janë vullnetarë, por janë paguar për të luftuar dhe Evropa nuk i shikon këta.
I pyetur nga një gazetar serb se si e shikon mbështetjen që Kosova po i bën Ukrainës, Lavrov deklaroi se Prishtina po mundohet të fitojë terren kundrejt vendeve që nuk e njohin pavarësinë e saj.
Lavrov: Sa i përket mbështetjes së Prishtinës për Kievin, mendoj se situata është shumë e pastër. Prishtina është një shtet i vetëshpallur kriminal siç e dinë të gjithë. Kosova po kërkon të fitojë avantazhe nga situata aktuale për të detyruar shtetet e tjera që të njohin pavarësinë e saj duke e pozicionuar veten krah vendeve të tjera perëndimore apo NATO-s.
Së fundmi shefi i diplomacisë ruse tha se e mbështeste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke fajësuar Bashkimin Evropian për dështim në marrëveshjen mes dy vendeve, sidomos të asociacionin të komunave serbe.
Lavrov: Pozicioni ynë tashmë dihet, ne gjithmonë kemi mbështetur dialogun mes Beogradit e Prishtinës që ato të arrijnë një zgjidhje të pranueshme. Në vitin 2013 Bashkimi Evropian ndërmjetësoi marrëveshjen Kosovë-Serbi sa i përket formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili ende nuk është krijuar dhe BE qëndron në heshtje në mënyrë të turpshme. BE dështoi të bëjë ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka rrëzuar formimin e asociacionit për shkak se nuk ishte në harmoni të plotë me kushtetutën e vendit dhe se që kjo të arrihej duhej njohje reciproke mes dy vendeve.
Rruga Press