Qytetet kryesore të Ukrainës u zgjuan nga sulme intensive me raketa ruse
Ukraina është zgjuar në ditën e 11-të të luftës. Mediat ndërkombëtare raportojnë se këtë mëngjes ka pasur sirena alarmi të sulmeve ajror në qytetin qendror të Poltava, i cili shtrihet midis Kievit dhe Kharkivit.
Sulmet ajrore nuk janë ndalur as gjatë natës. Viktima raportohen nga një sulm raketor që goditi shtëpitë e banimit në rajonin Zhytomyr, rreth 140 km në veri-perëndim të Kievit.
Rreth 15 shtëpi private u shkatërruan edhe në Ovruch. 10 shtëpi private thuhet se janë shkatërruar dhe një ndërtesë është djegur. 5 fëmijë u shpëtuan nga një bodrum. Sipas ekspertëve, forcat ruse po sulmojnë shtëpitë e civilëve për të ulur moralin e popullsisë.
Të shtunën Presidenti i Ukrainës Zelensky u bëri thirrje sërish aleatëve perëndimorë që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë në një video-telefonatë me 300 ligjvënës amerikanë. Ai gjithashtu pati një telefonatë me presidentin amerikan Biden.
NATO ka refuzuar vazhdimisht një zonë të ndaluar fluturimi, e cila mund t’i vendosë forcat perëndimore drejtpërdrejt në një konfrontim ushtarak me Rusinë.
Udhëheqësi rus Vladimir Putin paralajmëroi se ai do ta konsideronte një zonë të ndaluar fluturimi si një akt lufte.
Rusia vazhdon të bombardojë qytetin strategjik jugor të Mariupolit. Një armëpushim fillestar për të lejuar evakuimin e civilëve të shtunë dështoi.
Situata në Mariupol dhe rajoni i Sumy është në “prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për një kanal lokal lajmesh.
Nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në dy qytete në rajonin e Sumy-t, shtoi këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.
Gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard kanë pezulluar të gjitha operacionet në Rusi.
Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas do të takohen për një raund tjetër negociatash të hënën.
Rruga Press