Përgjigje ndaj Lavrorvit, i cili përmendi sot shqiptarët
Nga Elvis Hoxha
Edhe Lavrovi, pas Putinit, përmend përsëri shqiptarët.
Nuk ka asnjë arsye pse të përmenden shqiptarët nga këta të dy, veçse që ta dëgjojë Serbia e të nisë luftën. Rusia duket që është në gjendje të keqe, në një luftë që nuk e ka llogaritur aspak mirë, me shpresën e frikës që kall arma bërthamore. Pra, sot politika e komunikimit rus kalon nga rreziku i bombës bërthamore te rreziku shqiptar.
Rusëve iu nevojiten fronte të tjerë lufte dhe aleatë në këta fronte. Por Serbia është para zgjedhjeve. Vuçiçi e di mirë. Nuk mund të mos i përgjigjet Putinit pozitivisht, por edhe e di se e humb pushtetin nëse ndërmerr një luftë kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve. Rusia u nis me shpresën të tërhiqte në luftë edhe Kinën e madhe, edhe Serbinë e vogël. Deri tani nuk ka përgjigje pozitive prej tyre. Kina e madhe nuk mund të shkojë në çdo front të çmendur ku e shpie Rusia e dobët. Dhe Serbia në Ballkan, nuk mund të ndërmarrë luftra që do ta rrënojnë rrënjësisht.
Putini dhe Lavrovi janë në hall, Vuçiçi është në hall. Le ta provojnë. Kosova është e pavarur. Mali i Zi nuk është më me qeveri serbe, as aleat i Serbisë si para dy dekadash. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Kroacia është shtet i fuqishëm. Dodiku është i çmendur i vogël në një luftë kaq të madhe. Vulini është sporadikisht trim. Vuçiçi është oligarku që e ka hallin te paret e veta. Lavrovi mund t’i përmendë edhe një herë, edhe shumë herë shqiptarët. Nuk ka vlerë. Serbët le ta provojnë edhe një herë tjetër.
© Rruga Press