Mali i Zi i vendos sanksione Rusisë, përfshirë edhe Putinit
Komisioni për sistem politik të Qeverisë së Malit të Zi, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, miratoi sot një paketë sanksionesh kundër Rusisë, e cila më parë ishte prezantuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian (BE).
E që vendimi të hyjë në fuqi, qeveria duhet ta konfirmojë atë, ka shkruar gazeta “Vijesti”.
Sipas vendimit, sanksionet zbatohen për 696 shtetas rusë, si dhe për institucione financiare, prona, tregti dhe shpërndarje të mallrave.
Lista e të sanksionuarve përfshin presidentin rus Vladimir Putin, kryeministrin Mikhail Mishustin, ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Brendshëm Vladimir Kolokoltsev, liderin e Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ish-presidentin rus dhe nënpresidentin aktual të Këshillit të Sigurimit, Dmitry Medvedev.
Në listë janë edhe Igor Sechin, shef ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës “Rosneft” dhe Nikolai Tokarev, shef ekzekutiv i kompanisë së naftës dhe gazit, “Transneft”.
Sot, BE-ja vendosi për një pako tjetër të sanksioneve ndaj Rusisë, që është e katërta.
Rruga Press