Lajme

Kërkohet një muaj paraburgim për policët dhe doganierët

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të shqiptojë masën e paraburgimit prej një muaji për 50 zyrtarët policorë dhe doganorë, që dyshohen për “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Seanca për masën e paraburgimit ka nisur në ora 10:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një ditë pas aksionit të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, ku u arrestuan të pandehurit.

Sipas kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit, thuhet se të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë dhe doganorë, prej muajit shkurt deri në muajin dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush, duke vepruar në mënyrë të organizuar apo edhe individualisht, me qëllim të përftimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, duke iu mundësuar që të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore.

Lexo më shumë  Zbardhet akuza ndaj Plarent Ndrecës! Deputeti i PS-së i dha tenderin mikut të Sandër Lleshajt

Më 14 mars, u arrestuan 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë. Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, tha se të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në mbi 400 aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.

Inspektorati veçse ka ndërmarrë masat për suspendimin e policëve të arrestuar.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi për këtë rast ka nisur një vit më parë ndaj 68 personave dhe disa persona janë ende në arrati, përfshirë edhe shtetas të Shqipërisë.

Në mesin e të arrestuarve, sipas IPK-së janë dy togerë policorë, pesë reshterë dhe dy zyrtarë doganorë.

Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./rel/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *