The Economist: Buxheti i madh për mbrojtje tregon se Gjermania është zgjuar
Pacifizmi i pasluftës i Gjermanisë dikur ishte ngushëllues për fqinjët e saj dhe për vetë gjermanët. Megjithatë, me kalimin e gjeneratave, qëndrimet kanë ndryshuar. Evropianët e ndjeshëm prej kohësh nuk e shohin Gjermaninë si një kërcënim. Përkundrazi, pasiviteti i politikës së saj të jashtme ka paraqitur më shumë një rrezik vitet e fundit, duke i inkurajuar agresorët si Vladimir Putin. Më në fund, pushtimi i paprovokuar i Putinit në Ukrainë i ka bindur gjermanët që ta marrin seriozisht sigurinë. Siç e bën të qartë buxheti i parë i Olaf Scholz, Gjermania po përgatitet ta tërheqë peshën e saj. Detyra e kancelarit të ri të Gjermanisë është të sigurohet që përpjekja të jetë e qëndrueshme, efektive dhe të përfshijë ndarjen e rrezikut, si dhe vetëm shpenzimin e parave.
Buxheti i paraqitur në kabinetin e koalicionit gjerman më 16 mars u shoqërua me një ligj të propozuar që krijonte një fond të posaçëm të mbrojtjes me vlerë 100 miliardë euro. Kjo shumë do të përdoret për t’i rritur shpenzimet gjermane të mbrojtjes nga rreth 1.5% e PBB-së në të paktën 2%, niveli që anëtarët e NATO-s supozohet ta përmbushin, por Gjermania vazhdimisht nuk e ka plotësuar këtë nivel. Paratë duhet të jenë të mjaftueshme për ta tejkaluar hendekun për katër ose pesë vitet e ardhshme nëse zyrtarët vendosin t’i shpenzojnë aq shpejt. Do të kishte qenë më mirë të rritej buxheti i rregullt i mbrojtjes, në vend që të mbështetej në një fond plotësues të vetëm, në mënyrë që ndryshimi të ishte më i vështirë për t’u kthyer. Por gjithsesi, Gjermania tani për tani do të bëhet shpenzuesi i tretë më i madh ushtarak në botë.
Po aq i rëndësishëm ishte vendimi i shpallur më 26 shkurt, dy ditë pas fillimit të luftës, për ta lejuar eksportin e armëve gjermane në Ukrainë. Më parë, Gjermania jo vetëm që kishte refuzuar të dërgonte armë në zonat e luftës, por ka këmbëngulur që t’i ndalonte blerësve të vendeve të treta të kompleteve gjermane që t’i rieksportonin ato në vende të tilla, madje edhe për t’i ndihmuar që viktimat të mbroheshin nga agresioni.
Shpenzimet e rritura të Gjermanisë për mbrojtjen do të arrijnë sukses nëse paratë përdoren me zgjuarsi. Por historia e saj është e dobët në këtë drejtim. Shumë prej buxhetit shkon për pensionet e majme dhe zyrat prej luksi, nuk mjafton për aeroplanët dhe nëndetëset. Ditën që filloi lufta, kreu i ushtrisë gjermane u ankua se ushtria e tij kishte mbetur “pak a shumë e zhveshur”. NATO nuk është e angazhuar drejtpërdrejt në Ukrainë, dhe me të drejtë: nëse do t’i rrëzonte aeroplanët rusë, lufta mund të përhapej përtej Ukrainës. Por vendet e NATO-s që e kufizojnë Rusinë duhet të mbrohen dhe kjo detyrë nuk duhet të bjerë kaq rëndë mbi Amerikën. Evropa duhet të rritet dhe Gjermania duhet ta luajë rolin e saj me forca luftarake të pajisura siç duhet.
Rusia është kërcënimi më i madh për Evropën dhe do të jetë e tillë në vitet në vijim. Por ka sfida të tjera të sigurisë. Ballkani një ditë mund të rindizet. Në jug të Evropës është një hark paqëndrueshmërie përgjatë Sahelit, në të cilin tani përzihen mercenarët rusë. Franca dhe Britania kanë dërguar shpesh trupa për të ndihmuar në stabilizimin e vendeve problematike, me sukses të përzier. Ato do të vlerësonin më shumë ndihmën. Duke pasur parasysh madhësinë dhe pasurinë e saj, Gjermania duhet ta luajë një rol udhëheqës.
Transformimi i politikës së jashtme gjermane nga Z. Scholz shkon përtej mbrojtjes. Lufta në Ukrainë e ka shpërfaqur marrëzinë e strategjisë energjetike që ai trashëgoi nga Angela Merkel dhe paraardhësi i saj, Gerhard Schröder, i cili paturpësisht ende është pjesë e bordit të Rosneft, gjiganti shtetëror rus i naftës. Duke u larguar nga energjia bërthamore dhe duke iu gëzuar tubacioneve lindje-perëndim, ata lejuan që Gjermania të bëhej e varur nga hidrokarburet ruse, dhe për rrjedhojë nga vullneti i mirë i Putinit. Scholz, me mbështetjen e partnerëve të tij të Gjelbër, po e rrit jashtëzakonisht pjesën e burimeve të rinovueshme në përzierjen energjetike të Gjermanisë dhe po i diversifikon furnizimet e saj me gaz larg Rusisë, pjesërisht duke ndërtuar terminale të rinj për ta trajtuar gazin natyror të lëngshëm nga më larg. Detajet, megjithatë, ende mungojnë. Pritet një buxhet suplementar dhe mbi këtë do të gjykohet edhe tranzicioni.
Një Gjermani e re, më e sigurt është pikërisht ajo që Europa ka nevojë për ta ndihmuar atë të përballet me kërcënimin në Moskë. Është turp që u nevojit të bëhej një luftë për ta zgjuar gjigantin e fjetur të Evropës. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë./The Economist
Rruga Press