Përse u shemb memoriali në Kukës kushtuar Luftës së Lumës?!
“Një luftë të ashpër e të përgjakshme, që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre”.
Ky është telegrami i dërguar Vjenës më 27 nëntor 1912 nga konsulli austro-hungarez Oscar Prochaska, i cili shkruante nga Prizreni. Lufta e Parë Ballkanike e zuri Prochaskën aty ku ai shërbente, në selinë në Prizëren. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, forcat serbe i gjetën rojës së tij një letër private, në të cilën konsulli përshkruante me detaje barbarizmat serbe. Për këtë arsye serbët e arrestuan diplomatin, “për nxitje të popullsisë shqiptare për qëndresë”. Ky incident i rëndë çoi në një krizë diplomatike mes Perandorisë Austro-Hungareze dhe Serbisë. Emri dhe bëmat e konsullit Prochaska u morën në mbrojtje nga shtypi austro-hungarez dhe u bënë të njohura anekënd perandorisë shumëkombëshe. Prochaska u lirua nga burgu serb në janar 1913. Ai e vazhdoi karrierën diplomatike si konsull i Perandorisë në Rio De Zhaneiro të Brazilit.
Beteja e Lumës në syrin e të dy palëve
Komentimi i ngjarjeve të kaluara dhe prodhimi i historisë së një vendi mbetet akoma një angazhim atraktiv për shumicën përpos historianëve, të cilët janë përgjegjësit kryesor për lëndën e parë të historisë. Nuk ndodh në asnjë fushë tjetër kërkimore që populli të jetë i përfshirë kaq masivisht sesa në atë të historisë. Përshembull rrallë është dëgjuar që qytetarët kanë pasur interes që të përfshihen në çështjen e marrëdhënieve të jashtme diplomatike të shtetit të tyre, të përfshihen në projekte urbanistike, misione hapësinorë apo iniciativa shkencore. Kjo ndodh për arsyen sepse shumica nuk ka informacion të mjaftueshëm rreth këtyre çështjeve por edhe lidhet me interesin e tyre i cili është relativ për tema të tilla. Ndërsa në histori përfshirja është tjetërqysh. Të gjithë kanë dëshirë, forcë, pasion, ndonjëherë edhe kapacitet intelektual, që të përfshihen e komentojnë historinë. Në terma kohor ngjarja e luftës së Lumës nuk është e largët. Ajo i takon fillimshekullit të ri 21 dhe në këtë prizëm bëhet dhe më i lehtë vëzhgimi dhe interpretimi i ngjarjes ndryshe nga betejat e shekujve të mëparshëm tonat, të cilat për arsye të kuptueshme natyrale, janë më të zbehta, më të largëta për t’u mbërritur dhe kanë më shumë imunitet nga komentet e masës. Zakonisht këtyre ngjarjeve u del zot folklori, kjo traditë orale e të rrëfyerit, e cila tek ne ishte më e theksuar për shkak se ishim një popull i sunduar prej dekadash nga perandoria osmane.
Me të gjithë interpretimet e mundshme nga palët pjesëmarrëse, serbe dhe shqiptare dhe vëzhguesit e jashtëm, siç ishte rasti i konsullit austro-hungarez Oscar Prochaska, të gjithë bien dakord për tre pika:
1.Ajo ishte një betejë me të gjithë karakteristikat e saj për nga forcat pjesëmarrëse, kohëzgjatja, shtrirja territoriale, përfundimi dhe rezultati.
2.Terreni i vështirë, befasia, dhe moti ishte një disavantazh për ushtrinë serbe e cila pësoi disfatë në Lumë dhe se kjo ndaloi futjen e tyre në Durrës e më tej.
3.Ushtarët e Lumës kishin shumë mangësi në artileri dhe armë në krahasim me ato trupave serbe.
