Kur mbahet shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve
Gara për trofeun e Ligës së Kampionëve në sezonin 2021/2022 është duke u ngushtuar dhe duke u bërë gjithnjë e më nxehtë, ndërkohë që vetëm tetë skuadra do të luajnë në çerekfinale.
Pjesëmarrjen në fazën e tjetër tashmë e kanë siguruar Liverpooli, Bayern Munichu, Real Madridi, Manchester City, Atletico Madridi, Benfica, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe dy vende që do të përcaktohen nga sfidat Juventus-Villarreal dhe Lille-Chelsea.
Kur mbahet shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve
Shorti për të përzgjedhur çiftet çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të mbahet të premten (18 mars) në Nyon të Zvicrës me fillim nga ora 12:00 në shtëpinë e futbollit evropian.
Pos çerekfinaleve, skuadrat do ta mësojnë edhe rrugëtimin e tyre se me fituesin e cilit duel mund të luajnë edhe në gjysmëfinale – që do të thotë se ky do të jetë shorti i fundit për këtë sezon.
Shorti është krejtësisht i hapur në këtë fazë dhe nuk ka kufizime për përballjet potenciale të skuadrave.
Datat kur do të zhvillohen ndeshjet
Sfidat e parë çerekfinale do të zhvillohen më 5 dhe 6 prill, ndërsa ndeshjet kthyese janë caktuar për një javë më pas, në datat 12 dhe 13 prill.
Takimet e para gjysmëfinale do të luhen më 26 dhe 27 prill, derisa një javë më pas (më 3 dhe 4 maj) do të zhvillohen sfidat kthyese.
Finalja e madhe do të zhvillohet më 28 maj në Stade de France në Paris (pas vendimit për ta zhvendosur nga Gazprom Arena e St Petersburgut si pasojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës).
Rruga Press