Bota

Arsyet pse Bideni po shkon në Poloni

Nëse ka një komb që e kupton mundimin e Ukrainës, është Polonia, e cila të premten e mirëpret presidentin amerikan, Joe Biden, si pjesë e misionit të tij emergjent për të mbështetur mbrojtjen e NATO-s, pas pushtimit brutal të Rusisë
Në Shtetet e Bashkuara, paralajmërimet e Bidenit se demokracia është nën rrethim nga autokratët kërcënues, mund të duken të largëta, edhe pas kryengritjes së ish-presidentit Donald Trump në Capitol dhe përpjekjes për të vjedhur zgjedhjet e 2020-ës, shkruan CNN-i të premten.

Por në Poloni, e cila është fqinjë me Ukrainën, liria është mjaft e freskët. Në një histori të shekullit të 20-të, vendi – i ndarë midis Lindjes dhe Perëndimit, u pushtua në mënyrë të përsëritur, u sundua nga tiranë të huaj, dhe pa miliona njerëz të tij të spastruar ose të dëbuar si refugjatë nga shtëpitë e shkatërruara nga lufta.

Polonia e gjen sërish veten në vijën e parë të konfliktit. Është në vijën ndarëse midis shteteve në klubin e NATO-s, të cilit tani i përket, dhe orbitës ruse të presidentit, Vladimir Putin, e cila përfshin një fqinj tjetër polak, Bjellorusinë. Polonia ka hapur kufijtë e saj për më shumë se 2 milionë, nga 3.7 milionë ukrainas që kanë ikur nga sulmi i Putinit, derisa lufta iu afrua kufijve të saj me një sulm rus në një bazë në Ukrainën perëndimore në fillim të këtij muaji.

Ashtu si Ukraina, Polonia jetoi për dekada nën grushtin e hekurt komunist të Moskës. Ashtu si ukrainasit, polakët janë shpesh të ashpër, janë thellësisht dyshues ndaj rusëve dhe kanë luftuar për lirinë dhe sovranitetin e tyre.

Ndryshe nga Ukraina, një nga republikat themeluese të Bashkimit Sovjetik, Polonia, arriti në Perëndim pas dekadash nën ombrellën e Paktit të Varshavës. Dhe përveç të qenit në NATO, është një anëtar i Bashkimit Evropian, megjithëse ka pasur tensione kohët e fundit me Brukselin për flirtet e saj me nacionalizmin populist.

Në shkurt, përpara se Putini të pushtonte Ukrainën, Polonia ishte një nga vendet ku Bideni dërgoi 3.000 trupa për të forcuar krahun lindor të aleancës. Nëse lufta në Ukrainë kalon në një konflikt më të gjerë midis Rusisë dhe Perëndimit, nga një perspektivë e frikshme, ka një shans të mirë që mund të ndodhë në Poloni.

Lexo më shumë  Shefi i Forcave Ajrore të SHBA: Lufta me Kinën dhe Rusinë mund të ndodhë në çdo moment

“Ne mendojmë se është vendi i duhur për Bidenin që të shkojë në Poloni që të jetë në gjendje të shohë trupat, të jetë në gjendje të shohë ekspertë humanitarë dhe të jetë në gjendje të takohet me një aleat të vijës së parë dhe shumë të cenueshme”, ka thënë këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan këtë javë.

Udhëtimi i Bidenit vjen disa javë pasi zëvendëspresidentja, Kamala Harris, ishte në Varshavë dhe ndihmoi në lehtësimin e një mosmarrëveshjeje midis dy qeverive rreth planit të Polonisë për të dërguar avionë të epokës sovjetike në Ukrainë. Bideni e kundërshtoi transferimin, duke arsyetuar se ai mund të shihet nga Putini si një përshkallëzim i konfliktit që mund të krijojë një kaskadë pasojash dhe një përballje midis Perëndimit dhe Rusisë, e cila do të rrezikonte një shkëmbim bërthamor.

Lidhje të thella me Washingtonin

Amerikanët dhe presidentët amerikanë janë të njohur në Poloni – një trashëgimi e mbështetjes së fortë të SHBA-së për lëvizjen disidente të solidaritetit, e cila u ushqye në kantieret e qytetit verior të Gdanskut dhe krijoi disa nga çarjet e para në Perandorinë Sovjetike, me mbështetjen e Papës polak, Gjon Pali II.

Gjatë dy ditëve të ardhshme, Bideni do ta takohet me presidentin polak, Andrzej Duda dhe pritet të vizitojë edhe forcat amerikane të dërguara për të forcuar mbrojtjen e Polonisë.

Biden la të kuptohej se ai do të vizitonte gjithashtu disa nga mijëra refugjatët ukrainas në vend. Bideni, i cili njoftoi të enjten se SHBA-ja do të pranonte deri në 100.000 refugjatë ukrainas, la të kuptohet pas një samiti të NATO-s se ai do të takohej me disa nga turmat e njerëzve që kanë ikur nga bombardimet civile të Putinit në Ukrainë.

Përpara asaj vizite të mundshme, presidenti reflektoi mbi refugjatët që kishte takuar në kampe gjetkë në botë gjatë viteve.

“Ju shihni fëmijë që janë pa prindër në ato kampe, burra dhe gra që janë krejtësisht të humbur, dhe ju shihni atë pamjen e zbrazët në fytyrën e tyre, atë ndjenjën absolute ‘O Zot ku jam’”, ka thënë Bideni në një konferencë për media pas samitit të NATO-s të enjten në Bruksel.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Presidentët amerikanë e kanë parë prej kohësh Poloninë si një shembull të lirive për mbrojtjen e të cilave NATO-ja u krijua, dhe e kanë lavdëruar betejën e saj të gjatë dhe të suksesshme për ekzistencën e saj, një luftë që Ukraina po zhvillon tani.

Polonia u shkatërrua në mesin e shekullit të 20-të, kur pothuajse e gjithë popullsia e saj e konsiderueshme hebreje u vra në Holokaust. Kampet e ruajtura në Auschwitz-Birkenau, në perëndim të qytetit jugor të Krakovit, qëndrojnë si një memorial i tmerrshëm për tmerret e pushtimit nazist. Megjithatë, rënia e Rajhut të Tretë nuk solli çlirimin. Polonia më pas duroi gati gjysmë shekulli të represionit komunist të imponuar nga Rusia.

Në vitin 2003, në Krakov, presidenti i atëhershëm amerikan Xhorxh W. Bush lavdëroi zgjerimin drejt lindjes së NATO-s, i cili e ka acaruar kaq shumë Putinin. Në atë kohë, megjithatë, Bushi ishte më i preokupuar me luftërat binjake në Afganistan dhe Irak, të nisura pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, sesa një përballje e ringjallur me Moskën.

Në vitin 2014, duke shënuar 25 vjetorin e zgjedhjeve që nisën një proces që çoi në rënien e sundimtarëve komunistë në Varshavë, presidenti atë kohë i SHBA-së, Barack Obama pati thënë se “fitorja e vitit 1989 nuk ishte e pashmangshme, ishte kulmi i shekujve të luftës polake”.

Por ish-presidenti Trump zgjodhi një ton tjetër duke udhëtuar në Varshavë në vitin 2017 për t’u lidhur me forcat e krahut të djathtë në Poloni dhe Evropën armiqësore ndaj BE-së. Në një fjalim që ripërcaktoi vlerat tradicionale perëndimore dhe mishëroi markën e tij të nacionalizmit populist, Trumpi riafirmoi besimin e menit 5 të NATO-s, se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Por ai gjithashtu kritikoi vlerësimet e inteligjencës amerikane se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe paralajmëroi se një valë imigrimi mysliman dhe kontrolle të dobëta kufitare kërcënuan vlerat perëndimore.

Mesazhi i Bidenit do të jetë shumë i ndryshëm. Pas takimit me Dudën në Varshavë të shtunën, presidenti do të mbajë një fjalim për të cilin Shtëpia e Bardhë thotë se do ta përcaktojë pushtimin rus të Ukrainës si një sfidë ndaj qëllimit thelbësor të presidencës së tij brenda dhe jashtë vendit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *