Ministri Mehaj: NATO-s i duhet Kosova
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, thotë se NATO-s i duhet Kosova. Ai teksa tregoi pse Kosova i duhet NATO-s, theksoi se procesi i anëtarësimit kërkon kohë dhe durim por që momentumi i tanishëm në mjedisin e ri të sigurisë kërkon kontributin e shtetit të Kosovës në NATO.
Mehaj, përmes një postimi në Facebook, tha se “NATO-s i duhet Kosova. I duhet si vlerë e shtuar, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë për brezat e ardhshëm kudo në Botë”.
Postimi i plotë i Mehajt:
“NATO-s i duhet Kosova
Ne, populli dhe vendi ynë me NATO-n kemi krijuar lidhje të pathyeshme.
Kosova është e mishëruar mes aleatëve në të dy anët e Atlantikut.
Bota sot ka ndryshuar, dhe NATO duhet të pranoj Kosovën në dyert e saj të hapura.
NATO-s i duhet Kosova.
I duhet si vlerë e shtuar, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë për brezat e ardhshëm kudo në Botë.
Për Humanitetin, Lirinë, Demokracinë dhe Solidaritetin.
Vendosmëria e NATO-së për mbrojtjen e këtyre vlerave, shpëtoi vendin dhe popullin tonë nga gjenocidi.
Ne e dimë më së miri vlerën e mbrojtësit të jetërave të njerëzve të pambrojtur nga e keqja.
Ne e dimë më së miri vlerën e luftëtarit kundër abuzimeve masive të të drejtave të njeriut.
Me NATO-n qëndruam dhe qëndrojmë përkrahë në operacionin KFOR në vendin tonë.
Me SHBA-në përkrah ishim në operacionin e stabilitetit në Kuvajt.
Me NATO-n përkrah ishim dhe jemi në operacionin humanitar për evakuimin e refugjatëve afgan.
Ne jemi të gatshëm edhe sot si partner e anëtar i NATO-s kudo që vlerësohet se mund të kontribuojmë.
Krahas forcave tona, gjithçka që krijuam në Republikën e Kosovës, e bëmë së bashku me NATO-n dhe vendet anëtare të saj.
Andaj Forca jonë, gjithçka që disponojmë është e ndërveprueshme me NATO-n.
Ne jemi të vetëdijshëm se procesi i anëtarësimit në NATO kërkon kohë dhe durim.
Por momentumi i tashëm në mjedisin e ri të sigurisë, kërkon tani kontributin tonë në NATO.
Kërkon tani anëtarësimin tonë.
Duam më shumë Kosovë në NATO.
Dhe më shumë NATO në Kosovë.
#KosovoInNATO
#KosovoInEU”, ka shkruar Mehaj.
Ndërkohë që sot Kuvendi i Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të marrë veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në paraqitjen e rezolutës ku dënohet agresioni rus në Ukrainë, legjislativi ka kërkuar edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së.
Rruga Press