Shqipëria me naftën më të shtrenjtë në rajon, Konfindustria kërkon Ent Rregullator për Karburantet
Konfindustria vlerëson si hap të parë pozitiv, por të pamjaftueshëm krijimin e Bordit të Administrimit të Çmimit të Karburanteve.
Një një deklaratë për mediat, Konfindustria thotë se ndërtimi i Bordit ishte pranim i pjesshëm i pikës së parë në listën prej 11 kërkesash të saj drejtuar kryeministrit Rama në datën 10 mars 2022 për krizën e karburanteve.
Sipas saj, vendimi ka njohur zyrtarisht praninë e grupimeve kartel në sektorin e karburanteve dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes rregullatore të shtetit kundër spekullimeve shkatërruese në vlera qindra milionë euro në dëm të biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare.
Por Konfindustria kërkon ndryshimin thelbësor të mënyrës së ndërtimit dhe funksionimit të tashëm Bordit të Administrimit.
-Së pari, kërkohet ndërtimi sipas modelit të një Enti Rregullator të Karburanteve/ERRK si institucion i përhershëm në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo vetëm i përkohshëm në raste krizash. Tregu Karburanteve me qarkullim vjetor me mbi 1,5 miliard $/vit është pothuaj 2,5 herë më i madh se tregu energjisë elektrike dhe mbi 5 herë më i madh, se tregu i telekomunikacionit, që kanë ente rregullatore të vecanta.
-Së dyti, prania në bord e përfaqësuesve të kompanive, që duhet të jenë subjekt i kontrollit për spekulime në treg, është e paarsyeshme dhe përbën përplasje të pastër interesi. Sa më sipër u shfaq edhe në vendimin e parë të Bordit për cmimin e naftës në 217 lekë/litër të vlefshëm deri në datën 15 mars 2022. Mbështetur në të dhënat krahësimore të bursave ndërkombëtare çmimi i naftës duhet të ishte nën vlerën e 200 lekë/litër. Edhe pas vendimit të Bordit Shqipëria ka çmimet më të larta në Rajon përkatësisht 40-50 lekë/litër më shumë se Kosova dhe Maqedonia.
Rruga Press