Bota

Lideri çeçen-Putinit: Mbyll sytë para gjithçkaje, ta përfundojmë këtë punë për dy ditë!

Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë, i ka kërkuar Presidentit Vladimir Putin që të lëshojë të gjithë fuqinë ushtarake ruse në Ukrainë, për “ta mbyllur këtë çështje për një ose dy ditë”.

Kadyrov, i cili sundon republikën brenda Federatës Ruse, por mban edhe titullin e gjeneralmajorit në Gardën Kombëtare të Rusisë, raportohet të ketë dërguar rreth 10 mijë trupa nga shteti i tij në Ukrainë, për të ndihmuar rusët në pushtimin e vendit fqinj.

Në një audiomesazh për Putin, 45-vjeçari, të cilin Presidenti rus e konsideron si djalin që nuk pati kurrë, dëgjohet të thotë: “Shoku President, Shoku Komandat Suprem, e kam thënë shumë herë se jam shërbëtori juaj i përulur, jam gati të jap jetën për ju. Por nuk mund të shoh luftëtarët e mi, luftëtarët tanë, duke vdekur. Po ju kërkoj me ngulm që të mbyllni sytë para gjithçkaje, dhe të na lejoni që ta përfundojmë këtë punë brenda një ose dy ditësh. Vetëm kjo do të mbrojë shtetin dhe popullin tonë, këtë e besoj fort”.

Mesazhi i tij publik është një shenjë e qartë që Rusia nuk e ka kapërdirë faktin që, kur ka kaluar më shumë se një javë nga nisja e pushtimit, nuk është marrë dot as Kievi dhe as Kharkivi, dy qytetet më të mëdha të Ukrainës. Luftëtarët çeçenë të Kadyrov raportohet të jenë dërguar në Ukrainë për të vrarë Presidentin Zelensky, i cili thuhet se i ka mbijetuar disa atentateve që nga nisja e luftimeve.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Kadyrov, i cili në të shkuarën ka luftuar kundër dhe në krah të Rusisë në luftërat në Çeçeni, njihet për brutalitetin dhe sundimin me dorë të hekurt në vendin e tij, ku mendohet se ka kryer edhe ekzekutime pa vendime gjykate.

“Të gjitha këto negociata janë të pavlera, sa më shumë që presim, aq më shumë sanksione prodhojnë”, thotë ai në mesazhin për Putin. “Gjithë ato dokumente, negociata, nuk janë të mira. Si luftëtar që jam, nuk mundem të shoh luftëtarët tanë të vriten nga ato djaj nazistë. Jam i sigurt që do të merrni vendimin e duhur për ta marrë plotësisht Ukrainën dhe për t’i shkatërruar. Populli i Ukrainës do të na mbështesë kundër këtyre djajve”.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *