SHBA, pabarazia e pagave ndërmjet burrave dhe grave
Në shumë sektorë, duke përfshirë industrinë ushqimore dhe shkencën, gratë amerikane fitojnë më pak se burrat. Mesatarisht, një grua amerikane fiton vetëm 83 cent për çdo dollar të fituar nga një burrë.
Sipas ekspertëve, hendeku është edhe më i madh për gratë më ngjyrë, gratë latine dhe disa segmente të grave aziatike.
Më 15 mars, presidenti Joe Biden përkujtoi ditën që simbolizon sa kohë më shumë duhet të punojnë gratë për të fituar atë që fituan burrat vitin e kaluar. Dita ndryshon nga viti në vit.
Pandemia ka penguar progresin, sipas ekspertëve, ndërsa gratë kryejnë pjesën më të madhe të punës për kujdesin familjar.
“Unë nënshkrova një urdhër ekzekutiv për të mbështetur përpjekjet për të arritur barazinë e pagave, barazinë e pagave për punonjësit dhe kontraktorë federalë. Shpresoj që kjo të jetë një shembull për t’u ndjekur edhe nga kompanitë private”, deklaroi presidenti Biden.
Por vendimet e presidentit Biden nuk trajtojnë hendekun gjinor të pagave në sektorin privat. Administrata e ish presidentit Obama u kërkoi kompanive të mëdha të raportonmin se sa i paguanin punëtorët sipas racës dhe gjinisë, por administrata e ish presidentit Trump më vonë, nën presionin e grupeve të mëdha të biznesit, e ndaloi rregullin në vitin 2017.
“Administrata e zotit Biden po analizon të dhënat që u mblodhën nga kompanitë private për të treguar diferencat e pagave sipas racës dhe gjinisë. Shpresojmë se ky është hapi i parë për rivendosjen e këtij rregulli”, thotë Vasu Reddy, nga organizata “Partneriteti Kombëtar për Gratë dhe Familjet”.
Kamala Harris, e cila është nënpresidentja e parë grua në SHBA, zhvilloi një takim virtual për “ Ditën e Pagave të Barabarta”, ku morën pjesë zyrtarë të administratës, sportistë dhe drejtues kompanish.
“Një ekonomi që funksionon për gratë funksionon për të gjithë”, theksoi ajo.
Disa ekspertë thonë se dhënia e lejes së paguar për prindërit e rinj mund të ndihmojë në zvogëlimin e hendekut të pagave në bazë gjinore. Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend i zhvilluar në botë pa një program kombëtar për leje të paguar prindërore.
“Një në katër gra në Amerikë kthehet në punë brenda 10 deri në 14 ditë pas lindjes, gjë që është e habitshme dhe e tmerrshme. Është e tmerrshme për gratë që janë në punë”, thotë Adrienne Schweer, nga Qendra e Politikave Dypartiake.
Në projekt-buxhetin 2 trilionë dollarësh të presidentit Biden, përfshihet edhe leja familjare e paguar, por kjo paketë ende nuk e ka marrë miratimin e Kongresit./voa/
Rruga Press