Pas zhvillimit të betejave, të dy palët mbajtën qëndrimin e tyre në lidhje me këtë. Historigrafia serbe u shfaq hermetike dhe nuk prononcohej për këtë ngjarje. Ajo nuk ishte bashkëpunuese me studiuesit shqiptarë dhe të huaj ndërsa historia zyrtare shqiptare u mor shumë pak me këtë çështje duke e lënë pjesërisht në harresë. Është folur jo pak herë nga historianë dhe aktivistë letrarë e kulturorë në Kukës për mungesën e hapësirës mediatike që i është kushtuar Betejës së Lumës dhe asaj pjese që duhej të zinte në tekstet zyrtare të Historisë së Shqipërisë. Deri në vitin 2002 kjo betejë nuk është përmendur në asnjë tekst zyrtar të Shqipërisë dhe po ashtu shumë vonë është shtuar informacion për këtë betejë edhe në motorin e kërkimit serioz “Wikipedia”, ku rezulton që redaktimi i fundit i materialit është bërë me 15 shtator 2021. Mospërfshirja e kësaj kryengritje në asnjë rrjesht të historisë shqiptare acaroi në njëfarë mënyre rapsodinë e vendit. Ata nisën punën e tyre pa marrë lejen e askujt dhe thurën tekste që sot janë shumë popullore për banorët e zonës dhe më gjërë. Këto refrene nisën të gdhenden në zemrat e banorëve përpara se historia zyrtare të jepte fjalën e fundit. Ata nuk kishin kohë të pritnin. Nuk kishin më kohë për të humbur dhe bënë të qartë që: “Nuk jam Serbi po jam Luma, si ta mushi shpinën plot o me pluma. Djemt e Lumës hiç o s’kan dert, ka një luftë e bëjn’ vjet për vjet.”
Emër, mbiemër, firmë.
Zakonisht qeverisjet lokale në Kukës ndër vite, ashtu si në shumicën e qytetevë të vogla, në fillimet e tyre, priren që të shpenzojnë gjithë energjinë e tyre mediatike në ndërtimin e veprave arkitekturore dhe urbanistike dhe më pak në fusha të tjera siç mund të jenë investimi në kulturë apo politika gjithëpërfshirëse sociale. Sipas logjikës së tyre këto investime janë të parat që vihen re nga banorët, janë lehtësisht të verifikueshme dhe lënë gjurmë afatgjata në psikologjinë kolektive të shoqërisë. Pra, një banor e ka më të lehtë të dalloj një rrugë të shtruar me asfalt dhe e komenton atë për shumë kohë (mbase sa herë që e përdor) sesa të vë re një shërbim të qenësishëm psikosocial që është shtuar së fundmi në sistemin arsimor parashkollor apo të analizojnë treguesit cilësorë të buxhetin afatmesëm të bashkisë. Të paktën kështu është psikoza e njësive të qeverisjes vendore. Dhe çfarë ndodh? Premtimi për rrugë të shtrurara me asfalt është mjerisht një ndër retorikat më të përdorura të kandidatëve në çdo njësi administrative. Jo rastësisht edhe kërkesat e banorëve në periferi shumicën e herëve rreth kësaj teme sillen.
Vitet e fundit vihej re dhe një mani e tyre, një histerizëm, që për çdo vepër të tillë urbanistike të vendosin dhe nënshkrimin e tyre, që zakonisht ishte standart: ndërtoi Bashkia Kukës, dhe vitin e ndërtimit më pas. A thua se ndërtimet e qytetit tënd bëhen nga bashkitë fqinje apo të huajt. E tillë ishte ajo me bustin e Havzi Nelës përballë gjimnazit të përgjithshëm të qytetit me të njëjtin emër, ku emri i Bashkisë Kukës poshtë bustit ishte më gërma më të mëdha sesa vetë teksti për shkrimtarin e fundit të vrarë në diktaturë, në të gjithë Europën Lindore.
Ky ves teknik nuk hiqej për kollaj. Ai pasoi sërisht me atë të memorialit të ri në pjesën e pedonales ku sërisht nënshkrimi i bashkisë ishte evident, apo dhe nënshkrimet kryeneqe në veprat e tjera publike në qytet, që në fund të fundit deri më tani kanë qenë krijime të një niveli monoton e të zakonshëm arkitekturor.
Të gjitha këto janë vepra publike, shumica të bëra nga taksat e qytetarëve, dhe biznesit vendas, dhe të tilla duhet të mbesin. Bashkitë duhet të mësohen të hedhin një valle pa pasur nevojën që emri i tyre të përmendet nga dee jay i dasmës.
Vepra e tretë arkitekturore për të njëjtën ngjarje.
Për Betejën e Lumës deri në vitin 2019, ishin ngritur dy memoriale, konktretisht në zona gjeografike ku është zhvilluar lufta, një në Qafën e Kolesjanit e restauruar së fundmi dhe një në Qafën e Topojanit, zonë ku janë shënuar shumë të vrarë nga forcat serbe, përfshirë gra dhe fëmijë.
Bashkia e Kukësit, pak kohë pas nisjes së punës me mandatin e ri në vitin 2018, po mendonte ndërtimin e një memoriali tjetër shtesë për të njëjtën ngjarje. Natyrisht lindin tre pyetje: 1. A ishte i nevojshëm ndërtimi i një memoriali të tretë? 2. Ku po bëhej ky memorial? 3. A duhej të ishte më i kuruar nga ana estetike dhe përmbajtësore sesa ato të mëparshmit?
Ndërtimi i një memoriali tjetër ishte një përforcues shtesë i kujtesës historike të qytetit tonë karshi kësaj lufte. Me memorialin e ri në qendër të qytetit banorët, sidomos brezat e rinj do të njiheshin dhe do të bëheshin më shumë kureshtar për këtë betejë. Pra, ndërtimi i saj teknikisht kontribon në vizibilitetin e ngjarjes historike.
Memoriali u ndërtua në zonën e Pedonales, afër sheshit kryesor të qytetit, në një zonë ku nuk është zhvilluar lufta e Lumës. Aty nuk është bërë luftë ndonjëherë. Ajo zonë është dëshmitare për diçka tjetër, për ngjarjen më të bujshme të kohëve të fundit të ndodhur kombit shqiptar. Ai vend, më vonë, në vitin 1999, do të bëhej dëshmitar i pamjeve të tmerrshme që vinin nga kampet e strehimit për shumë kosovarë të dëbuar nga pala serbe (edhe kësaj here).
Memoriali i tretë kishte një pamje mesatarisht tërheqëse. Një ansambël gurësh të errët dhe sheshpushimin e zakonshëm për vepra të tilla arkitekturore. Por teksti i vendosur në pllakën frontale të memorialit shkaktoi pakënaqësi tek masa. Kujtojmë këtu që teksti në memorialin e Qafës së Kolesjanit u ndryshua në restaurimin e fundit. Arsyeja kryesore ishte ajo e shifrave të të vrarëve serb, shifra këto për të cilën shumica, të vetëdijshëm për entuziazmin e qëndresës, i quajtën të fryra dhe shifra folklorike.
Reaksioni pas përurimit, që u bë me datë 14 dhjetor 2018, ishte i mënjëhershëm. Teskti i përzgjedhur ishte paksa ngacmues, provokues dhe shkaktoi irritim tek banorët: Martirëve të Lumës, masakruar nga trupa të ushtrisë së Mbretërisë Sërbe, në vjeshtë 1913. Luftëtarët heroik u quajtën të masakruar. Pushtuesit u quajtën trupa të një Mbretërie. Termi Mbretëri ishte gati ledhatues për një pushtues. Teksti në memorialin e tretë, logjikisht, duhej të ishte më korrekt. Shkruesit dhe ideuesit e saj duhej të ishin më vigjilent. Mësimi nga memoriali i Qafës së Kolesjanit duhej të ishte përvetësuar tashmë, në vend që të përsëritej e trashej prap. Në qoftë së me memorialin në Kolesjan u ngrit shumë heroizmi jonë, në atë të rradhës ndodhi gati e kundërta, heroizmi u nënvlerësua. Kjo ishte e panevojshme, e nxituar, dhe jo e kujdesshme. Ishte e njëjtë sikur sot kompania “Apple” të prodhojë një telefon me sistem operativ më të ngadalshëm sesa ai i pesë viteve përpara.
Reagimet ishin masive paçka se shumica nuk u bënë mediatike. Shumica heshtën edhe pse dikush nuk i drejtoi mikrofonin për këtë çështje por edhe nuk folën për hatër të një punë të nisur me vullnet të mirë por fatkeqësisht të përfunduar keq.
Reagimi i parë fizik ishte ai i heqjes së njërës pllakë që në ditët e para pas përurimit. Të parët që reaguan kundra kësaj vepre në rrjetet sociale ishin gazetarë dhe aktivistë të rinj në Kukës ku shprehën hapur indinjimin për këtë vepër. Ato sulme vazhduan dhe nuk u ndalën për shumë kohë deri sa erdhi dita kur Bashkia Kukës e shemb atë.
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe as dëgjuar që një objekt arkitekturor të shembet pa nam e pa nishan. Interesant mbetet komunikimi mes tyre. Ndërsa njëra palë, ajo që e kishte ndërtuar, fliste e prononcohej vazhdimisht në rrjete sociale e mediat elektronike, pala tjetër qëndronte krejt e heshtur. Ajo nuk prononcohej publikisht për veprën e zhdukur. Nuk dihej nëse ky qëndrim lidhej me “fajin” e bërë, me indinjatën, pendesën, më procedurat e parregullta administrative të shembjes apo me vendosmërinë për të mbajtur qëndrim inferior ndaj një vepre të ndërtuar keq.
Sot, memoriali, me gurët e zinj, në formë piramide të zgjatur e të holluar, nuk është më aty. Ai u zhduk bashkë me tekstin në qendër të tij. Sikur çdo zemërim i banorëve të kishte përmasa të tilla mbase qytetet do të kishin pamje tjetër.
Arben R Vata
Rruga Press