Sa varet bota nga nafta dhe gazi rus
Perëndimi ka shtuar sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë ndalur importin e naftës dhe gazit nga Rusia. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka reduktuar importet për dy të tretat.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se refuzimi i naftës ruse do të çojë në pasoja “katastrofike” për të gjithë botën.
Ende pa u ndalur eksportet ruse çmimi i naftës dhe gazit ka shpërthyer.
Sa eksporton naftë Rusia?
Rusia është prodhuesi i tretë më i madh në botë i naftës, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite.
Nga pesë milionë barelat që i eksporton për çdo ditë, më shumë se gjysma shkon në Evropë.
SHBA-ja varet më pak nga ajo, ndërsa 3 për qind e vajit të importuar më 2020 ishte nga Rusia.
Top 10 prodhuesit e naftës në botë
Cilat janë alternativat?
Ben McWilliams, analist për politikat e energjisë, ka thënë se është më lehtë të gjendet alternativë për naftë sesa për gaz.
SHBA-ja ka kërkuar nga Arabia të rrisë prodhimin e naftës, por ky shtet më herët ka refuzuar kërkesat e SHBA-së për të rritur prodhimin që të ulet çmimi i naftës.
Arabia Saudite është prodhuesi më i madh në OPEC, organizatën ndërkombëtare për naftë, që zë rreth 60 për qind të tregut. Për shkak të kësaj, OPEC-u ka rol të madh në ndikimin e çmimeve.
Rusia s’është në OPEC, por ka bashkëpunuar me të që nga viti 2017 për të zëvendësuar limitet në prodhim.
SHBA-ja po shikon të relaksojë edhe sanksionet ndaj Venezuelës.
Çka do të ndodhte nëse Rusia ndal gazin për Evropën?
Çmimet tashmë të larta do të rriteshin edhe më shumë.
Rusia zë rreth 40 për qind të importeve të gazit natyral në BE.
Nëse ajo ndalet, Italia e Gjermania do të prekeshin më së shumti.
Evropa mund t’u kthehet eksportuesve tjerë si Katari, apo Algjeria dhe Nigeria, por ka pengesa praktike për të zgjeruar shpejt prodhimin.
Rusia zë vetëm 5 për qind të furnizimeve të Britanisë së Madhe, ndërsa SHBA-ja s’importon gaz nga Rusia.
Gjithsesi, edhe aty çmimet janë ngritur ndjeshëm.
Shtetet ku Rusia eksporton më së shumti gaz
A mund të gjendet alternativa për gazin rus?
Jo lehtë.
“Është vështirë të zëvendësohet gazi për shkak se i kemi këto tubacionet e mëdha që e çojnë gazin rus në Evropë”, ka thënë McWilliams.
Sipas institutit për ekonomi, Bruegel, nëse Rusia ndal furnizimin me gaz në Evropë, atëherë Evropa mund të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja.
Mund të nxisë edhe përdorimin e burimeve tjera të energjisë, por kjo s’është e lehtë e as s’mund të bëhet shpejt.
“Energjia e ripërtëritshme merr kohë dhe s’ka zgjidhje afatshkurtër. Andaj për dimrin e ardhshëm – ajo që mund të bëjë dallimin është hapja e termocentraleve me qymyr, pasi Italia dhe Gjermania kanë plane të tilla për raste emergjente”, ka thënë analisti Simone Tagliapietra.
BE-ja ka propozuar një plan për të pavarësuar Evropën nga karburantet prej Rusisë para vitit 2030 – duke përfshirë masat për zëvendësim të gazit për ngrohje dhe energji.
Çfarë do të ndodhë me faturat?
Klientët në gjithë botën do të paguajnë më shtrenjtë për rrymë dhe naftë si rezultat i luftës.
Nafta ka prekur vlerat më të larta që nga viti 2008, ndërsa pritet që rritja të mos ndalet ende.
Rruga Press