Bota

Bombat e raketat e Putinit po bien me furi, por ato kurrë nuk do ta shkatërrojnë kulturën e Ukrainës

Si pjesë e “luftës totale” të Rusisë, teatrot po bombardohen dhe intelektualët po vriten. Por, ne do të luftojmë për trashëgiminë tonë …

Nga: Andrey Kurkov, shkrimtar ukrainas / The Guardian

Ditëve të fundit, në Kiev u varrosën aktorja e njohur e teatrit, Oksana Shvets, dhe solisti i Operës dhe Baletit Kombëtar, Artem Datsyshyn. Këta interpretues vdiqën atëherë kur raketat balistike e goditën Kievin.

Në të njëjtën kohë, një bombardues rus e hidhte “me kujdes” bombën gjysmë-tonelatëshe në Teatrin e Mariupolit; brenda objektit, më shumë se një mijë qytetarë – përfshirë fëmijë dhe të moshuar – kërkonin strehë nga sulmet ajrore.

Lufta totale që Putini ia shpalli Ukrainës nënkupton se qëllimi i tij është që të jetë i sigurt se Ukraina do të pushojë së ekzistuari – bashkë me kulturën, me historinë dhe me gjuhën e saj.

Më 17 mars, në Moskë u zhvillua një takim mes funksionarëve rusë dhe figurave të kulturës ruse. Në deklaratën e lëshuar pas këtij takimi thuhet se figurat kulturore ruse e mbështesin plotësisht “operacionin special” të Rusisë kundër Ukrainës dhe se në “frontin kulturor” do të veprojnë së bashku me Kremlinin.

“Fronti kulturor” rus tashmë është i hapur dhe po depërton në Evropë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se vetëm Putini po lufton kundër Ukrainës dhe se pjesa tjetër e vendit nuk ka faj. Pra, nuk janë fajtorë shkrimtarët dhe poetët rusë që e nënshkruan një letër të hapur në mbështetjeje për Putinin e që u botua më 4 mars në “Literaturnaya Gazeta”!?

Ndërkohë, qendra gjermane e PEN-it e kundërshtoi bojkotin e produkteve kulturore ruse. Diku tjetër, shkrimtarët dhe muzikantët ukrainas që kanë mbështetur bojkotin e kulturës ruse janë akuzuar për radikalizëm dhe për gjuhë të urrejtjes. Shkrimtarët ukrainas po inkurajohen të ulen pranë figurave kulturore ruse nëpër skenat e Parisit dhe të Berlinit e të flasin për pajtimin.

Sa më shumë bomba dhe raketa bien mbi qytetet e Ukrainës, aq më radikalisht shkrimtarët dhe figurat kulturore ukrainase do t’ju përgjigjen këtyre kërkesave. Është e vërtetë se jo të gjithë do të përgjigjen – vetëm ata që janë ende gjallë. Ndër viktimat e fundit të luftës është profesori i Akademisë Teologjike të Kievit, Alexander Kislyuk, një përkthyes i famshëm nga greqishtja e vjetër, nga latinishtja, nga sllavishtja e lashtë, nga anglishtja dhe nga frëngjishtja. Falë tij, librat e Aristotelit, Tacitit, Thoma Akuinit dhe të shumë filozofëve dhe shkencëtarëve tjerë të lashtë, kanë dalë të përkthyera në gjuhën ukrainase. Ai nuk mund të marrë më pjesë në diskutimet për pajtimin, me kolegët rusë. U qëllua më 5 mars pranë shtëpisë së tij në fshatin Buça, afër Kievit.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Në një bodrum në fshatin Klavdievo, jo shumë larg Buçës, shkrimtari refugjat Vladimir Rafeenko po fshihet me gruan e vet – prej bombardimeve të pandërprera. U përpoqën të arratiseshin nga Klavdievo, për në Kiev, por granatimet dhe bombardimet e vazhdueshme të periferisë së Kievit e kanë pamundësuar këtë. U strehua në Kladievo, në vilën verore të shkrimtarit ukrainas Andriy Bondar. Tashti, është shkatërruar gjysma e fshatit Klavdievo.

Në fillim të luftës, një bombë ruse ra në muzeun kushtuar Maria Pryimachenkos – artistes më të famshme “naive” ukrainase – në qytetin Ivankov në veri të Kievit. Duke u përballur me flakët, banorët vendas i nxorën pikturat jashtë muzeut dhe i fshehën në mënyrë që, pas luftës, kur të ndërtohet muzeu i ri, koleksioni do të ekspozohet edhe një herë.

Në javën e parë të luftës, nga Ministria e Kulturës muzetë e Kievit kanë marrë udhëzime për t’i evakuuar koleksionet drejt Ukrainës perëndimore. Disa muze thjesht i fshehën koleksionet e veta nëpër bodrume; disa ia dolën të paketonin gjithçka në kuti dhe tani po e presin transportin për jashtë qytetit. Por, transporti po mungon – prioritet është evakuimi i njerëzve dhe dërgimi i furnizimeve humanitare. Mbrojtja e trashëgimisë sonë kulturore duhet të zë vend dytësor.

Në gjithë Ukrainën lindore, juglindore dhe qendrore janë shkatërruar universitetet, bibliotekat dhe shkollat. Institucionet arsimore nuk kanë vlerë strategjike, por ato me të vërtetë po përdoren si qendra humanitare, si depo ndihmash dhe si qendra refugjatësh. Trupat ruse janë këtu thjesht për ta shkatërruar çdo infrastrukturë publike, pavarësisht nga numri apo nga natyra e viktimave.

Megjithatë, mësimet në shkolla dhe në universitete do të rifillojnë në të gjithë Ukrainën, që nga 1 prilli. Ligjëratat, mësimet dhe seminaret do të jenë online, kjo si për sigurinë e studentëve dhe të mësimdhënësve, ashtu edhe si pasojë e shkatërrimit fizik të godinave të universiteteve dhe shkollave.

Rënia e cilësisë së arsimit është pasojë e pashmangshme e kësaj lufte dhe ajo vjen pas dy viteve të rënies së standardeve për shkak të pandemisë. Por, bashkë me hidhërimin dhe me dhimbjen, studentët mund ta ndiejnë gjithashtu rritjen e motivimit për të studiuar më mirë dhe për ta edukuar veten në një kohë kur arsimi është kthyer në profesion dytësor. Në fund të fundit, detyra kryesore e të gjithë qytetarëve të Ukrainës sot është që ta mbijetojnë luftën.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Viktimë më vete e agresionit rus është vetë kultura ruse. Ukrainasit me shumicë po e refuzojnë atë, në një si reagim spontan që nuk e kërkoi asnjë vendim parlamentar. Në fakt, Parlamenti ukrainas e ka miratuar ligjin që i ndalon importet për shitje të librave dhe të botimeve ruse. Natyrisht, në territoret e pushtuara nuk do të ketë libra ukrainas, derisa ato të çlirohen. Për momentin gjithçka do të jetë ruse. Radioja dhe televizioni ukrainas janë ndërprerë dhe ju mund t’i kapni vetëm kanale ruse që e transmetojnë propagandën e Kremlinit. Në territoret e pushtuara ka ende shkrimtarë, gazetarë dhe shkencëtarë ukrainas, por fati i tyre është i pasigurt. Prej disa ditësh, shumë prej tyre nuk kanë kontakte me botën e jashtme.

Dy javë më parë agjentët rusë të FSB-së e nisën marshin në rrugët e Melitopolit të pushtuar në juglindje, duke mbajt në duar listat me emra dhe me adresa. I kërkonin intelektualët, gazetarët dhe aktivistët ukrainas për t’i marrë në pyetje. Ukrainasve të ndaluar dhe familjarëve të tyre u janë konfiskuar celularët, kompjuterët dhe çdo mjet tjetër komunikimi, duke i lënë këta persona të izoluar plotësisht. Nuk e kemi asnjë mundësi për të parashikuar se çfarë do të ndodhë më pas me ta.

Në Kiev, shqetësimi kryesor tash është siguria e faltores kryesore të Rusisë Kievase (shteti i themeluar nga vikingët, i sunduar në shekujt IX-XIII nga dinastie Rurike e varangianëve të Suedisë – v.p.): të manastirit dhe katedrales së Shën Sofisë. Kompleksi – strukturat më të vjetra të të cilit datojnë në shekullin XII – qëndron në majën e një prej kodrave të Kievit, shumë afër selisë së shërbimit të sigurisë ukrainase, të selisë së rojeve kufitare dhe të departamentit të policisë të qytetit të Kievit. Këto tri ndërtesa herët a vonë duhet të bëhen objektiva të raketave ruse dhe çdo sulm ndaj tyre do të dëmtojë, ose do ta shkatërrojë Shën Sofinë.

Ministria e Kulturës po mban shënime për objektet e shkatërruara historike dhe kulturore. Dhjetëra emra të rinj do t’i shtohen çdo ditë kësaj liste. Por, kultura e Ukrainës nuk mund të shkatërrohet nga bombat dhe nga raketat. Ajo do të mbijetojë, ashtu siç ka mbijetuar gjuha ukrainase – pavarësisht se u ndalua nga më shumë se 40 dekrete cariste të shekullit XIX, pavarësisht politikës sovjetike të rusifikimit të Ukrainës, pavarësisht urrejtjes aktuale dhe të dhunshme të Rusisë ndaj çdo gjëje ukrainase./telegraf/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *