Përfundoi ndërhyrja në një prej ndërtesave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz ka mbajtur të martën mbledhjen e katërt. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është filluar me ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat.
Theksoi së në 2022-n do të jetë fokus master plani për kompleksin memorial.
“Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kemi filluar me ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve”, ka thënë Kurti.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022.
“Ndërhyrjet me qëllim të konsolidimit të strukturave dhe mënjanimit të rrezikut të mëtejmë, do të vazhdojnë edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë”.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në mbledhje u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.
Rruga Press