Brukseli i “tërheq veshin” Vuçiçit: Serbia e di çfarë e pret nëse rreshtohet në anën e gabuar për luftën në Ukrainë
Zyrtarët e Bashkimit Europian vazhdojnë t’ia mbushin mendjen Serbisë që të respektojë politikën e jashtme të BE-së për sanksionet kundër Rusisë pas agresionit të saj kundër Ukrainës, por gjithashtu paralajmërojnë për pasoja të mundshme nëse kjo politikë e Serbisë vazhdon.
“Serbia nuk është e bindur se sanksionet (kundër Rusisë) janë përgjigjja e duhur për momentin. Ne po ia bëjmë të qartë Serbisë se cili do të jetë çmimi nëse vendi është në anën e gabuar të konfliktit”, tha Michael Siebert, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet me Rusinë dhe Partneritetin Lindor në BE.
Siebert i bëri këto deklarata në një diskutim në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian kushtuar luftës në Ukrainë, gjatë të cilit ligjvënësit europianë pyetën se cilat do të ishin pasojat për Serbinë për refuzimin e saj për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Përveç Bjellorusisë, Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Si një vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE, pritet që të përafrojë politikën e saj të jashtme me politikat europiane, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Presioni ndaj Serbisë është intensifikuar javët e fundit, kur BE-ja vendosi një sërë masash kufizuese kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Një grup deputetësh i ka kërkuar tashmë Komisionit Europian që të ngrijë përkohësisht bisedimet e pranimit në BE me qeverinë serbe dhe mbështetjen financiare.
Brukseli tha se Serbia e di çmimin nëse është në anën e gabuar të konfliktit.
Rruga Press